EKSKLUZIVE/ Mandela: Sulmi ynë “i frikshëm”, Dita mbrojtësi më i fortë! Pres fitore dhe gol me Elbasanin (E PLOTË)
Kalimi në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë me 6 gola të shënuar ndaj Erzenit ka rikthyer qetësinë në kapin dinamovit pas humbjes në Ballsh.

P. Pashollari
Tre nga golat ndaj shijakasve mbajnë firmën e Peter Itodo Mandelës, i cili duket se ka lënë pas problemet fizike dhe është plotësisht gati për stafin teknik të bluve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi nigerian ka folur për sfidën e radhës me Elbasanin, sulmin e Dinamos dhe vazhdimin e sezonit.
Goleadori i “Nëndetëses” shpreson shumë te rikthimi te fitorja edhe në kampionat të dielën, pse jo me një gol të tij. Mandela thekson se skuadra e tij ka gjithçka për të qenë kampione në fund të sezonit, ndërsa për mbrojtësin më të fortë pohon se e ka në ekip dhe ai është Bruno Dita, edhe pse nuk është pozicioni i tij natyral.
Mandela, 3 gola për ju në ndeshjen e Kupës me Erzenin. Si ndiheni fizikisht tani, pasi disa probleme muskulore ju kane ndalur në disa ndeshje?
Për golat që shënova në Kupë ndihem i lumtur, natyrisht, ashtu si dhe për kualifikimin në çerekfinale. Tani jam në 100% të formës, ndihem mirë, plotësisht gati. Besoj se jam rikthyer në gjendjen time të mëparshme, nuk ka ndier asnjë shqetësim fizik kohët e fundit.
E mbyllet vitin shumë mirë, si kampionë dimri, por e nisët keq 2025-ën, me humbje. Çfarë ndodhi në Ballsh?
Ne e pranojmë humbjen ndaj Bylisit, edhe pse ishte e pamerituar për atë që dhamë në fushë. Duhet të nxjerrim mësime prej saj dhe do të korrigjojmë atë çfarë nuk shkoi në atë ndeshje, që gabime të tilla të mos ndodhin më. Kështu do të kthehemi në formën tonë më të mirë, duke qenë të përgatitur për ndeshjet që janë përpara.
Ndeshja e radhës është ajo me Elbasanin, një kundërshtar që e keni mundur dy herë. Si e parashikoni dhe a keni “ruajtur” ndonjë gol për këtë sfidë?
Jemi përgatitur mirë dhe do të vazhdojmë punën edhe këto ditë që kanë mbetur. Me siguri përgatitja që po bëjmë do të japë një rezultat të mirë ndaj Elbasanit. Pse jo një gol nga unë në këtë ndeshje, por fitorja e ekipit është më e rëndësishme dhe shpresoj shumë të ndodhë kështu.
Ka konkurrencë të madhe në sulmin e Dinamos, ku po shënojnë të gjithë. Sa e ndihmon ky fakt skuadrën?
Kjo është diçka shumë pozitive. Gjithkush që shënon nga sulmuesit i bën mirë vetes dhe skuadrës, sepse kështu kundërshtari ynë nuk mund të mbajë vetëm një lojtar për ta bllokuar. Ata nuk mund ta parashikojnë golashënuesin e Dinamos, kur të gjithë shënojnë, kështu që vërtet rendimenti i sulmit po e ndihmon ekipin që të ecë përpara.
Çfarë pret në vazhdim të kampionatit, a ka mundësi Dinamo për të shkuar e para në finish?
Ne kemi besim të madh se mund të shpallemi kampionë të Superiores. Dinamo ka gjithçka që duhet për ta fituar titullin, që nga trajnerët, lojtarët, presidenti dhe klubi. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën që të festojmë në fund.
Cili është mbrojtësi më i fortë i kampionatit për ju, me atë që keni parë deri tani?
Mendoj se mbrojtësi më i fortë është Bruno Dita, pavarësisht se nuk është pozicioni real i tij.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL













