EKSKLUZIVE/ “Puna e Dajës u pa në Ligën e Konferencës”, Maliqi: Dinamo e ka në ADN, titulli para Europës
Bekim Maliqi ka arritur të blindojë vendin e tij në formacionin titullar të Ilir Dajës, duke qenë kështu protagonist me blutë.
Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Dinamos shprehet i lumtur me paraqitjet e tij personale, por shton se në këtë moment, është më e rëndësishme ajo që skuadra do të arrijë sesa objketivat personalë. Sa i përket titullit, Maliqi shprehet se nuk është një objektiv që iu jep presion, madje i motivon për vetë historinë.
Bekim, je rikthyer si titullar në të djathtë të mbrojtjes. Si ndihesh?
Normalisht ndihem shumë mirë. Çdo futbollist ka për qëllim të luajë sa më shumë dhe të japë maksimumin për skuadrën. Rikthimi si titullar më jep vetëbesim, por edhe përgjegjësi për të vazhduar me të njëjtin ritëm. E ndiej veten në formë dhe i motivuar të kontribuoj në çdo ndeshje.
A është ky sezoni yt më i mirë në aspektin personal?
Për të qenë i sinqertë, nuk është momenti të mendoj për aspektin personal. Fokusin e kemi të gjithë tek puna në grup dhe tek objektivat e klubit. Kur ekipi ecën mirë dhe kur secili jep maksimumin për skuadrën, atëherë edhe aspekti personal vjen vetë në fund të sezonit. Prandaj, për mua më e rëndësishme është që Dinamo të arrijë sukseset që meriton.
Deri në këtë pikë të kampionatit, ndaj cilit futbollist ke hasur më shumë vështirësi?
Ne si skuadër mbajmë shumë topin dhe menaxhojmë ritmin e lojës, ndaj nuk kam hasur shumë vështirësi në përgjithësi. Megjithatë, nëse duhet të veçoj dikë, do të përmendja Lorenc Trashin në ndeshjen e fundit. Është një lojtar me shumë cilësi dhe sigurisht që të vendos në provë.
Sa kanë ndikuar dy fitoret e fundit në moralin dhe besimin e skuadrës?
Fitorja gjithmonë të jep energji pozitive. Dy ndeshjet e fundit na kanë forcuar besimin dhe e kanë rritur atmosferën brenda grupit. Po ecim me filozofinë e marrjes së ndeshjeve një nga një, pa nënvlerësuar ose mbi-vlerësuar asnjë kundërshtar. Gara është e ngjeshur dhe çdo pikë ka peshë, ndaj këto fitore na japin qetësi dhe motivim për të vazhduar në të njëjtën linjë.
A shikon ndonjë skuadër, rivale deri në fund për titullin?
Në këtë kampionat pothuajse të gjitha ekipet janë rivale direkte. Superiorja këtë sezon është shumë e fortë dhe e balancuar. Ne do të shohim vetëm rrugën tonë, do të luftojmë në çdo ndeshje dhe do të përqendrohemi tek vetja e të qëndrojmë në garë deri në fund.
Çfarë ka ndryshe kjo Dinamo nga ajo e sezonit të kaluar?
Edhe pse kemi disa mungesa të rëndësishme si Zabergja dhe Itodo, këtë vit mendoj se jemi një grup më i kompletuar dhe më i balancuar. Po presim rikthimin e Alijit dhe rikuperimin e plotë të Ditës, që do të na japin edhe më shumë alternativa. Atmosfera është pozitive, konkurrenca e brendshme është e shëndetshme dhe çdo lojtar ndihet pjesë e projektit.
Krahasuar me trajnerët që ke pasur më herët, çfarë e veçon Ilir Dajën?
Trajneri Daja dallohet për ritmin e lartë të punës, vëmendjen ndaj detajeve dhe analizat e imta që bën. Taktikisht është shumë i qartë dhe kërkon që gjithçka të zbatohet me disiplinë. Ndryshimet që ka sjellë shihen qartë si në kampionat, ashtu edhe në ndeshjet europiane. Është një trajner që të bën të rritesh çdo ditë.
A ndjeni presion duke qenë se te Dinamo përmendet shpesh titulli?
Jo, nuk e ndjejmë si presion. Dinamo është klub me histori, 18 herë kampion, dhe kur vesh këtë fanellë e di shumë mirë se çfarë përfaqëson. Objektivi i titullit është pjesë e ADN-së së klubit. Ne jemi përgatitur që ditën e parë për të përballuar këtë peshë dhe për ta kthyer në motiv.
Nëse do të zgjidhje mes titullit kampion dhe fazës së grupeve në Europë, cilin do të preferoje?
Do të zgjidhja titullin kampion. Fitimi i kampionatit është ëndrra e çdo lojtari dhe i jep klubit jo vetëm lavdi, por edhe një rrugë më të lehtë për të arritur në grupet e Europës. Mendoj se titulli do të ishte shpërblimi më i madh për gjithë punën që kemi bërë.
Të dielën luani kundër Egnatias. Çfarë pret nga kjo ndeshje?
Mendoj që jemi dy ekipet që luajnë futbollin më të bukur në kampionat. Do të jetë një ndeshje e fortë, e balancuar dhe e vendosur nga detajet. Një reklamë e shkëlqyer për Superioren dhe për futbollin shqiptar. Ftoj të gjithë tifozët dhe futbolldashësit të jenë në stadium të dielën, sepse pres një përballje të luftuar dhe cilësore.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













