EKSKLUZIVE/ “Më mirë të fitonin me Egnatian në kampionat, se Superkupën”, Marko zbulon problematikat: Dinamo reagon në derbi (E PLOTË)
Dinamo ende nuk e ka gjetur fitoren e parë në kampionat për vitin 2026, megjithatë Andrea Marko është i bindur se skuadra nuk e rrezikon vendin e katërt në klasifikim.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama Sport”, Marko shprehet se skuadra e Dinamos do ta kalojë momentin e vështirë që në derbin e kësaj jave ndaj Tiranës, teksa shtoi se ai personalisht, do të ishte i kënaqur nëse blutë e mbyllin kampionatin në vendin e dytë ose të tretë, por duke fituar Kupën.
Profesor, si e shihni Dinamon e këtij sezoni?
Në gjithë kampionatin, të gjitha skuadrat kanë pasur oshilacionet e tyre, ngritje dhe zbritje, por Dinamo në këtë pjesë të fundit ka një moment delikat. Besoj se është një moment ku të gjitha skuadrat e konsiderojnë që kampionati është i gjatë. Pjesa menaxheriale lë të dëshiruar, veçanërisht ndeshjet njëra pas tjetrës. Megjithatë, ajo lojë e mirë në kupat e Europës është larg për Dinamon. Ndeshjet e para dhe Superkupa është një pjesë e satisfaksionit, por nuk ka ndikim në klasifikim.
Më mirë të kishin marrë tre pikë me Rrogozhinën sesa ta fitonin Superkupën, e cila ka më tepër karakter satisfaksionor. Dinamo ka shumë mungesa dhe lojtarë që nuk janë në pozicionet e tyre, gjë që krijon shqetësime në zhvillimin e ndeshjes. Lojtarët më të rëndësishëm nuk janë në formë optimale.
Për shembull, Bregu luan në një pozicion ku mbulon gjithë fushën dhe konsumimi i tij është i dukshëm, prandaj duhet menaxhuar mirë, duke e zëvendësuar kur është e nevojshme, pasi ai është organizatori i skuadrës dhe një faktor psikologjik i rëndësishëm. Ndeshja me Besën në Kupë mund të kishte shërbyer për t’i dhënë pak pushim kryesorëve sidomos Bregut që po konsumohet jashtëzakonisht shumë apo edhe të tjerëve.
Si mund të dalë Dinamo nga kjo situatë sepse ka katër ndeshje pa shënuar, edhe pse kishte ndër sulmet më të mira?
Rotacioni nuk është zhvilluar mirë. Portieri nuk është ndërruar as në ndeshjet e kupës. Qendërmbrojtësi Dida nuk është zëvendësuar. Pozicionet nuk janë dubluar mirë. Krahët dhe mesfusha janë të ngarkuar, gjë që ul pasimin dhe finalizimin.
Lojtarët kanë nevojë për më shumë personalitet dhe besim. Megjithatë, afrimet e reja kanë energji dhe gjak të ri, prandaj besoj se diçka mund të ndryshojë, sidomos nëse fitojmë me Tiranën. Rezultati i fundit 6-2, edhe pse ka disa javë që ka kaluar është ende i freskët në psikologjinë e lojtarëve. Në këto situata, raportet psikologjike janë të rëndësishme, dhe këto fitore do të ndihmojnë Dinamon të ngrihet.
Sa i përket këtyre afrimeve, si i ke parë duke menduar edhe largimin e Hekuran Berishës për të cilin u investua?
Berisha është një lojtar me perspektivë, veçanërisht pasi ka shënuar gola të rëndësishëm. Ka pasur pak minuta në fushë, gjë që e vështirëson adaptimin, por potenciali i tij është i madh. Lojtarët e rinj si Malomo dhe Mustafa janë ende në proces integrimi. Berishën e kam parë në ndeshjen me Hajdukun ku shënoi dhe luajti mirë shumë. Bëri ndeshje shumë të mirë edhe në Split. Më pas shënoi në kampionat kundër Vllaznisë dhe të them të drejtën më pëlqeu shumë si lojtar. Largimi i tij ose minutat e pakta mendoj se janë probleme të brendshme që mund të ketë dhe nuk besoj se Berisha u largua ose nuk u aktivizua për ccështje kualiteti.
Normalisht që lojtarë të tillë në atë moshë duhet të largohen nëse nuk luajnë sepse jo vetëm që “u hajnë këmbët”, por kanë edhe karrierën e tyre para dhe duhet të marrin sa më shumë minuta. Këto dy lojtarët që erdhën nga Bylisi, nuk dihet se në cilat pozicione mund të luajnë fikse, dhe do të jetë sfidë të vendosen në fushë, sidomos nëse marrin vetëm 25-30 minuta. Çdo afrimi shihet nga perspektiva e skuadrës, trajnerit dhe interesave të klubit. Për momentin, jemi në fazën e shpresës, ndërsa optimizmi do të vijë me rezultate konkrete.
