EKSKLUZIVE/ Sulmuesi Hebaj: Partizani favorit për derbin, Tirana duhet të mbijetojë. Ju tregoj “sekretet” e Gegës… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2025 | 11:28

EKSKLUZIVE/ Sulmuesi Hebaj: Partizani favorit për derbin, Tirana duhet të mbijetojë. Ju tregoj “sekretet” e Gegës… (E PLOTË)

Partizani në vitet e fundit ka nxjerrë disa “killer”-a të derbeve. Një nga më “gjakftohtët” është Rubin Hebaj, kampion me Gegën në sezonin 2018-2019 dhe vendimtar në një derbi ndaj Tiranës, ku erdhi nga stoli dhe përmbysi gjithçka.hebajNë një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi, që në janar u transferua te Nasaf Qarshi në Uzbekistan, flet për favoritët, Partizanin, derbin dhe punën me trajnerin Gega. Hebaj sheh Partizanin si favorit në derbi, por nga ana tjetër nuk dëshiron që Tirana të bjerë një kategori më poshtë. Sa i përket titullit, Hebaj shprehet se dy favoritët kryesorë janë Egnatia dhe Vllaznia.

U transferuat në janar te Nasaf Qarshi. Jeni ambientuar si duhet?

Po, jam ambientuar mjaft shpejt dhe mirë, pasi unë kam kaluar edhe më parë një eksperiencë në Uzbekistan dhe kjo ma bëri më të lehtë që të ambientohem si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.

Keni kaluar disa eksperienca jashtë vendit. Cila ka qenë më e suksesshmja?

Mund të them se viti që kam luajtur me Andijon këtu në Uzbekistan, ka qenë më i suksesshmi, sepse në fund u shpalla lojtari më i mirë i sezonit në kampionat dhe mora “Topin e Artë”.

E keni ndjekur Superioren? Cilat ju duken si ekipet më favorite?

E kam ndjekur pak, më shumë Vllazninë të them të drejtën. Mendoj se shkodranët se bashku me Egnatian janë dy skuadrat që kanë më shumë mundësi të fitojnë kampionatin në këtë sezon. Kanë lojtarë që bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar dhe mund të zgjidhin çfarëdo situatë që u del përgjatë ndeshjes.

Te Partizani keni fituar titullin, besoni se ata mund të përsërisin këtë sukses?

Partizani është klub i madh dhe me histori të lavdishme, por kohët e fundit ka qenë në një moment të vështirë. Por, duke marrë parasysh peshën e fanellës dhe mentalitetin fitues të klubit, ata do të jenë gjithmonë aty, në luftë për titullin kampion.

Të kuqtë rikthyen Skënder Gegën, me të cilin ju keni punuar dhe keni triumfuar në Superiore. Ishte vendim i duhur?

Po, mendoj se ishte zgjedhje e mirë. Besoj se Gega do t’i ndihmojë lojtarët që të kalojnë ngërçin psikologjik dhe të kthehen te rezultat pozitive, për të krijuar një vazhdimësi.

Na tregon dot diçka të veçantë të Gegës nga puna apo personaliteti i tij si trajner?

Ai është shumë i dhënë pas harmonisë dhe frymës së grupit. Një nga aftësitë e tij më të mira është se di sesi t’i motivojë lojtarët në dhomat e zhveshjes. Sa i përket fushës, ka vetinë që të lë të shprehësh gjithë kualitetin tënd në fushë, duke mos të të kufizuar me detyra të veçanta. Kjo vlen më së shumti për lojtarët e sulmit.

Keni fituar i vetëm një derbi kundër Partizanit. Çfarë ju kujton ajo ndeshje?

E vërteta është se ai derbi është një nga ndeshjet që do të ngelet përjetësisht në mendjen time. U futa si zëvendësues kur rezultati ishte 0-1 për Tiranën dhe shënova dy gola, për të përmbysur rezultatin në 2-1. Është një ndeshje që gjithnjë e kujtoj me nostalgji

Kush e fiton derbin këtë herë dhe cili nga lojtarët ka cilësinë për të vulosur një ndeshje të tillë?

Derbi në çdo situatë mbetet një ndeshje, të cilën nuk e parashikon dot. Ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë një ndeshje me të tria rezultatet brenda. Mendoj se Partizani ka më shumë mundësi për të fituar, por nga ana tjetër nuk do të më pëlqente që Tirana të humbte pikë dhe të rrezikonte rënien nga Kategoria Superiore. Pavarësisht rivalitetit dhe gjithçkaje, ata janë një ndër ekipet më me histori gjithashtu. Po them fitoftë më i miri në fund, por jam i sigurt se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL