EKSKLUZIVE/ Rrëfim unik i Morieros: Futbolli shqiptar nënvlerësohet, ja tri rregullat e mia dhe si e rilinda Laçin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2025 | 11:29

EKSKLUZIVE/ Rrëfim unik i Morieros: Futbolli shqiptar nënvlerësohet, ja tri rregullat e mia dhe si e rilinda Laçin (E PLOTË)

Në Superiore kanë “zbarkuar” vazhdimisht emra prestigjiozë nga jashtë Shqipërisë, më së shumti nga Italia fqinje.

WhatsApp Image 2025-02-16 at 11.38.20

Pak prej tyre kanë lënë gjurmë me ekipet që kanë drejtuar në futbollin shqiptar, ndërsa ai që po e thyen këtë “tabu”, të paktën deri tani, është Françesko Moriero. Italiani po impresionon me Laçin, me rezultate dhe me një futboll sulmues e argëtues.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-lojtari i Interit të artë të Ronaldo “Fenomenit”, rrëfen si i rilindi kurbinasit, filozofinë e tij si trajner dhe jetën në Shqipëri, ku vjen pas eksperiencës ekzotike me kombëtaren e Maldiveve. Moriero thekson mes të tjerash se futbolli shqiptar ka talente dhe se është i nënvlerësuar.

Mister, prej disa muajsh jetoni në Shqipëri, si jeni ndier?

Jam ndier shumë mirë, sepse më kanë pritur si një njeri të familjes. Kisha qenë më parë në Shqipëri, më pëlqen këtu. Erdha në një moment të vështirë për klubin e Laçit. U përshtata menjëherë, pasi, siç e thashë, më pritën shumë mirë. E pranova këtë situatë, duke ditur që prapa meje është një klub i rëndësishëm. Rezultatet erdhën, falë Zotit, dhe kjo na lejoi të punojmë më qetësisht. Eksperienca deri tani është mjaft pozitive. Tirana më pëlqen shumë.

Pranuat të drejtoni një skuadër, që për një fazë mori vetëm 3 pikë. Çfarë ndryshuat, çfarë bëtë fillimisht që Laçi u transformua?

Kur merr drejtimin e një skuadre në një kampionat që ka nisur, është shumë i rëndësishëm impakti i parë. Fola me djemtë dhe u thashë që në fillim: kush nuk vrapon, nuk luan. Ata duhet të harronin gjithçka që kishin bërë më parë, erdhi një trajner i ri, një kulturë tjetër, që është ajo e punës. Besoj shumë te puna. Nëse do të arrish rezultate, si në jetë, ashtu edhe në futboll, duhet të punosh fort. I thashë ekipit se futbolli për mua është diçka shumë serioze, jo një hobi. Është një sakrificë. Gradualisht punuam edhe taktikisht, djemtë i përqafuan idetë e mia. Deri tani jemi “paguar” për punën dhe sakrificën tonë.

Tani pikët janë, por Laçi bën edhe një lojë vërtet argëtuese. Cili është “sekreti”?

Unë vendosa disa rregulla. E para: mos u dorëzo kurrë. E dyta: mos gjej kurrë alibi. E treta dhe më e rëndësishmja: duhet të vraposh. Pak nga pak u njohëm dhe për mua pikët nuk janë asnjëherë shumë. Nuk e shoh kurrë renditjen, nuk e pashë kur erdha dhe nuk e shoh as tani. Kampionati është i ekuilibruar dhe nuk të lejon ta ulësh vigjilencën. Duhet përqendrim, të luash sikur të jetë “ndeshja e jetës”. Ka qenë gjithmonë kështu për Laçin që kur erdha. Nëse nuk fiton, apo nuk merr një pikë, e sheh veten në “ferr”. Djemve u thashë: “ferrin” e patë, tani po shohim pak dritë. Duhet të shohim sa më lart, i kujtoj fytyrat e tyre kur erdha dhe nuk dua t’i shoh më ashtu.

Trajnerët italianë njihen për lojën mbrojtëse, kurse ju luani në sulm. Është filozofia juaj apo janë lojtarët që përshtaten?

Për të arritur diçka, duhen lojtarët me ato karakteristika. Lojtarët pastaj duhet të futen në kulturën e trajnerit, sepse nuk është e thënë që po të kesh lojtarë të mirë, i fiton të gjitha ndeshjet. Kultura ime është dominimi i ndeshjes, si në lojën mbrojtëse, ashtu edhe sulmuese. Diferencën, sipas meje, e bën gjithmonë kualiteti i lojtarëve. Ti mund të sulmosh dhe humb 10 gola apo të mbrohesh dhe pëson 1 gol, siç ka ndodhur. Për të dominuar ndeshjen, duhet të dish të sulmosh, por mbi të gjitha duhet të dish të mbrohesh, sepse ka një kundërshtar përballë, nuk luan vetëm.

Ndonjë lojtar i veçantë, tek i cili u mbështetët më shumë?

Jo, i trajtoj të gjithë njësoj. Kur erdha, ndërrova shpesh shiritin e kapitenit, jo se nuk e dija se kush ishin më ekspertët, por mendoj se çdo lojtar duhet të jetë kapiten i vetes. Të gjithë lojtarët, nga më i madhi te më i vogli, u treguan të gatshëm. Pastaj ka ndonjë me më shumë eksperiencë që i kupton më mirë situatat, edhe psikologjikisht. Edhe të rinjtë janë të rëndësishëm dhe duhet të rriten. Kur erdha askush nuk i njihte dhe jo për meritën time, por për meritën e tyre, sepse gjithçka është meritë e tyre, tani të gjithë pyesin për ta. Edhe nga Italia më telefonojnë dhe më pyesin për lojtarët. Këtë i them ekipit: kur punon, ke mundësi të bësh hapin e madh. Te Laçi tani nuk mjafton 100%, duhet të japësh 200%. Është skuadër e re, por me zëmër.WhatsApp Image 2025-02-16 at 11.39.39 (2)

Tani po hyjmë në fazën finale të sezonit. Si e mendoni?

