EKSKLUZIVE/ Mehmeti: Partizani tani me mentalitet fituesi, meritë e stafit. Çfarë mendoj për rikthimin e Shehit te Tirana (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2026 | 21:55

EKSKLUZIVE/ Mehmeti: Partizani tani me mentalitet fituesi, meritë e stafit. Çfarë mendoj për rikthimin e Shehit te Tirana (E PLOTË)

Dritan Mehmeti, ish-trajneri i Partizanit, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli mbi shumë tema që prekin sezonin e të kuqve deri në këtë moment. Mehmeti theksoi se kryeqytetasit duhet ta shfrytëzojnë këtë moment pozitiv që po kalojnë dhe ta kthejnë në favorin e tyre për të marrë maksimumin në ndeshjet e radhës dhe për të arritur objektivat sezonal.

Dritan-Mehmeti-e1660039928102

Ndër të tjera, Mehmeti vlerësoi edhe afrimet e merkatos së janarit, duke u shprehur se emra si Qaka dhe Sidibe kanë rritur kualitetin dhe konkurrencën në organikën e Partizanit. Sakaq, në fund Mehmeti tha se rikthimi i trajnerit Orges Shehi te Tirana do t’i japë bardhebluve më shumë besim për të mbijetuar në elitë.

Partizani duket se ka kthyer fatet e sezonit në favorin e tij, cili është sekreti i këtij suksesi të të kuqve së fundmi?

Mendoj se Partizani e ka kthyer situatën në favor për shumë faktorë, ku një nga faktorët kryesorë është qetësia brenda grupit, si dhe ndarja e përgjegjësive, zgjedhja e drejtorit të ri Agim Ibraimi dhe sidomos elementët në merkaton e janarit që kanë qenë të goditura dhe kanë bërë diferencën, duke bërë që skuadra të rritet jo vetëm prej cilësisë, por edhe prej konkurrencës brenda skuadrës. Këta faktorë kanë ndihmuar që skuadra tashmë ta ketë fatin në duart e veta, ku duhet të respektojë veten dhe besoj që tanimë është në luftën për të dyja frontet, sepse e ka të gjithë kualitetin që të jetë e denjë dhe për të garuar në kampionat dhe Kupë.

Në aspektin taktik, cili mendoni se është elementi që është përmirësuar më shumë krahasuar me pjesën e parë të kampionatit?

Mendoj se shumë ka ndikuar ndërhyrja në merkato dhe afrimi i elementëve të duhur, rritja e konkurrencës brenda skuadrës. Por theksoj edhe njëherë elementët e afruar në merkaton e janarit që po bëjnë diferencën, siç janë Qaka, Sidibe apo edhe Shabani. Mendoj se i kanë dhënë një impuls tjetër skuadrës, jo vetëm për kualitetin dhe cilësinë e lojës, por edhe për konkurrencën brenda skuadrës dhe kjo është një nga faktorët kryesorë që skuadra është përmirësuar në rezultate, por ka edhe një rritje progresive të interpretimit të nivelit të lojës.

A mendoni se tashmë Partizani ka gjetur identitetin dhe filozofinë e munguar në fillimin e kampionatit?

Mendoj se ekipi është në rrugën e duhur dhe është drejt gjetjes së filozofisë së duhur, ku mendoj këtu për të gjithë komponentët, duke nisur nga strukturat e klubit, stafi drejtues që ka punuar shumë për të kaluar këtë fazë tranzicioni dhe kanë gjetur elementët e duhur për t’i dhënë skuadrës cilësinë e duhur dhe sidomos konkurrencën brenda ekipit. Skuadra gradualisht do kohën e saj të arrijë në mentalitetin dhe filozofinë e munguar të Partizanit, sepse pavarësisht rezultateve, skuadra në shumë momente vuan imponimin e lojës. Megjithatë, ndryshimet e shpeshta si në staf, ashtu edhe në lojtarë, kanë penguar që filozofia dhe mentaliteti të vijnë gradualisht dhe besoj se me kalimin e kohës skuadra do të vijë aty ku e presin të gjithë tifozët.

Në ndeshjet e fundit, si ajo ndaj Bylisit dhe Flamurtarit, Partizani ka fituar edhe me përmbysje duke treguar që nuk dorëzohet. Sa vendimtare është kjo veçori në këtë pikë të sezonit?

Mendoj se një nga faktorët kryesorë në futbollin modern është mentaliteti fitues dhe kjo është meritë e stafit dhe drejtuesve që kanë injektuar mentalitetin fitues dhe besimin tek elementët që ka Partizani. Kjo është një veçori e veçantë dhe vendimtare në këto momente, kur besimi tek elementët që ka skuadra sjell dhe forcon mentalitetin fitues dhe personalitetin që kanë treguar lojtarët, sidomos në ndeshjet e fundit, duke fituar edhe me përmbysje, që është një nga faktorët kyç që Partizani po ringrihet dhe po shkon drejt asaj që meriton.

Cilin shikoni si repartin më të konsoliduar të Partizanit?

Them se skuadra është më e konsoliduar në repartin e sulmit, por edhe të mesfushës. Skuadra është mjaft e konsoliduar, është rritur cilësia, por edhe konkurrenca brenda skuadrës dhe kjo është një nga faktorët që ndihmon ekipin e Partizanit që të performojë dhe t’i japë mundësi trajnerit të ketë alternativa dhe të përdorë sa më shumë strategji për të dalë me sukses me kundërshtarë të ndryshëm dhe besoj se një nga armët më të forta të Partizanit është vija e parë e sulmit e mbështetur nga mesfusha.

Sa e ndihmon skuadrën konkurrenca e shtuar pas merkatos së janarit?

