EKSKLUZIVE/ Momenti i Lajthisë: Luftojmë në dy fronte, jemi një hap larg finales së madhe (E PLOTË)
Mesfushori i Elbasanit, Xhonatan Lajthia, ishte edhe një herë protagonist ndaj Partizanit. Ai realizoi një dopietë në ndeshjen e Kupës që i dha ekipit të tij kualifikimin në gjysmëfinale, duke konfirmuar se është një nga lojtarët më të rrezikshëm për këtë kundërshtar.
Vetëm pak javë më parë, Lajthia kishte shënuar sërish dy gola ndaj të njëjtit rival edhe në kampionat. Pas përfundimit të ndeshjes, mesfushori foli për “Panorama Sport” për rëndësinë e këtij kualifikimi, momentin e mirë që po kalon dhe objektivat e skuadrës në vazhdim të sezonit.
Një tjetër dopietë ndaj Partizanit. Si ndiheni dhe a e prisnit një paraqitje të tillë?
Të them të drejtën ishte një ndeshje ku na duhej vetëm fitorja. Kisha besim se ekipi do të arrinte të shënonte gola, por nuk e dija se kush do t’i realizonte. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë të shënoj edhe një dopietë tjetër ndaj Partizanit dhe të ndihmoj ekipin në një ndeshje kaq të rëndësishme.
Dukeni si një kundërshtar shumë i vështirë për Partizanin. Cili është sekreti ndaj tyre?
Nuk ka asnjë sekret të veçantë. E vetmja gjë është të japësh maksimumin në fushë dhe të luftosh për çdo top për ta fituar ndeshjen. Kur ekipi luan me përqendrim dhe sakrificë, gjërat vijnë natyrshëm.
Sa i rëndësishëm është ky kualifikim në Kupë për Elbasanin?
Ky kualifikim është shumë i rëndësishëm, si për moralin e ekipit ashtu edhe për objektivat që kemi. Tani jemi vetëm një hap larg finales dhe kjo na motivon edhe më shumë për të vazhduar në këtë rrugë.
Cilin kundërshtar do të preferonit në gjysmëfinale?
Në gjysmëfinale gjithçka është në dorën e shortit. Për ne është e njëjtë kushdo që të jetë kundërshtari. Do të përgatitemi maksimalisht dhe do të japim më të mirën kundër çdo ekipi.
Tashmë përpara është ndeshja me Tiranën. Çfarë synoni në atë përballje?
Na pret një ndeshje shumë e rëndësishme për vazhdimësinë në kampionat. Tirana është një kundërshtar i fortë, por ne do të hyjmë në fushë për të marrë fitoren. Kam besim se me përqendrim dhe punë do të arrijmë të dalim fitimtarë.
A mund të pretendojë Elbasani sukses në dy fronte këtë sezon?
Po, patjetër. Ne besojmë te forca e ekipit dhe do të luftojmë deri në fund, si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Objektivi ynë është të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe të shkojmë sa më larg në të dyja garat.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