Të them të drejtën, mendojmë ndeshje pas ndeshje. Nuk kemi privilegjin të mendojmë për Kupën, sepse përpara kemi dy ndeshje dhe aty vendoset, nëse mbetesh në “ferr”, apo del në dritë. Duhet gjithmonë dëshirë për fitore dhe asnjëherë frikë nga humbja. Kjo bën diferencën e një lojtari normal me një kampion të madh. Kampioni nuk ka kurrë frikë nga humbja dhe fiton. Ndeshja me Teutën është nga më të rëndësishmet. Kush ka hyrë në projektin tonë, duhet të jetë në lartësinë e duhur.

Ka një tabu të trajnerëve italianë këtu. Iuliano dhe Di Biaxho, për shembull, nuk kanë lënë gjurmë, kurse ju keni një ekip mjaft simpatik për të parë…

Nuk e di çfarë problemesh kanë pasur ata. Kanë pasur karrierë si lojtarë. Unë mendoj se një trajner të zotin e bëjnë lojtarët. Mund të jesh trajner i mirë, por nëse nuk ke lojtarë të mirë, has vështirësi. Është diçka komplekse. Trajneri duhet të njohë modulet e lojës, të ketë idetë e tij, të njohë jetën e lojtarëve. Ata kanë fatin e mirë apo të keq, që atë që mendojnë, unë e kam menduar dhe e kam bërë më parë. Vetëm mund të jap këshilla, në fund janë lojtarët që shkojnë në fushë.

Si ju duket kampionati ynë, ka ndonjë lojtar që ju ka rënë në sy?

Në futbollin shqiptar ka talente, ka djem të talentuar, ua them të gjithëve. Pastaj talenti duhet të bashkohet me kulturën e trajnerit. Emra nuk preferoj të përmend, por i di disa. Ndoshta futbolli shqiptar nënvlerësohet, tani po ndryshon pozitivisht. Unë dua që ekipi të mbulojë gjithë fushë, lojtarët të hyjnë në driblim, por shoh që edhe skuadra e tjera e bëjnë këtë. Kjo është rruga e duhur.

Një kontrast i fortë për ju, nga Maldivet në Shqipëri…

E nisa karrierën si trajner në 2005-ën, në Bregun e Fildishtë. Eksperiencën e parë e kam jashtë Italisë, nuk kam pasur kurrë frikë. Kam pasur eksperienca pozitive dhe negative në Itali, kështu e ka trajneri. Kam trajnuar na Zvicër dhe në Maldive, kam shëtitur botën dhe më pëlqen të mësoj futbollin. Në Maldive kalova dy vite të bukura, një ambient ndryshe. Gjeta lojtarë të mirë, edhe pse është një treg ndryshe nga ai europian. Luajtëm ndeshje të mira. Më parë Maldivet humbnin 10-0, ne arritëm deri te humbja 1-0 me një gol të pësuar me goditje dënimi dhe shumë raste të humbura.

Ju jetoni vetëm në Tiranë, ju mungon familja?

Po, jetoj vetëm këtu afër (Don Bosko). Familja ka ardhur disa herë, por është mësuar, sepse jeta ime, jeta e trajnerit, ka qenë si ajo e një “cigani”, në lëvizje. Më mungon ngrohtësia e fëmijëve, kam tre. Por Tirana është shumë afër me Italinë, vetëm 30 minuta, jo si në Maldive, 12 orë udhëtim.

Keni bërë miq të rinj këtu?

Po, patjetër. Këta janë familja ime, të gjithë ata që janë te Laçi. Më duan dhe i dua, ndihem si në shtëpi. Jam një njeri që jetoj me entuziazëm. Jeta e trajnerit është shumë e veçantë, gjithmonë vetëm, por duhet të dish ta jetosh. Kur humb, fytyrën e vë trajneri, kur fitojmë, fitojmë të gjithë. Jo të gjithë e pranojnë këtë.

Me kolegët e skuadrave të tjera, keni pasur ndonjë kontakt?

Po, me atë të Partizanit. Ai është treguar shumë i sjellshëm, para ndeshjes së kampionatit më solli një shishe verë nga vendi i tij. E pranova me kënaqësi, do të thotë vlerësim.

Keni mësuar ndonjë fjalë shqip?

Jo, nuk jam i zoti me fjalët. Këtu më thonë të gjithë se unë di shqip, sepse kuptoj situatat.

Diçka nga kultura shqiptare, gastronomia…

Këtu jemi në rregull për çdo gjë me presidentin. Kemi restorantin tonë, ai kujdeset shumë për këto detaje. Kultura pastaj është shumë e ngjashme me atë të jugut të Italisë. Jam vërtet si në shtëpi.

Kjo eksperiencë pozitive mund t’ju ndihmojë për diçka më mirë në të ardhmen?

Për mua Laçi është skuadër e rëndësishme. Secili nga ne ka objektiva, është normale, nuk gënjej, është pjesë e jetës dhe sportit. Unë dua të bëhem edhe trajner i Italisë. Dikush thotë se është e pamundur, por objektivi është maksimal. E kam nisur futbollin te Leçe dhe 17 vjeç shkova në kombëtare. Duhet një objektiv konkret në jetë.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL