EKSKLUZIVE/ “Lojtarë cilësorë dhe frymë pozitive në grup”, ish-mesfushori Tafili analizon Vllazninë: Fundjava, vendimtare për kryesimin
Alsid Tafili, ish-futbollist i Vllaznisë ka analizuar së fundmi për “Panorama Sport” ecurinë e kuqebluve. Në fjalët e tij shkodrani shprehet se pavarësisht rezultateve që ndoshta nuk kanë qenë më të mirat e mundshme së fundmi, skuadra është në krye.
Por, pavarësisht kësaj ish-mesfushori mendon se tani është momenti që kuqeblutë të tentojnë shkëputjen në renditje. Ndër të tjera ai flet edhe për pushimin e kampionatit, shanset e Vllaznisë për titullin kampion si edhe ndeshjen e radhës kundër Partizanit. Ku parashikon një duel të fortë për ekipin e Martinit këtë fundjavë në kryeqytet.
Si e ke shikuar Vllazninë në periudhën e fundit?
Vllaznia në ndeshjet e fundit nuk ka arritur rezultatet më të mira të mundshme, megjithatë ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të mos humbur vendin e parë në renditje. Kjo tregon një qëndrueshmëri të ekipit edhe në momente jo optimale. Ndoshta tani është momenti i duhur që skuadra të reflektojë mbi gabimet dhe të tentojë të krijojë një shkëputje më të qartë nga ndjekësit, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të marrë pikë maksimale.
Janë “normale” këto rezultate kur kampionati bëhet shumë i fortë?
Gara sa vjen dhe bëhet më e vështirë, pasi disa ekipe luftojnë për vendin e parë, ndërsa të tjera për mbijetesë. Kjo e bën çdo ndeshje edhe më të fortë dhe çdo pikë tepër të vlefshme. Në këto kushte, mendoj se skuadra duhet të hyjë në fushë gjithmonë me objektivin për fitore, por njëkohësisht duhet të bëjë edhe llogaritë e duhura për të ruajtur dhe, nëse është e mundur, për të rritur diferencën me rivalët.
Sa i shërbeu kuqebluve kjo ndalesë e Superiores?
Ndalesa në kampionat mendoj se ka qenë në të mirë të ekipit, pasi u ka dhënë mundësi lojtarëve të rikuperohen fizikisht dhe të rifreskojnë formën e tyre. Gjithashtu, kjo periudhë ka shërbyer edhe për të analizuar më mirë ndeshjet e ardhshme, duke qenë se stafi teknik ka pasur më shumë kohë në dispozicion për përgatitje dhe strategji.
Çfarë duhet të ndryshojë ndoshta diçka skuadra?
Skuadra ka shumë lojtarë cilësorë dhe mendoj se ndërtimi i aksioneve duhet të nisë nga mbrojtja, pasi aty qëndron një nga pikat më të forta të saj. Duke parë aftësitë teknike dhe shpejtësinë që zotërojnë lojtarët në ato zona, kjo qasje mund të sjellë më shumë efikasitet në lojë. Gjithashtu, është e rëndësishme që ndeshjet të merren një nga një, pa u ndikuar nga presioni i rezultateve, sepse në këtë mënyrë skuadra mund të shprehet më lirshëm dhe të japë maksimumin.
Duken në rrugën e duhur për titullin kampion?
Në gjykimin tim, skuadra është ndërtuar në mënyrën e duhur për të arritur objektivat e saj. Ajo përbëhet nga lojtarë cilësorë, me eksperiencë, por edhe nga elementë që vijnë nga stoli dhe japin kontribut të rëndësishëm. Kjo tregon një thellësi të mirë të grupit dhe një frymë pozitive brenda skuadrës, e cila është thelbësore për suksesin.
Në fundjavë do jetë dueli Partizani-Vllaznia, si një “ish” i dy ekipeve cili është parashikimi yt?
Mendoj se dueli i fundjavës është mjaft delikat, pasi Partizani vjen nga një formë shumë e mirë dhe një rritje e ndjeshme e performancës, sidomos pas muajit janar. Edhe Vllaznia është një kundërshtar i fortë, por nuk ka luksin të humbasë pikë, pasi kjo mund të ndikojë në vazhdimësinë e saj në krye. Besoj se skuadra që do të fitojë më shumë dyluftime në fushë dhe do të tregojë më shumë vendosmëri, do të jetë edhe fituesja e kësaj ndeshjeje. 25 vite ka ekipi i Vllaznisë që nuk fiton titullin kampion. Kuqeblutë kërkojnë me çdo kusht titullin e 10-të dhe yllin e parë në fanellë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













