EKSKLUZIVE/ Moment i veçantë te Partizani, drejtori Tomori për talentet e ekipit të parë: Djem të veçantë
Genc Tomori, drejtori i akademisë së Partizanit, ishte i pranishëm në Talin. Aty ku Tedi Malaj, Elson Himallari dhe Dion Vata luajtën ndeshjen e parë në Europë, ndërsa të kuqtë barazuan 1 me 1 përballë Kaljus. “Panorama Sport” ka siguruar një intervistë me Tomorin, që shoqëroi nga tribuna tre lojtarë të akademisë së “demave”.

Tre lojtarë që debutuan në Europë nga akademia, ndjesia-
Padyshim është ndjesi e mirë edhe për akademinë e Partizanit. Mos harrojmë që kemi pasur shumë peripeci sa erdhëm deri këtu. Kemi akademi shumë të organizuar. Synimi kryesor është nxjerrja e lojtarëve, edhe klasifikimi që të jetë Partizani tek ekipet dhe akademitë më të mira të Shqipërisë. Vata dhe Himallari janë 16 vjeç, kurse Malaj është më me eksperiencë. Me eksperiencë për të luajtur sepse mosha mund të thuhet se sapo ka mbushur 18 vjeç. Është ndjesi shumë e mirë. Çdo ditë punojmë me këto lojtarë dhe të gjithë, që të kemi një të ardhme. Dhe unë kam kënaqësi, kur lojtarët dalin nga akademia e Partizanit.
Elson Himallari dhe Dion Vata në ekipin U-13, menduat se shkojnë kaq shpejt në skuadrën e parë?
Ishin lojtarë që spikasnin që në atë moshë. Kishin elementë të veçantë, nga U-14, U-15 dhe U-16 që shkuan, treguan vlera që them se janë vlera pozitive. Futbolli nuk mbaron, do punë. Që 16 vjeç, është meritë e lojtarëve, por pa dyshim dhe klubit e trajnerit që dhanë një dorë. Në ekipet e tjera mund edhe mos ta japin. Është përgjegjësi e këtyre lojtarëve, që të punojnë dhe japin më shumë.
Tedi Malaj-
Malaj erdhi 16 vjeç si talent. Pati shumë paraqitje pozitive me ekipin e 17-vjeçarëve dhe 19-vjeçarëve. Po ashtu edhe me ekipin B. Ka eksperiencë më të gjatë. Dhe për Malajn pritet të japë maksimumin dhe të jetë titullar i Partizanit sit ë tjerë.
Elementet që kanë dalluar-
Padyshim i pari është personaliteti që kanë. Cilësitë individuale, si teknike dhe taktike. Kanë qenë lojtarë gjysmë profesionistë për moshën që kanë. Kështu ato treguan, si Vata dhe Himallari ka edhe të tjerë. Dalëngadalë të gjithë shihen tek Akademia dhe marrin maksimumin asaj që japin. Akademia ka edhe shumë elementë të tjerë. Janë 20-30 lojtarë sepse akademia përbëhet vetëm nga ekipe cilësorë. Ka shumë lojtarë, por gjithmonë lojtari do shikohet me ecurinë e vet dhe të moshës. Shumë lojtarë mund ta fillojnë në moshë më të vogël, kanë cilësi të mira, një tjetër që punon ecën. Këtu është puna, trajtimi familjar karshi punës dhe puna me ekipet. Është cikël i gjatë, të arrish nga 13 vjeç deri 18 vjeç , që do shumë punë dhe të mendosh vetëm për futbollin. Të nxjerrësh më të mirën e vetes dhe klubit.
Sfidat e tre lojtarëve, si e shikoni?
Është meritë e tyre që po luajnë. Padyshim edhe e trajnerit Gega, që i ka përfshirë në Europë. Ka parë ecurinë e tyre, cilësinë dhe të ardhmen e lojtarëve. Padyshim një 16-vjeçar ka presion në Europë. Ka presion në kampionat kombëtar po ashtu. Te ky presion, lojtarët e mirë duhet të dalin nga ky presion që të luajnë më mirë, të shfaqin aftësitë më të mira dhe të përshtaten me ekipin e parë.
Hapat e radhës për Malajn, Himallarin dhe Vatën-
Të ardhmen deri tani e shikoj të ndritur. Kjo pastaj është nga puna e këtyre të treve dhe stërvitja këtu, që të ngrejnë cilësitë e tyre dhe të arrijnë rezultate më të larta. Ata janë lojtarë edhe të ekipeve kombëtare të moshave. Ajo të jetë një plus, që të japin më shumë te Partizani, që të jenë në sy edhe të ekipin kombëtar dhe Partizanit.
Mesazhi për të tjerët në akademi-
Padyshim futja e këtyre lojtarëve në këtë moshë, është impuls për të tjerët. Te Partizani kush punon dhe stërvitet mirë, çdo lojtar i akademisë Partizani e ka një vend për të treguar veten.
Filozofia dhe struktura e akademisë së Partizanit-
Është bërë një punë e mirë dhe në përzgjedhjen e lojtarëve. Ne kemi menaxherë, që punojnë vetëm për akademinë. Që marrin lojtarët më cilësorë të të gjithë grupmoshave, kjo është zgjedhje më e mirë se për lojtarët që vijnë në provë. Këto janë përzgjedhje gjatë gjithë vitit, edhe merren lojtarët.
Ndjesia e familjarëve, keni kontakt me ta?
Padyshim për çdo familje është krenari që një lojtar 16-vjeçar të luajë me ekipin e parë të Partizanit. E kam ndjesi edhe vetë sepse kam luajtur 18 vjeç te Partizani. Dhe e di atë ndjesi të familjes, nuk kam kontakt me familjet e tyre, por është krenari e madhe dhe për klubin.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













