EKSKLUZIVE/ Trajneri i ri i Partizanit, zbulohet emri i parë si pasues i Gegës. Ish-tekniku i Dinamos dhe Laçit…
Skënder Gega u largua dje nga Partizani dhe klubi i kuq është menjëherë në kërkim të pasuesit.

“Panorama Sport” mëson se Françesko Moriero është emri i parë që gjykohet si alternativë. Po ashtu një trajner shqiptar nuk preferohet aktualisht për “demat”. Moriero është emër i njohur për kampionatin shqiptar. Kjo pasi edicionin e fundit ishte pjesë e Laçit.
Trajneri italian qëndroi për 31 ndeshje në krye të kurbinasve ku u regjistruan 9 fitore, 11 barazime dhe po aq humbje. Golavarazhi ishte 31 gola të shënuar dhe po aq të pësuar. Laçi nuk ia doli në fund të sigurojë mbijetesën, ndërsa për një pjesë të sezonit Moriero kishte si ndihmës Oltijon Kërnajën. Ky i fundit ka tashmë drejtimin e ekipit B te Partizani.
Moriero po ashtu më parë ka qenë trajner për një kohë të shkurtër te Dinamo. Kujtojmë ndërkohë se ekipi i kuq kthehet nesër në stërvitje për fillimin e përgatitjeve në kuadër të kampionatit.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













