EKSKLUZIVE/ “Kampionati pa cilësi, Demi presidenti numër 1”, ish-trajneri Kolela zbulon problemin kryesor të Partizanit (E PLOTË)
Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i fundit që shpalli Partizanin kampion në Superiore në sezonin 2022- 2023, Xhovani Kolela, thekson se kampionati i atij sezoni ishte i një niveli të lartë ndryshe nga ky aktuali.
Ndër të tjera, italiani u shpreh se e kujton me shumë nostalgji kohën e tij me kryeqytetasit ndërsa nxorri në pah sipas tij edhe disa nga problematikat më kryesore te “Demat e kuq”. Sipas Kolelës, menaxhimi është ngërçi më i madh te Partizani teksa nga kjo problematikë shpëtoi vetëm presidentin Gazmend Demi për të cilin tha se është presidenti më i mirë që ka pasur në karrierë. Ndërkohë, Kolela pati edhe një përgjigje për kolegun e tij Diego Longo që e cilësoi kampionatin shqiptar si më të korruptuarin në botë.
Si e keni parë ish-skuadrën tuaj Partizani në këtë sezon?
E kam parë Partizanin dy herë në këtë sezon, një herë me trajnerin që ishte në fillimin e sezonit, Milinkovic dhe më pas me trajnerin e ri Kërnajën. Sinqerisht më ka pëlqyer më shumë në ndeshjen e dytë, ishte më agresive dhe kompakte, por nuk e pashë të ishte e qartë kur kishte topin në zotërim.
Çfarë i mungon skuadrës për të pasur më shumë vazhdimësi në rezultate?
Duke vijuar edhe në logjikën e asaj që thashë më lart, një ndeshje është e përbërë nga një fazë ku je në kontrollin e topit dhe një fazë ku gjendesh në tranzicion negativ, e më pas nga një fazë ku nuk je në zotërimin e topit dhe më pas kalon në tranzicion pozitiv. Një skuadër duhet të ketë ide të qartë se çfarë duhet të bëjë në çdo moment të ndeshjes, në të gjithë këto katër faza të lojës.
Tani ndjesia ime është që skuadrës i duhet ende punë që të arrijë vazhdimësi në rezultate sepse nuk ka vazhdimësi në idetë që propozon në fushë. Duhet që në fillim të gjesh një strategji dhe më pas të punosh nga javë në javë për të rregulluar defektet e vogla që dalin në pah. Por, e përsëris se me patjetër një skuadër duhet të ketë ide të qarta për katër fazat që theksova më sipër.
Në çfarë repartesh duhet të përforcohet dhe të ndërhyjë Partizani në merkato?
Unë mendoj që te Partizani nuk kishte një axhendë të qartë në momentin që u shitën të gjithë lojtarët kryesorë dhe nga skuadra e famshme që doli kampione. Dhe, është e drejtë që lojtarët të mund të largohen dhe të kenë mundësinë të luajnë në një kampionat më të fortë, siç është edhe e drejtë që klubi të përfitoj financiarisht. Por, nuk kishte një programim për atë që do të vinte më pas. Problemi është që Partizani është një skuadër me lojtarë të mirë, ose më saktë është një grup me lojtarë të mirë që ende nuk është një skuadër sepse nuk ka një identitet të saktë në shumë situata të ndeshjes. Kështu, për mua në përgjithësi nuk është se aty mungon vetëm një lojtar apo një emër i caktuar, duhet të kesh ide të qartë mbi atë që kërkon të transferosh, në çfarë roli luan dhe më pas si mund të arrish që të firmosësh me atë. Dhe, problemi është tek plani, nuk ka një plan dhe këtu më lejoni të them se përgjegjësia nuk është e presidentit, presidenti është një president i madh. Është presidenti më i mirë që unë kam pasur në karrierën time. Të lejon të punosh, të jep besim, është një president shumë bujar. Sipas meje dikush nga bashkëpunëtorët e tij në këto tre vitet e fundit nuk ka bërë atë që duhej të bënte, nuk di të them nëse ka qenë për mungesë të kompetencës apo për arsye të tjera. Por, problemi është aty, tek mungesa e një plani, e një strategjie.
Jeni trajneri i fundit që keni shpallur Partizanin kampion në Superiore, si ju bën kjo të ndiheni?
Prej momentit kur u vesha me të kuqe, unë jam shndërruar në një nga tifozët numër një të Partizanit. Ishte shumë e vështirë të merrja vendimin për t’u larguar edhe pse mendoj që ishte veprimi më i drejtë. Por, mbetem një nga tifozët numër një të skuadrës. Kështu, kur shoh Partizanin në vështirësi më bën të ndjehem i trishtuar. Kam edhe kujtime shumë të bukura nga Shqipëria, nga Partizani, nga i gjithë klubi, nga presidenti, kështu që ndjehem shumë nostalgjik. Kam kaluar shumë mirë në Tiranë, e kujtoj gjithnjë me kënaqësi kohën te Partizani. Ndoshta ka qenë një nga periudhat më të bukura të jetës sime.
Cili ishte lojtari juaj i preferuar dhe më pak i preferuar nga ai grup lojtarësh?
