EKSKLUZIVE/ Kasa i ikur, por Egnatia s’e lëshon pa 80 mijë euro! Tetova pret edhe 2 mbrojtës (E PLOTË)
Egnatia i ka mbyllur rrugët me Redi Kasën, por sulmuesi vijon të jetë nën kontratë me kampionët dhe largimi i tij përfundimtar nuk është shumë i lehtë.
Mësohet se klubi nga Rrogozhina nuk është i gatshëm të lejojë largimin e lojtarit pa përfituar financiarisht dhe e ka bërë të qartë se nuk do të negociojë nëse nuk përmbushet kërkesa ekonomike. Sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit e Egnatias kërkojnë të paktën 80 mijë euro për ta liruar sulmuesin, i cili vazhdon të jetë nën kontratë deri në verën e vitit 2027.
Për Kasën është shfaqur interes konkret nga Elbasani, që e shikon si një profil të përshtatshëm për repartin ofensiv në ndërtim, por gjithashtu edhe skuadra të tjera të Superiores kanë pyetur për situatën e tij.
Megjithatë, kontrata dhe qëndrimi i prerë i Egnatias e bëjnë të vështirë një largim të menjëhershëm, për aq kohë sa nuk ka një ofertë mbi tryezë. Lojtari ka dalë jashtë planeve për sezonin e ardhshëm, duke mos vazhduar më në Rrogozhinë dhe i dhënë më shumë peshë mundësisë së transferimit.
SHPENZOI 50 MIJË EURO
Redi Kasa iu bashkua Egnatias pas një transferimi nga Septemvri Sofia i Bullgarisë, për të cilin klubi pagoi një shumë prej 50 mijë eurosh. Kjo e bën edhe më të kuptueshëm pozicionimin e Egnatias, që kërkon të paktën të mbulojë investimin dhe të realizojë një përfitim të drejtë në rast largimi të sulmuesit. Edhe pse në gjysmën e sezonit nuk ishte gjithmonë titullar, Kasa la gjurmë me performancat e tij dhe është vlerësuar si një lojtar me potencial për t’u zhvilluar më tej. Për momentin, nuk ka ende një ofertë zyrtare që të ketë bindur Egnatian të hapë derën për largimin e lojtarit.
Elbasani mbetet në pritje, por ndërkohë po shqyrton edhe pista të tjera, për shkak të kostos së lartë të operacionit. Ndërkohë, nëse do të konkretizohet një transferim, Egnatia ka në plan të ruajë një përqindje të kartonit të lojtarit, në mënyrë që të përfitojë edhe nga një shitje e mundshme e ardhshme. Kjo është një praktikë e zakonshme e klubit në rastet kur largohet një lojtar me potencial për zhvillim të mëtejshëm. Deri atëherë, mbetet për t’u parë se kush do të bëjë hapin vendimtar për të siguruar shërbimet e sulmuesit.
MERKATO NË HYRJE
Deri më tani, te kampionët është bashkuar me grupin në fazë përgatitore Kastriot Selmani. Sakaq, ka dështuar afrimi i Ze Uelinton, që nuk ka pranuar të bashkohet në kampionatin shqiptar me kampionët e Shqipërisë. Sakaq, rrogozhinasit kanë afruar mbrojtësin Anio Poçi dhe mesfushorin Flamur Ruçi, të afruar nga radhët e Bylisit. Tetova pret që t’i bashkohen edhe dy mbrojtës krahu, për t’i pasur alternativa të Edison Ndrecës dhe Abdurraman Fangajt.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













