EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri, Memushi: Garsia merr notën 4, Flamurtari ka nevojë për shkundje! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2025 | 23:20

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri, Memushi: Garsia merr notën 4, Flamurtari ka nevojë për shkundje! (E PLOTË)

Eqerem Memushi mendon se Flamurtari kërkon një shkundje të fortë nga Sinan Idrizi. Ish-trajneri vlonjat që ishte në pankinën kuqezi deri në verën e vitit të kaluar mendon se fillimi nuk është i duhuri përkundrejt investimeve që janë realizuar.

memushii

Për “Panorama Sport”, Memushi shprehet se lojtarët duhet të flasin një gjuhë në fushë dhe dhomat e zhveshjes, ndërsa mendon se në të gjitha skuadrat e Superiores, futbollistët shqiptarë kanë më shumë grintë. Për komoditetin dhe pavarësinë që klubi i ka ofruar, Memushi i vendos notën 4 trajnerit Garsia nisur nga rezultatet e pesë javëve të para. I bënë thirrje spanjollit të ndryshojë strategjinë me Dinamon pasi përballë do të ketë një trajner si Ilir Daja që është ekspert i Superiores.

Memushi si e vlerëson këtë nisje të Flamurtarit?

Kënaqësia më e madhe u arrit dhe që ishte ngjitja në Superiore që ne të shikonim një Flamurtar më dinjitoz, më të fortë, me prezencë dhe personalitet ashtu sikundër e meriton. Fillimi nuk ka qenë i mirë. Penalizim ishte edhe kalendari por ky nuk është ndonjë justifikim sepse në fund fare në fushë luhet 11 me 11. Këto skuadra nuk e njohin fare fushën se ku luajnë. Duke parë edhe ecurinë e kampionatit si është ngjeshur, fillimi ka qenë jo i mirë për ne. Pretendimet kanë qenë shumë të mëdha qoftë nga publiku por edhe nga merkato që u bë gjatë verës me afrimin e shumë lojtarëve cilësorë. Mendoj se ata duan kohën e duhur si stafi ashtu edhe skuadra. Megjithatë nuk jemi edhe vonë. Duhet një shkundje, duhet një analizë e fortë. Ajo është një skuadër e superpaguar. Janë më të paguarit në Superiore. Ata që punojnë në atë klubi por edhe presidenti duhet që ta ngre zërin dhe t’i mbledhë.

Cilat ishin emocionet e inagurimit të impiantit të ri?

Emocioni më i madh ishte bukuria e impiantit e rikonstruksionit të stadiumit. Për mendimin tim hynë në një nga stadiumet më të bukura të vendit tonë. Por kënaqësia më e madhe ishte pjesëmarrja e publikut në stadium, ajo që na ka munguar gjithë kohës. Unë u bëj thirrje që ky publik të jetë gjithmonë dhe ta mbështes skuadrën e zemrës, sepse në këto momente të vështira ata kanë më shumë nevojë për tifozët. Rruga është e gjatë, është vetëm java e pestë, kohë kemi.

Mendoni se trajneri dhe lojtarët e huaj e kanë njohur kampionatin, pasi mungon grinta dhe dëshira?

Mbaroi java e pestë e kampionatit dhe unë mendoj se si trajneri ashtu edhe skuadra e kanë njohur kampionatin shqiptar. Janë pesë takime që janë zhvilluar. Mendoj që në të ardhmen do ta kemi edhe grintën dhe dëshirën, duke parë edhe skuadrat e tjera. Diferenca nuk është e madhe, por është ai shpirti i garës që kanë futbollistët shqiptarë.

Me të vërtetë janë lojtarët më të mirë të kampionatit dhe ata të gjithë (shqiptarët) e japin këtë shkëndijë te skuadrat që luajnë. Lojtarët shqiptarë janë ekspertë të kampionatit shqiptar dhe kjo mungon tek ne, por këto janë zgjedhje të trajnerit. Kam lexuar në rrjetet sociale një koment të Alegrit që ishte shumë domethënëse. Edhe Milani është shumëkombësh. Por ai dha urdhër të prerë. Në stërvitje, dhomë zhveshje, në hotel në ca do vend do të flitet italisht. Dolët nga klubi jeni të lirë të flisni gjuhët tuaja.

Nga viti i kaluar kemi Trashin, Markun, Ememen, Oshafin, Murataj, Pjeshkën dhe Telushi që erdhi në janar dhe Diavaran që nuk e kemi parë të luajë. Të japin besimin këta lojtarë që të jenë në Supeligë?

Ato janë shijet e trajnerit nuk ndërhyjmë dot aty. Ata mund të jenë në opinionin tonë siç mendojmë ne, lojtarë të mirë. Por trajneri i ka aty dhe u jep notën. Por duke parë këta që luajnë me ata që janë në stol…Ememe në Kategorinë e Parë ka qenë lojtari më i mirë. Trajneri duhet të dijë një gjë që kemi lojtarë stërvitjeje dhe lojtarë ndeshjeje. Marrim rastin e Ememe. Ai mund të jetë një lojtar që ka mënyrën e tij të stërvitjes, por në fund fare ata në ndeshje shndërrohen.

Çfarë sugjerimi do t’i jepje trajnerit Garsia?

Ai e mësoi tani kampionatin shqiptar që si funksonon se ka pesë javë. Tani duhet të ndryshojë strategji. Mendimi im është që nuk duhet që t’i luajë më lartë kundërshtarit. Duke qenë se jemi një skuadër e re, më mirë ta presim kundërshtarin në zonën e fushës ku do ai. Kam parë se ka qenë ai që e atakonte skuadrën

Çfarë note do t’i vendosje trajnerit Garsia?

Nuk i vëmë dot një notë në këto pesë ndeshje. Por me këto kushte që i ka krijuar presidenca, ka një staf me katër ndihmës, ka një staf si ekipet europiane, nisur nga ecuria, në këtë anë i jap një notë 4. Nga ana teknike mbetet për t’u parë.

Si e shikon Superioren e këtij sezoni?

Skuadrat janë në një nivel të barabartë. Unë i kam ndjekur takimet e Superiores dhe ndëshkimet bëhen nga episodet, nga gabimet individuale nga çdo skudër. Nuk kemi një skuadër që dominon tetë apo nëntë të tjerat. Nuk kemi parë. Janë Egnatia, Vllaznia, Elbasani…Elbasani është një skuadër që nuk është prishur që nga sezoni i kaluar dhe mendoj se do të jetë një “kockë e fortë”.

Flamurtari me Dinamon luan në “Selman Stërmasi”, çfarë parashikoni?

Ajo nuk është as fusha e Dinamos dhe as e Flamurtarin. Trajneri duhet të ndryshojë strategjinë. Luan me Dinamon që doli dhe në finale. Trajnerin Daja e kanë një ekspert të kampionatit tonë. Garsia duhet ta përgatis këtë ndeshje shumë mirë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL