EKSKLUZIVE/ Rrufe në qiell të hapur, Flamurtarin e “braktis” lideri që ishte pjesë e suksesit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2025 | 23:40

EKSKLUZIVE/ Rrufe në qiell të hapur, Flamurtarin e “braktis” lideri që ishte pjesë e suksesit (E PLOTË)

Idriz Batha largohet pa pritur nga Flamurtari. “Panorama Sport” zbulon lajmin ekskluzivisht, ndërsa mesfushori nuk ka udhëtuar drejt Turqisë me pjesën tjetër të skuadrës. Largimi i gjirokastritit nga kuqezinjtë vjen si një rrufe në qiell të hapur.

flamurtari

33-vjeçari ishte në kontratë me vlonjatët edhe për një sezon. Madje, ishte ndër të parët që iu bashkua skuadrës në nisjen e përgatitjeve në Vlorë. Për Bathën kjo ishte aventura e dytë te Flamurtari, ndërsa për herë të parë u vesh kuqezi në sezonin 2018-2019. Ai u rikthye në janar 2024, duke sakrifikuar për të luajtur në dy sezone në Kategorinë e Parë. Me ringjitjen e Flamurtarit në Superligë, për Bathën është realizuar edhe misioni i tij personal.

Mesfushori që 12 vite më parë ka qenë pjesë e Kombëtares U21, është një lojtar me eksperiencë dhe njohës i mirë i kampionatit shqiptar. Gjatë karrierës së tij ka luajtur për shumë ekipe të njohura si për Partizanin, Besën, Teutën dhe Tiranën. Jashtë vendit ka pasur aventura tek UTA Arad dhe Al Najma. Mbeten të paqarta arsyet e largimit të Bathës nga Flamurtari.

ÇFARË THA NJË MUAJ MË PARË- Pak më shumë se një muaj më parë, pikërisht më 18 qershor, në intervistën e fundit dhënë për “Panorama Sport”, Idriz Batha konfirmonte qëndrimin te Flamurtari. Madje, ai do të shprehej se me vlonjatët i lidhte respekti. “Unë jam në kontratë me Flamurtarin edhe për këtë sezon.

Por me presidentin dhe me Flamurtarin nuk më mban lidhur vetëm një copë letër, por respekti mbi të gjitha. Rikthimi te Flamurtari ishte emocionues, por sigurisht edhe me përgjegjësi më të madhe sepse Flamurtari kishte detyrimin për t’u rikthyer atje ku i takon. E theksoj që ishte një rikthimi i bukur”, do të deklaronte Batha.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL