EKSKLUZIVE/ “Kalendari në fushën tonë nuk ndikon te rezultatet”, Bellai: Çdo ndeshje finale, nisemi nga përballja me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2026 | 13:09

EKSKLUZIVE/ “Kalendari në fushën tonë nuk ndikon te rezultatet”, Bellai: Çdo ndeshje finale, nisemi nga përballja me Teutën

Ndërprerja e kampionatit për shkak angazhimesh të ekipit tonë kombëtar në eliminatoret e Kupës së Botës, ka shërbyer për Vorën. Si një frymëmarrje e thellë për të rimarrë energjitë pozitive të harxhuar, pas atyre humbjeve radhazi në kampionat.BellaiKësisoj testi miqësor zhvilluar të dielën në Ahmetaq, mes tyre dhe Korabit që përfundoi me një rezultat 3-4 për dibranët, ishte dhe një nga testet më shërbyese për trajnerin Bellai. Ky i fundit, në vetvete kishte një merak për të parë me sytë e tij, gjendjen reale të 4 futbollistëve, që po bëhen gati për t’u rikthyer në shërbim të ekipit. Ai e shpreh këtë merak edhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas testit miqësor që luajti kundër Korabit.

Sa ju shërbeu ky test dhe a ja arritët qëllimit të pritshmërive?

Sigurisht, që këto testet kanë qëllime t’i vijnë në ndihmë ekipit. Veçanërisht, ky ndaj Korabit kishte më shumë vlerë, për t’u ardhur në shërbim të lojtarëve, që nuk kanë luajtur si puna e Shehit, Karricës, që janë rikthyer, po kështu të Zunës që ka disa ndeshje, që nuk ka qenë mirë nga gjendje shëndetësore, po ashtu edhe për Dalipin, që ka vuajtur disa kohë me dëmtimin. Pra ishte gjëja më e mirë për të parë gjendjen e atyre futbollistëve, të cilët tashmë janë të gatshëm për ndeshjen e radhës, që kemi në kampionat kundër Teutës. Në përgjithësi shkoi mirë. Për mua nuk ka ndikim fare rezultati ndeshjes se sa te pritshmëritë e këtyre lojtarëve, ku ishte përqendruar dhe gjithë qëllimi im në këtë test miqësor. Pamë, që këta futbollistë, dhanë sinjale të mira. Aq më shumë na shërbeu dhe në kahun tjetër lidhur me promovimin e disa futbollistëve të rinj, që mundëm të aktivizonim në këtë takim, duke treguar se po bëhen lojtarë premtues, si Kolgjini që shënoi një gola mjaft të mirë. Po kështu dhe dy lojtarët e tjerë që janë tek U-17. Pra, ky test miqësor këtë kishte si qëllim, që ne duhej të dilnim nga këto pritshmëri, në mënyrë që dhe këto lojtarë, t’i kem gjithmonë nga afër, për t’u vënë dhe ato në dispozicion të skuadrës. Por më kryesorja e pritshmërive të mia ishte, për ata lojtarë që po bëhen të gatshëm për të ndihmuar ekipin e parë, si Karrica, Dalipi, Zuna e Shehi, të cilët po gëzojnë në gjendjen e tyre optimale, për t’u bërë pjesë e ekipit që në ndeshjen e ardhshme dhe për të ndihmuar në objektivin tonë të vështirë, që ne kemi në kampionat, atë të mbijetesës.

Kjo ndërprerje ishte frymëmarrja e fundit dhe tani nis sprinti final i luftës për mbijetesën. 7 ndeshjet e fundit, a besoni te mbijetesa?

Ne do të shikojmë çdo ndeshje një e nga një. Po më parë le të përqendrohemi tek ajo e radhës, pra te Teuta, që të jemi 100 për qind për të marrë atë trepikësh që të bëjmë llogaritë, në çdo ndeshje nga një, për të qenë pranë atij objektivi që kemi marrë përsipër.

A është i gatshëm kontingjenti i lojtarëve, që ju besoni për ndeshjen kundër Teutës?

Tashmë të gjithë futbollistët, pothuajse i kemi të gatshëm. Nuk kemi më probleme me kontingjentin e lojtarëve të dëmtuar, prandaj e bëmë dhe këtë ndeshje. Pamë që nga ana fizike as njëri dhe as tjetri nuk kanë probleme, po kështu edhe nga ana taktike.

Ju mbeti peng ndonjë merak nga ky test?

Më shumë kisha merak Shehin dhe Karricën, që na mungonin, pasi në rolet e tyre, ne çalonim më shumë. Besoj se e treguan veten, që janë të gatshëm për tu vënë në shërbim të skuadrës.

Është një kalendar favorizues, pasi takimi i vetëm jashtë fushës mbetet Flamurtari. A ndikon ky kalendar, si moment shfrytëzimi të faktorit fushë?

Për mendimin tim nuk ka aspak ndikim faktori fushë, këtë e vërtetoi më së miri faza e tretë, ku pothuajse të gjitha ndeshjet, ne i luajtëm brenda dhe morëm vetëm një fitore kundër Partizanit. Kështu që në ndeshjet e Superiores nuk ndikon asgjë dhe nuk ka ndikim fusha se ku luan, por kërkohet vetëm përqendrim ndeshje pas ndeshje. Ne duhet të marrim një rezultat që na bën mirë nga ana psikologjike për vazhdimësinë e kampionatit.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL