EKSKLUZIVE/ Trajneri i ri i Vllaznisë, djali i shtëpisë në “pole position” për rikthimin pas 15 vitesh
Vllaznia zyrtarizoi largimin e trajnerit Thomas Brdariç vetëm 24 orë pas humbjes me shifrat 4-0 ndaj Egnatias në finalen e kampionati. Disfatë që nuk është “kapërdirë” aspak nga drejtuesit kuqeblu, që në këtë mënyrë nuk kanë preferuar të rinovojnë me gjermanin. Duke ndarë kështu rrugët për herë të dytë në 5 vitet e fundit me ish-futbollistin e Bayer Leverkusen.

Por tashmë detyra e drejtuesve është të gjejnë sa më shpejt zëvendësuesin dhe trajnerin që do drejtojë kuqeblutë në edicionin e ri. Nga sa mëson “Panorama Sport” në mënyrë ekskluzive, preferohet një trajner shkodran dhe që njihet për kontributin e tij në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit. Emrat e parë kanë filluar të qarkullojnë dhe një prej tyre është Edi Martini.
Shkodrani i cili drejton Trepçan në Kosovë momentalisht, duket si një prej trajnerëve në “pole position” për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Për ish-sulmuesin kuqeblu ky do ishte një rikthim në pankinën e shkodranëve pas 15 vitesh, ku më parë ai ka drejtuar në sezonin 2009-2010, ekipin e tij të zemrës. Martini ka fituar një reputacion në vitet e fundit në Superiore në rolin e trajnerit, ku me Teutën arriti të fitonte kampionatin në edicionin 2020-21.
E po ashtu me durrsakët triumfoi edhe në kupën e Shqipërisë në sezonin 2019-20, teksa ka triumfuar edhe në Superkupë në vitin 2021. Një tjetër emër që qarkullon është edhe ai i Vioresin Sinanit. Aktualisht zëvendës trajner i skuadrës shkodrane, “bomberi” më i mirë i historisë së futbollit shqiptar mund të “gradohet” në detyrë. Duke marrë kështu “frerët” e skuadrës totalisht në duart e tij.
Megjithatë për momentin ende nuk ka diçka konkrete, pavarësisht se këta janë emrat e parë që qarkullojnë në ambientin kuqeblu. Ku drejtuesit e skuadrës do mundohen të zyrtarizojnë trajnerin e ri brenda shumë pak kohësh. Në mënyrë që përgatitjet dhe merkato e sezonit 2025-26 të ndërtohet në bazë të ideve të drejtuesit të ri të pankinës shkodrane.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













