EKSKLUZIVE/ Refuzon ofertën nga Rusia, sulmuesi i Tiranës drejt Kroacisë
Ualid Zharmuni ka refuzuar një ofertë nga Rusia. Më saktë ka qenë skuadra e FC Soçit që militon në Kategorinë e Parë, e cila ka dashur të blejë francezin për rreth 350 mijë euro.

Në fillim, Zharmuni ka thënë po, ndërsa më pas është tërhequr, pikërisht në momentin e firmës. Klubi Tirana ka edhe një ofertë nga Suedia dhe Hajduku i Splitit. 25-vjeçari ishte golashënuesi kryesor i Tiranës, ndërsa “Panorama Sport” mëson se klubi kroat ka shfaqur interes për shërbimet e tij. Më saktë, palët kanë mbyllur në parim transferimin në Kroaci.
Gjithsesi, ende nuk ka një vendim final. Te bardheblutë, nuk donin ta shisnin sulmuesin pa të paktën 400-450 mijë euro dhe kjo kishte bllokuar një lëvizje të tij në një skuadër tjetër, por duket se 26 herë kampionët janë dorëzuar dhe do ta lëshojnë për 200-300 mijë euro.
Francezi shënoi 13 gola në kampionat, ku dhe asistoi dy të tjerë. Vlera në “Transfermarkt” e Zharmunit është 350 mijë euro, shifër kjo që është më e larta në skuadrën e kryeqytetasve. Më parë, francezi ka spikatur me golat e tij te Progres Niederkorn në Luksemburg. Karriera e tij ndërkohë ka filluar në Francë, ku luajti rreth 5 vite. Edhe Mahamadu Dembele kërkohet në Austri, Turqi, si dhe ka interesim nga skuadrat skandinave. Vlera e Dembelesë shkon në 250 mijë euro.
PANORAMASPORT.AL