Lojtarët e afruar në janar kanë rritur kualitetin e organikës dhe një skuadër që pretendon trofe si titullin apo Kupën e Shqipërisë patjetër që ka nevojë për konkurrencë, por jo vetëm konkurrencë, por edhe elementë cilësorë që dinë të menaxhojnë situata të ndryshme dhe sidomos në këtë pikë të kampionatit, ku në ndeshjet e fundit elementët e rinj jo vetëm që kanë bërë diferencën, por një meritë e veçantë është edhe përshtatja e tyre e shpejtë me skuadrën dhe me të gjitha detyrat dhe filozofinë e stafit teknik.

Në garën për “Final Four” a mendoni se menaxhimi i presionit do luajë rol vendimtar dhe a e besoni se Partizani mund të nxjerrë jashtë katërshes Dinamon?

Përsa i përket menaxhimit të presionit të jashtëm që vjen për të arritur objektivin, mendoj se është një nga faktorët kryesorë dhe besoj se me këtë aspekt duhet patjetër që stafi të mendojë shumë mirë dhe të ketë një strategji që të menaxhojë shumë mirë aspektin psikologjik, sepse është një nga faktorët kryesorë në këtë fazë të kampionatit. Është shumë i rëndësishëm jo vetëm menaxhimi i presionit të jashtëm dhe ai psikologjik për ta larguar sa më shumë presionin nga lojtarët, por edhe aspekti fizik, ku rotacionet dhe menaxhimi i ngarkesave në këtë pikë të kampionatit do të jenë shumë të rëndësishme dhe këtu luan një rol mjaft specifik stafi teknik.

Ky do të jetë një nga faktorët kryesorë që Partizani mund t’ia arrijë dhe i ka të gjitha mundësitë që të rivalizojë për vendin e katërt dhe duhet patjetër që të jetë në garë deri në fund. Përsa i përket mundësive për të lënë jashtë katërshes Dinamon, mendoj se Partizani garën e vërtetë e ka me veten, jo me Dinamon dhe as me skuadrat e tjera. Por mendoj se duke menaxhuar të gjithë këto faktorë që i përmenda më sipër dhe duke i respektuar të gjithë kundërshtarët, besoj se duhet të ketë një garë të fortë brenda vetes, sepse e ka treguar me rezultatet e fundit që është i denjë që të shkojë shumë larg, edhe pse ka pasur oshilacione dy fazat e para.

A do ta përcaktojnë tre ndeshjet e radhës sezonin e Partizanit? Luajnë kundër Egnatias, Dinamos në kampionat dhe në mes është sfida ndaj Elbasanit në Kupë…

Bëhet fjalë për një moment shumë të rëndësishëm dhe kulminant të kampionatit, janë dy ndeshje me shkallë mjaft të lartë vështirësie. Megjithatë, me formën dhe entuziazmin që skuadra ka treguar në ndeshjet e fundit, mendoj se do të ketë një bonus emocional dhe moral për të arritur objektivin, duke iu referuar sidomos ndeshjes me Dinamon, ku shkalla e vështirësisë do të jetë prezente, sepse janë rivalë që do të luajnë për një pozicion, edhe pse besoj se nuk do të jetë përcaktuese, sepse kampionati do të ketë edhe nëntë javë të tjera pas asaj ndeshjeje dhe si Dinamo, po ashtu edhe Egnatia, kanë shfaqur luhatje duke mos treguar stabilitet në rezultate. Kështu, skuadra e Partizanit i ka të gjitha mundësitë që të mos i mbivlerësojë kundërshtarët, sepse edhe ajo ka gjendjen e saj dhe vjen nga një moment shumë i mirë. Duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për ta kthyer në favorin e tyre dhe të arrijë atë objektiv sa i takon kampionatit. Për Kupën, për ndeshjen me Elbasanin, besoj se Partizani e ka kryer në ndeshjen e parë punën më të madhe, pothuajse në 60%. Tani do të duhet që të jetë i kujdesshëm dhe të menaxhojë gjatë gjithë kohës ndeshjen e dytë, ku është në epërsinë e një goli dhe besoj se në shtëpinë e tij Partizani është i pathyeshëm, edhe pse shkalla e vështirësisë do të jetë e lartë. Besoj se një nga pikat më të rëndësishme për sezonin e Partizanit janë këto tre ndeshjet e radhës, por nuk do të jenë përcaktuese.

Në fund një pyetje për garën e mbijetesës në Superiore… Sa do ta ndihmojë Tiranën rikthimi në stol i trajnerit Orges Shehi?

Gara për mbijetesën mendoj se është goxha e vështirë, ku mendoj se katër skuadrat e fundit, duke nisur nga Vora deri te Flamurtari, janë në vetëm gjashtë pikë diferencë dhe situata mund të ndryshojë nga java në javë. Duke iu referuar edhe garës së fortë që po zhvillohet për “Final Four”, ku gjashtë skuadrat e para janë në lojë, bën që të rritet edhe më tepër shkalla e vështirësisë për katër skuadrat e fundit dhe është një kampionat mjaft interesant dhe shumë i vështirë si për mbijetesën, ashtu edhe për pjesën e lartë të tabelës.

Sa i takon rikthimit të Shehit te Tirana, besoj se ardhja e tij do t’i japë një impuls tjetër skuadrës dhe do të jetë një ndihmë shumë e madhe për Tiranën që të dalë nga kjo situatë, edhe pse do të jetë shumë e vështirë. Megjithatë, me eksperiencën dhe mentalitetin e teknikut Shehi, duke iu referuar faktit që ai e njeh shumë mirë skuadrën, njeh ambientin dhe ka dalë kampion me Tiranën, besoj se do të jetë një plus shumë i madh për skuadrën e Tiranës që të arrijë objektivin dhe të sigurojë mbijetesën në Superiore.

 EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL