EKSKLUZIVE/ “Shehi dhe Veselinoviç ishin të preferuarit e mi”, Taipi: Doja qëndrimin, ja pse u ndava me Partizanin (E PLOTË)
Një nga largimet më të rëndësishme të Partizanit deri më tani në këtë verë, ishte ai i Gjelbrim Taipit. Mesfushorit i skadoi kontrata dhe rinovimi nuk ndodhi, teksa tashmë është lojtar i lirë.
Pas pushimeve, 31-vjeçari pritet të gjejë një tjetër klub. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Taipi flet për dy vitet e kaluara te Partizani, prapaskenat e largimit, betejat më të vështira dhe më të bukura, si dhe trajnerët e tij të preferuar.
Pse vendosët të largoheshit nga Partizani? Mendoni se kishit ende për të dhënë për klubin?
Të them të drejtën, nuk kishte ndonjë problem mes nesh, por thjesht nuk ramë dakord për kushtet ekonomike. Klubi më ofroi një kontratë të re, por mua nuk m’u duk e përshtatshme dhe vendosëm që të ndanim rrugët. Kjo ishte e gjitha. Normalisht, përderisa unë arrita t’i luaj të gjitha ndeshjet përgjatë dy sezoneve, mendoj se kisha ende mundësi të kontribuoja te skuadra e Partizanit. Gjithsesi, tashmë gjithçka i përket të shkuarës.
Si e konsideroni këtë eksperiencë dyvjeçare me Partizanin?
Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. Sigurisht, me uljet dhe ngritjet e veta, por mund të them se kam kaluar shumë mirë. Partizani është një klub shumë i organizuar, shumë profesionist dhe të bën të ndihesh tamam futbollist.
Cili është “pengu” më i madh i këtyre dy viteve?
Keqardhja më e madhe e këtyre dy viteve kanë qenë dy ndeshjet me Astanën. Na mungoi vetëm një gol për t’u kualifikuar në grupe.
Po ndeshja që do ta kujtoni më së shumti si më të bukurën?
Ndeshja më e bukur mund të them se ishte ajo në Ligën e Konferencës kundër Valmierës në përballjen e parë në Letoni (10 gusht 2023), kur brenda pjesës së dytë arritëm të kthejmë rezultatin nga 1-0 për ata, në 1-2 për ne.
A prisnit që sezoni i fundit të shkonte më mirë? Cili ishte problemi i këtij Partizani?
Për hir të së vërtetës, pritshmëritë ishin shumë të mëdhaja, duke e ditur se kishim një superekip, deri në muajin janar ishim në vendin e parë dhe kisha shumë besim se do t’ia dilnim, por futbolli i ka këto. Tranzicioni, shitja e futbollistëve e të tjera. Gjithsesi, ne ngelëm brenda objektivave, Partizani do të luajë në Europë dhe i dëshiroj shumë suksese.
Çfarë prisni në ndeshjet e Europës, sa larg mund të shkojnë?
Mendoj se Partizani do të ketë sukses në Europë, sepse i ka të gjitha mundësitë. Në këto ndeshje dhe në short duhet edhe pak fat me vete.
Keni ndërruar disa trajnerë përgjatë këtyre dy viteve, me cilin prej tyre u përshtatët më shumë?
Trajnerët që u përshtatën më së shumti me cilësitë e mia, ishin Shehi dhe Veselinoviç. Mund të përmend edhe Zoran Zekiç, por ai qëndroi vetëm një muaj dhe nuk patëm mundësi të lidheshim sa duhet.
Ku do të vijojë e ardhmja juaj? Do të qëndroni në Superiore?
Për momentin, jam me pushime me familjen, por nuk është se kam ndonjë preferencë të veçantë se ku do të vazhdoj karrierën. Ku do të jetë më mirë për mua dhe familjen time, aty do të shkoj
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