A është Dinamo e rrezikuar për zonën e “Final 4”?
Shiko, unë nuk mendoj se Dinamo është në rrezik, por më pëlqeu një shprehje e Redi Jupit, i cili tha se Dinamo po i jep shansin skuadrave të tjera për të qëndruar në garë. Kjo nuk është shenjë e mirë për Dinamon. Duke parë kampionatin shqiptar, vendet pesë dhe gjashtë janë shtatë pikë mbrapa Dinamos. Më e besueshme nuk është shpresa, por matematika, sepse aty çdo gjë është e llogaritur. Nëse Dinamo mendon që do të qëndrojë në vend, duhet të mendojmë që skuadrat e tjera mund ta kalojnë, por nuk besoj se Partizani dhe Teuta do ta rrezikojnë vendin e katërt. Besoj se Dinamo do të ngrihet shpejt, pasi me një ose dy fitore kapërcen shumë shpejt në renditje.
Ndeshjet e fundit me rezultate të ngushta 0-0 ose 1- 0 nuk besoj se do ta rrezikojnë shumë, por skuadra duhet të jetë e kujdesshme. Skuadrat që janë mbrapa Dinamos shpresojnë, por nuk besoj se Dinamo do të humbasë vendin e katërt. Në të kundërt, kjo do të tregonte se investimet e bëra për përzgjedhjen e lojtarëve kanë qenë të gabuara. Megjithatë, Dinamo ka përvojë nga pjesëmarrja në Kupat e Europës dhe nuk besoj se do të jetë naive për të humbur vendin në katërshen e “Play Off”-it.
Drejtuesit theksojnë vazhdimisht që Dinamo është ndërtuar për titullin kampion. A mund t’iu fusë presion lojtarëve diçka e tillë?
Dinamo është një skuadër që ndërtohet me objektiva të qarta. Vjet, hyri në Kupë, fitoi Kupën e Republikës dhe ishte një pjesëmarrëse shumë e denjë në Kupat e Europës. Përveç aspektit sportiv, është edhe pjesa e besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë, që tregon eksperiencën e lojtarëve të Dinamos. Megjithëse në Superligë nuk ka shumë ndeshje të fituara lehtësisht, që të themi se skuadra është ndërtuar për të arritur objektiva madhore. Unë do të isha i kënaqur nëse Dinamo do të siguronte vendin e dytë ose të tretë dhe trofeun e Kupës së Republikës.
Pjesëmarrja çdo vit në Kupat e Europës dhe kalimi i një ose dy tureve forcon ekonominë e klubit. Dinamo ka përvojë dhe nuk ka nevojë të frenohet për të fituar tituj, pasi ka fituar 18 kampionate dhe 16 kupa. Ndërtimi i skuadrës është bërë për të arritur këto objektiva të përcaktuara. Pjesëmarrja e skuadrës në kompeticione, veçanërisht në kupë, është gjithmonë për të dalë kampion.
Sa i përket objektivit, çdo gjë mbetet e hapur, pesë ose tetë pikë diferencë mund të zhbëhen gjatë kampionatit. Besoj se Dinamo mund të arrijë objektivin dhe për mua do të ishte e mjaftueshme një vend i dytë ose i tretë, plus fitorja e Kupës së Republikës dhe pjesëmarrja në Kupat e Europës, duke pasur parasysh që edhe skuadrat e tjera kanë treguar egoizmin e tyre në përfaqësim, qoftë në kampionat, qoftë në kupë.
Po faktin që Dinamo po i luan ndeshjet e saj në Tiranë, sa e ndihmon skuadrën drejt objektivit?
Kam një çudi, sepse presidenti i ka plotësuar të gjitha kushtet Dinamos. Në fillim, Dinamo udhëtonte shumë nga një fushë në tjetrën, si në Elbasan, ashtu edhe në Durrës. Sipas kërkesave të trajnerit Daja dhe duke parë që fusha e “Air Albania”-s është një fushë standarde, e mrekullueshme dhe që ka parë emra të mëdhenj të futbollit duke luajtur aty, kjo është një mundësi e krijuar nga presidenca që Dinamo të luajë në kushte optimale.
Megjithatë, kur shkohet në stadium, si ndaj Bylis, dhe stadiumi është bosh, futbollistët duhet të justifikojnë të paktën pjesën e fushës dhe të terrenit me punën e tyre, duke respektuar kushtet që ka siguruar presidenca. Prandaj, lojtarët dhe stafi duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe të japin maksimumin, duke u përpjekur të arrijnë objektivin e klubit. Presidenca ka bërë gjithçka për një zhvillim sa më të mirë të kampionatit, dhe tani përgjegjësia bie tek skuadra. Nëse nuk ka tifozë për të kënaqur, justifiko investimin në fushë
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













