EKSKLUZIVE/ Sulmues nga Benini për Dinamon, vendos trajneri Ilir Daja
Dinamo vijon të jetë ende në kërkim të një sulmuesi tjetër, pas largimit të dyshes Zabërgja-Mandela, që kanë lënë një boshllëk të ndjeshëm në këtë repart të rëndësishëm.
Duket se “grepat” janë hedhur sërish jashtë vendit. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se në ekip ka mbërritur një 24- vjeçar që po shihet me kujdes. Bëhet fjalë për sulmuesin Jahia Baparape, i lindur më 19 maj 2001 në Benin, i cili ndodhet prej disa javësh te Dinamo, ku po stërvitet me ekipin U-19.
KARRIERA – Të dhënat për lojtarin nuk janë të shumta, për shkak të vendit nga vjen, Benin, një shtet i vogël afrikan që nuk spikat shumë për futbollin. Ai ka luajtur me klubet Dekedaha FC dhe AS Takunin, ku ka treguar aftësi të mira sulmuese. Përveç eksperiencës në nivel klubesh, Baparape ka qenë pjesë e përfaqësueseve të Beninit U-20 dhe U-23, duke mbrojtur ngjyrat e vendit të tij në konkurrenca ndërkombëtare. Tek Dinamo, këtë periudhë Baparape po shfaq një lojë të qëndrueshme dhe përqendrim gjatë stërvitjeve. Ai është një lojtar polivalent, i cili mund të aktivizohet në të dy krahët e sulmit, por edhe në majë të tij, gjë që e bën një opsion fleksibël për stafin teknik. Kjo aftësi i jep Dinamos mundësinë për ta përdorur në disa role, sipas nevojës taktike të skuadrës.
VENDOS DAJA Megjithatë, vendimi për ta integruar futbollistin në skuadrën e parë nuk është marrë ende. Trajneri Ilir Daja nuk ka mundur ta ndjekë nga afër gjatë këtyre javëve për shkak të angazhimeve të shumta të Dinamos në kompeticionet europiane. Klubi nuk dëshiron të nxitojë dhe po pret miratimin e tij për të marrë një vendim përfundimtar. Sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit janë të kënaqur me përparimin e Baparape dhe shpresojnë se ai mund të rezultojë një “bingo” i ngjashëm me transferimin e Mandelës, duke sjellë shpejtësi, kreativitet dhe alternativa në repartin ofensiv. Futbollisti vazhdon të ndjekë me kujdes udhëzimet e stafit teknik, duke u përpjekur të përshtatet me ritmin e ekipit dhe me mënyrën e lojës së Dinamos. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Jahia Baparape mund të bëhet një nga përforcimet e rëndësishme të Dinamos për sezonin e ardhshëm, duke shtuar konkurrencë dhe opsione në sulm.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