Është pak e vështirë të gjej një lojtar specifik, ishim një grup fantastik me djem të mnrekullueshëm. Ishin të gjithë lojtarë shumë të fortë dhe nuk mund të them absolutisht se kisha një lojtar të preferuar. I kujtoj të gjithë me shumë kënaqësi sepse më kanë dhënë gjithçka. Secili prej tyre më ka dhënë gjithçka nga vetja dhe unë shpresoj që t’iu kem lënë diçka atyre.
Cila është skuadra më e fortë në këtë sezon të Superiores?
Skuadra më e kompletuar sipas meje nga të gjithë pikëpamjet është Vllaznia. Është një skuadër që ka lojtarë ekspertë dhe shumë të zotët, ka të rinj të shkëlqyer, ka një akademi me të rinj shumë të talentuar dhe mua më duket skuadra më e kompletuar. Egnatia gjithashtu është një skuadër që po bën gjëra të mëdha sepse ia dalin të marrin rezultate të shkëlqyera edhe duke shitur lojtarët me kualitet që kanë në skuadër. Ia dalin të mbajnë një nivel shumë të kënaqshëm duke ndihmuar edhe financat e klubit. Por, ndoshta Vllaznia është skuadra më e fortë. Nuk e di nëse është gati për të fituar, por është një skuadër që më pëlqen me elementët që ka. Por, edhe Dinamo është gjithashtu një pretendente, një skuadër shumë kompakte. Po vuan pak dëmtimet e shumta nga shtatori e në vijim, por është një skuadër shumë e mirë. Mendoj gjithashtu që Dinamo funksionon dhe punon shumë mirë si klub.
A ishte kampionati më i fortë në periudhën që ju ishin pjesë e saj me Partizanin se sa në sezonin aktual?
Po, për mendimin tim, kampionati i sezonit 2022-2023 ishte më i fortë dhe më superior. Këtë nuk po e them se aty ishin trajnerë si Kolela apo Shehi sepse janë lojtarët ata që bëjnë diferencën në një kampionat. Sipas meje në atë kampionat kishte shumë kualitet, pa përmendur shumë Partizanin e Kolelës apo Tiranën e Shehit që rivalizuan për titullin deri në fund. E treta ishte Egnatia, shumë e fortë dhe që kishte një sulmues si Duamena, e sërish e mbylli kampionatin me 10 pikë diferencë nga Partizani dhe Tirana. Kjo dëshmon se çfarë niveli kishte kampionati i atij sezoni. Më kujtohet edhe që vendi i fundit zbriti një kategori më poshtë edhe pse kishte grumbulluar shumë pikë. Kampionati ishte i ekuilibruar dhe ishte më superior nga ato që pasuan.
Nuk e di çfarë ndodhi dhe u përkeqësua. Ndoshta nuk u bënë investimet e duhura në lojtarët e transferuar, edhe unë pyes veten, por nuk kam një ide të qartë për rënien e nivelit. Ndoshta është një pyetje që i duhet bërë presidentëve apo drejtorëve sportivë të kampionatit aktual. Cili është opinioni juaj mbi formatin “Final Four”? Mua personalisht nuk më pëlqen kjo formulë me “Final Four”. E bën fazën e kampionatit para se të mbërrihet te “Final Four” më pak interesante, por ky është gjykimi im nga jashtë. Në përgjithësi nuk është një formulë që më pëlqen shumë, pastaj forma të ndryshme i adaptohen kampionatit dhe stadiumeve ku luhen ndeshjet.
Një kolegu juaj italian, Diego Longo tha se kampionati shqiptar është më i korruptuari në botë. Çfarë mendoni rreth kësaj deklarate?
Kam dëgjuar të flitet për këtë intervistë dhe kam lexuar diçka te “Panorama Sport”. Sinqerisht unë nuk jam aspak dakord. Nuk jam dakord sepse unë kam përjetuar një vit të mrekullueshëm në Tiranë dhe për më tepër edhe një kampionat të mrekullueshëm. Këtë kampionat të mrekullueshëm nuk e ka bërë vetëm Partizani, e ka bërë Tirana, Egnatia, Vllaznia, Kastrioti. Ishin skuadra të forta dhe të rëndësishme dhe që sipas meje kanë luajtur me ndershmëri deri në fund.
Nuk jam dakord me gjykimin e kolegut tim, unë për edukatë dhe kulturë respektoj vendimin e gjithkujt, por jam totalisht kundër asaj që ka deklaruar. E rikthesoj se kampionati, të paktën në atë kohë pasi siç thashë më parë në vazhdim kampionati është përkeqësuar, por në atë kohë bëhej fjalë për një kampionat shumë të fortë dhe i nivelit të lartë. Këtë e dëshmon ekuilibri që ishte mes vendeve të para dhe të fundit, kualiteti i skuadrave. E theksoj kualiteti i lojtarëve dhe jo i trajnerëve, sepse janë lojtarët që bëjnë diferencën. Kështu që nuk jam aspak dakord me kolegun tim, sipas meje ishte një kampionat shumë i bukur dhe që e shijova deri në fund dhe e mbaj si një kujtim shumë të bukur.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













