EKSKLUZIVE/ Partizani “blindon” krahun, akord me kilianin që ka luajtur me përfaqësuesen
Aleks Ibakaçe mund të jetë goditja “big” e Partizanit për pjesën e mbetur të sezonit. Edhe pse merkato e dimrit është mbyllur në fund të muajit janar, 27-vjeçari nga Kili, pritet t’iu bashkohet të kuqve duke u regjistruar fillimisht tek ekipi B që militon në Kategorinë e Dytë.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se palët kanë arritur një pëlqim paraprak dhe në qoftë se marrëveshja finalizohet atëherë Shqipëria pritet të bëhet aventura e parë Europiane për mbrojtësin e majtë kilian. Ibakaçe disponon një CV të kënaqshme, teksa së fundmi ishte pjesë e Belgranos në elitën e futbollit argjentinas. 27-vjeçari prej dy javësh ka dalë si futbollist i lirë, ndërkohë që Shqipëria shikohet si një trampolinë për të bërë kapërcimin në futbollin Europian.
Përveç Belgranos, mbrojtësi në të kaluarën është aktivizuar edhe me klube elitare në Kili, si Everton, Kuriko Unido, Kobreola si dhe San Lorenco në Argjentinë. Ai numëron plot 115 paraqitje në elitën e futbollit kilian, ku ka shënuar 2 gola dhe ka dhuruar 2 asiste.
Në vitin 2022, Ibakaçe ka qenë pjesë edhe e kombëtares së Kilit, ku është aktivizuar në 2 takime. Gjithashtu ai numëron 3 paraqitje me Kombëtaren U23 dhe 10 me Kombëtaren U20. Në vitin 2023 klubi argjentinas i San Lorencos, pagoi 120 mijë euro, për të siguruar transferimin e tij nga radhët e Everton. Me transferimin e Ibakaçes, “Demat e Kuq” do të blindonin krahun e majtë të mbrojtjes.
Për kilianin ka shfaqur interes edhe një klub tjetër nga Superiorja, por të kuqtë duken disa hapa para për të finalizuar transferimin. Vlera më e lartë e futbollistit sipas “Transfermarkt” ka qenë në vitin 2022, plot 650 mijë euro, kur ai ishte pjesë e Everton, ndërkohë që tashmë vlen 450 mijë euro.
Futbolli shqiptar nuk është një emër i panjohur për kilianin, pasi vëllai i tij, Lukas Ibakaçe, në të kaluarën ka luajtur në futbollin shqiptar, duke qenë pjesë e Butrintit dhe Maliqit në Kategorinë e Dytë. Në ditët në vijim pritet të vendosen edhe pikat mbi “I”, për sa i përket të ardhmes futbollistit 27-vjeçar.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL













