EKSKLUZIVE/ Kriza e Dinamos, Zabërgja: Mjaft gabuam, bëjmë kthesën me Laçin
Çdo ekip e kalon një moment krize gjatë sezonit dhe për Dinamon ndoshta është më mirë që po e kalon tani se sa në fazën finale të këtij kampionati. Ky është konkluzioni që nxjerr Baton Zabërgja, një nga titullarët e rëndësishëm të skuadrës blu, duke iu referuar situatës në kampin dinamovit.

Katër barazime radhazi në kampionat dhe një humbje në Kupën e Shqipërisë, si dhe tri ndeshje pa shënuar janë fakte që tregojnë për një ngërç të skuadrës së Dajës. Koha për rikuperim është e mjaftueshme, por së pari 18 herë kampionët e vendit duhet të reagojnë me lojë dhe rezultate. Mjafton që ata të bëjë kthesën këtë të premte, kur presin Laçin, një nga kundërshtarët më të vështirë në këtë moment.
ZABËRGJA – Titullari i Dinamos, Baton Zabërgja, gjykon se është Laçi duhet të jetë patjetër ndeshja e kthesës:
“U bënë disa ndeshje që nuk po fitojmë dhe natyrisht që nuk ndihemi mirë. Nuk e di çfarë ka ndodhur, sepse ne jemi munduar, si gjithmonë, të japim gjithçka në fushë. Ndoshta është ai momenti i krizës që e kalon çdo skuadër në një kampionat dhe do të thosha se është më mirë që Dinamo po e kalon tani se sa më vonë, në fundin e sezonit. Mbase fakti që na u bënë shumë mungesa në të njëjtën kohë, na ka penalizuar këtë periudhë.
Kemi pasur edhe më parë mungesa, një apo dy, dhe i kemi fituar ndeshjet, por këto javë u bënë shumë, 4-5 lojtarë që nuk i kishim në skuadër. Është koha për të bërë kthesën, sepse janë shumë hapa të gabuar që kemi bërë. Të gjithë duhet të bëjmë diçka më shumë. Laçi është një skuadër shumë e fortë dhe në një formë shumë të mirë këto javë, siç e kemi parë në kampionat. Meriton respekt dhe vlerësim, por për Dinamon nuk ka asnjë justifikim aktualisht. Kemi nevojë për një fitore në këtë moment që të lëmë pas këtë periudhë jo të mirë dhe të rikthehemi besoj në ritmin që kishim më parë”, ka thënë fillimisht Baton Zabërgja për “Panorama Sport”.
MUNGESA E GOLIT – Bluve u ka munguar Mandela disa javë, edhe Bregu po ashtu, por edhe sulmuesit e tjerë nuk kanë mundur ta gjejnë rrugën e rrjetës. Edhe Zabërgja është stopuar në kuotën e 10 golave, bashkë me Mandelën. Golin e fundit e ka shënuar ndaj Elbasanit gati një muaj më parë. Ai shpreson që të rigjejë golin ndaj Laçit, por më shumë i intereson fitorja e Dinamos.
“Nuk na kishte ndodhur gjatë sezoni që të mos shënonim në tri ndeshje radhazi dhe ndoshta mungesa e golit na e ka bërë gjithçka më të vështirë. Por, siç e thashë, është momenti që të rigjejmë hapin që kishim para disa javësh. Një fitore e mundshme me Laçin do të na çlironte, ndaj dhe po përgatitemi shumë seriozisht.
Duhet t’ia bëjmë si duhet shërbimin kësaj ndeshjeje, ku e dimë që do ta kemi të vështirë. Është momenti që Dinamo të tregojë veten si një nga skuadrat pretendente të ‘Final 4’. Me plotësimin e grupit besoj se do të shprehemi më mirë në fushë, do të gjejmë golin dhe fitoren”, ka shtuar më tej sulmuesi kosovar i bluve. Dinamo mban vendin e 3- të pas 25 javësh, me 41 pikë, 3 më pas se Vllaznia e vendit të dytë. Janë edhe 11 ndeshje për t’u luajtur deri në fundin e kampionatit të rregullt, megjithatë kryeqytetasit nuk duan të bëjnë llogari. Ajo që vlen aktualisht është vetëm sfida me Laçin, që duhet fituar me çdo kusht.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL













