EKSKLUZIVE/ Pas Da Silvas dhe Garsias, gati largimi i dy lojtarëve të tjerë nga Partizani! Përfiton klubi shqiptar
Partizanit mund t’i largohen dy lojtarë të tjerë gjatë këtij muaji. Bëhet fjalë për Skandër Tahrin dhe Amdi Diallon, që ka gjasa të huazohen te Luftëtari. “Panorama Sport” mëson se klubi i Kategorisë së Parë është i interesuar për shërbimet e dy lojtarëve, që do të shtonin forcat në pjesën e mbetur të sezonit. Ekipi i parë dhe ai B do të humbiste shërbimet e dy lojtarëve, të cilët janë fryt i akademisë.

TAHRI- Partizani e afroi 21- vjeçarin nga moshat. Portieri mbahet mend për ndeshjen e Final Four ndaj Dinamos, që u fitua në “Elbasan Arena”. Këtë sezon nuk ka pasur minuta për të, pasi janë preferuar vetëm Qirko dhe Hoxha. Në anën tjetër numëron vetëm një paraqitje me ekipin B ku portier i parë është Endri Allmuça. Luftëtari shikohet kështu si mundësia e duhur, për të fituar eksperiencë në pjesën e dytë të sezonit. Po ashtu Tahri duhet të tregojë veten siç bënte tek akademia, pasi vetëm kështu mund të mbetet në projektin e ekipit të parë për sezonin tjetër.
DIALLO- Te Partizani B është një mbrojtës qendre, që u afrua në edicionin e kaluar te moshat e Partizanit dhe spikati. Amdi Diallo është vetëm 19 vjeç dhe akoma nuk ka pasur mundësinë e tij tek ekipi i parë. Kjo pasi luan në qendër të mbrojtjes. Një pozicion ky ku Partizani shfaq alternativa mjaftueshëm. Me ekipin B numëron shtatë paraqitje dhe një gol për këtë edicion. Po ashtu ka luajtur edhe me ekipin U-19 në të njëjtën kohë. Senegalezi do të largohej nga Kategoria e Dytë, për t’u testuar në një nivel më të lartë.
HUAZIMET- Partizani i konsideroi si opsion huazimet edhe në merkaton e verës. Në fund nuk pati ndonjë konkretizim, ndërsa klubi e mbajti ekipin e plotë dhe të paprekur. Kjo ishte mënyra për të përballur dëmtimet, dhe po ashtu që ekipit B të mos i mungonin alternativat. Te Partizani janë aktivizuar 34 lojtarë, që nga muaji korrik kur u luajtën dy ndeshjet e Europës. Asnjë klub tjetër në Superiore nuk regjistron një shifër të tillë. Deri tani largimet e vetme të konfirmuara janë Xhudah Garsia dhe Viktor Da Silva.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













