EKSKLUZIVE/ Zbulohen emrat e tre lojtarëve në shitje, Egnatia shqyrton ofertat për protagonistët e titullit të dytë kampion
Merkatoja e Egnatias nuk pritet të jetë vetëm në hyrje, por edhe në dalje. Kuptohet që synimi kryesor i kampionëve është që të përforcojnë ekipin për të qenë konkurrues në Europë dhe kampionat, ku duan të jenë sërish pretendentët kryesorë për fitimin e titullit kampion.

Mirëpo, drejtuesit po punojnë edhe për të nxjerrë përfitime nga shitja e lojtarëve, ku dihet që është kthyer në modë për rrogozhinasit, që të përfitojnë sa të munden edhe nga ky aspekt. Burime të gazetës pohojnë se për momentin janë tre futbollistë në qendër të merkatos dhe ndaj të cilëve është shfaqur interes nga skuadra jashtë vendit për të paguar kartonin e tyre.
Bëhet fjalë për sulmuesit Redi Kasa dhe Soumaila Bakajoko, si edhe mbrojtësin Zamig Alijev, që këtë sezon kanë qenë protagonistë në mënyrën e tyre me rrogozhinasit. Mosha e tyre e re dhe cilësitë teknike ka bërë që të jenë në vëmendjen e menaxherëve për t’i “nxjerrë” jashtë vendit.
KASA – Redi Kasa është padyshim një nga futbollistët me cilësitë më të mira teknike në kampionatin shqiptar. Këtë sezon ka vuajtur jo pak nga dëmtimet, por sërish sa herë është futur në fushën e lojës i ka dhënë një tjetër impuls skuadrës së Egnatias. Vetëm 23 vjeç po arrin pjekurinë e tij edhe mentale dhe eksperiencën e duhur. Në 26-të ndeshje që ka zhvilluar kampionatin që lamë pas nuk ka shënuar dot asnjë gol, por ka qenë vendimtar me tri asiste për shokët e skuadër. Vlera e tij aktuale në treg është 250 mijë euro.
BAKAJOKO – Soumaila Bakajokos iu desh që në shumë raste të mbante peshën e sulmit te kampionët. Një përgjegjësi jo e vogël për një 23-vjeçar, që e kishte vitin e tij të parë në futbollin shqiptar. Tetova i dha mundësinë që të aktivizohej në 26 ndeshje, me një bilanc prej katër golash të shënuar dhe mbi të gjitha spikati për altruizmin e tij në fushën e lojës, duke dhënë pesë asiste për shokët e skuadrës. Lojtari nga Bregu i Fildishtë e ka aktualisht vlerën në treg prej 300 mijë eurosh.
ALIJEV – Lojtari i përfaqësueses së Azerbajxhanit, Zamig Alijev, ka qenë gjithashtu një nga futbollistët që spikati në Rrogozhinë. 24-vjeçari me pozicionin e tij natyral në mbrojtës qendre, u detyrua të luajë edhe në të majtë për hir të nevojave të skuadrës këtë edicion. Tetova e hodhi në fushë në 31 ndeshje, pa arritur të shënojë dot gol apo dhurojë asiste, edhe pse për hir të së vërtetës nuk është aspak detyra e tij. Kartoni i tij në treg vlen plot 350 mijë euro, duke qenë një nga lojtarët më të vlerësuar në ekipin kampion.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













