EKSKLUZIVE/ Shitet logoja e Flamurtarit, sa vlen klubi vlonjat… Çështja e privatizimit do të jetë punë urgjente
Flamurtari kushton gati 7 milionë euro. Shifra zbulohet zyrtarisht për “Panorama Sport”, nga burime pranë Bashkisë së Vlorës. Mësohet se ka përfunduar vlerësimi i të gjithë aktivitetit të Klubit të Futbollit “Flamurtari” dhe i gjithë materiali i është dorëzuar Bashkisë së Vlorës dhe drejtuesve aktualë të klubit që e kanë në administrim aktivitetin e tij.
Bashkia i besoi vlerësimin një prej ekonomistëve më të mirë të vendit, Arqile Mishtakut. Ky i fundit jo vetëm është një njohës i mirë i ekonomisë dhe financave, por edhe njohës i aktivitetit të Flamurtarit pasi në kohën kur president ishte Shpëtim Gjika, ishte nën kryetar i Bashkisë së Vlorës dhe pjesë e bordit të klubit.
ASETET NUK SHITEN – Në një kohë që ka përfunduar vlerësimi i aktivitetit të klubit bashkë me situatën financiare, në shitje, kur të vijë çështja e privatizimit do të jetë vetëm aktiviteti i klubit, logo e tij. Procesi i shitjes së aksioneve nuk ka të bëjë me shitje asetesh, si prona, terrene, ndërtesa etj. Kujtojmë këtu se për të saktësuar përfundimisht autoritetin kompetent, i cili ka të drejtë të shesë aksionet e shoqërisë, në muajin shkurt 2016, Bashkia Vlorë i është drejtuar me shkresë Ministrisë së Ekonomisë dhe ka marrë përgjigje se autoriteti, i cili mund të kryejë shitjen, është vetë përfaqësuesi i shoqërisë, bazuar në ligjet ‘Për ankandin’ dhe ‘Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare’. Pas kësaj përgjigjeje bashkisë i është hapur rruga për të vazhduar më tej procesin e nisur.
PRIVATIZIMI DHE KONSULTIMET – Procesi i privatizimit të Flamurtarit në fakt është shumë i vonuar. Megjithatë kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha është shumë i interesuar për ta përmbyllur sa më shpejt. “Panorama Sport”, mëson se kryebashkiaku ka kërkuar nga administrata të përshpejtojë punën dhe të hapë ankandin ku në garë kanë të drejtën të hyjnë shumë kompani apo biznesmenë të interesuar. Kuptohet që kompanitë turke që kanë aktualisht klubin në administrim janë më të favorizuara për shkak edhe të investimeve në këto vite. Megjithatë mbetet gjithmonë për t’u parë. Gjatë kësaj periudhe, ashtu siç është pasqyruar edhe më parë, janë marrë konsultime me publikun dhe janë zhvilluar sondazhe të ndryshme në lidhje me pjesën e kuotave që mund të shiten. Duhet theksuar se procesi i shitjes së aksioneve ka të bëjë me procesin e shitjes së një të drejte për pjesëmarrje në aktivitete sportive dhe përfitimet përkatëse që rrjedhin nga kjo, procesin e shitjes së emrit të klubit dhe të gjithë atë që ky emër përfaqëson.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













