EKSKLUZIVE/ Titullari i Partizanit tërheq vëmendje në Spanjë, të kuqtë studiojnë ofertën e fundit
Në merkato nuk janë vetëm afrimet që tërheqin vëmendje te Partizani, por edhe lëvizjet e mundshme në dalje. “Panorama Sport” mëson se për Saliu Sembenen është shfaqur interes nga Spanja, konkretisht nga La Liga 2.
Mbrojtësi senegalez, i cili spikati në edicionin e kaluar, është vlerësuar për paraqitjet e tij. 23-vjeçari është preferuar rregullisht në kampionat dhe Europë, duke treguar stabilitet në prapavijë. Kjo ka bërë që në klubin e kuq të mbërrijë një ofertë, ndërsa emri nuk bëhet i ditur.
Partizani nuk është kundër një transferimi të mundshëm, megjithatë nuk do të pranonte largimin e Sembenes pa ofertën e duhur. Kjo pasi në kryeqytet qëndron prej katër vitesh. Klubi po studion kështu me kujdes situatën, pasi Sembene konsiderohet një element i rëndësishëm dhe garanci për mbrojtjen.
Këtë e tregoi edhe në paraqitjen e fundit me Vorën ku prapavija dërgoi Partizanin te fitorja(1- 0). Te Partizani janë të vetëdijshëm se një transferim në një kampionat si La Liga 2 do të ishte një hap i madh për mbrojtësin. Vendimi i të kuqve pritet në ditët në vijim, teksa merkato vazhdon të jetë aktive për Partizanin si në hyrje, ashtu edhe në dalje.
PANORAMASPORT.AL













