EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Dedja: Kjo skuadër më bind dhe më pëlqen! Ja afrimi më i mirë në radhët e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2025 | 9:04

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Dedja: Kjo skuadër më bind dhe më pëlqen! Ja afrimi më i mirë në radhët e Vllaznisë

Hysen Dedja, ish-futbollist dhe trajner kampion me Vllazninë, pati nderin të shkelmonte topin e parë të kampionatit në ndeshjen që kuqeblutë fituan 2-0 ndaj Egnatias.

dedja

Për “Panorama Sport”, ishkapiteni kuqeblu foli pikërisht për këto emocione të rikthimit në “Loro Boriçi”. Teksa ndër të tjera analizoi edhe performancën e shkodranëve në këtë ndeshje të parë dhe pretendimet e 9 herë kampionëve të vendit. Ku sipas Dedjes, kjo skuadër ka gjithçka për të arritur tek titulli kampion.

Dedja, u ndjeve i vlerësuar që shkelmove topin e parë të kampionatit?

Absolutisht që po dhe për këtë falënderoj drejtuesit e klubit Vllaznia, që shkelmova topin e parë të kampionatit. Dhe kjo në stadiumin “Loro Boriçi” dhe qytetin e Shkodrës, përballë atyre tifozëve të mrekullueshëm. Për mua ishte një kënaqësi dhe respekt i veçantë prandaj i vlerësoj të gjithë.

Kishe emocione që u shfaqe sërish para një publiku që gjithmonë të ka adhuruar?

Po, realisht pata emocione në dy momente. Në momentin kur vesha fanellën e Vllaznisë para se të dilja në fushë për përshëndetjen. Dhe në momentin e dytë kur tek unë erdhi nipi im, i cili po ashtu ishte i pranishëm në stadium. Këto janë momente që nuk të ikin asnjëherë nga memoria dhe emocione që vështirë të përshkruhen me fjalë.

Për t’u kthyer te ndeshja, si e komenton paraqitjen e Vllaznisë?

Një paraqitje më shumë se bindëse duke pasur parasysh që është vetëm java e parë e kampionatit dhe ekipi nuk është i konsoliduar 100%. Po ashtu kundërshtari përballë ishte Egnatia, kampionia në fuqi e vendit dhe kjo i shton më shumë vlerat fitores dhe 3-pikëshit të Vllaznisë që në start të kampionatit. Kjo skuadër më pëlqen dhe po ashtu më jep shpresa për shumë gjëra pozitive në të ardhmen.

Ka ndryshuar diçka te kjo Vllazni?

Kthim në taban mund ta quaj, sepse u rishfaq ai futbolli që duan shkodranët dhe i kishte munguar Vllaznisë. Futboll i bukur dhe sulmues, që di ta vërë në vështirësi kundërshtarin, prandaj them se kjo skuadër më bind dhe më pëlqen.

Çfarë mund të presim më tepër nga ky ekip në të ardhmen?

Këtë do të na e tregojë koha, por “shkëndijat” e para janë shumë pozitive. Ende ka shumë rrugë të gjatë përpara, pasi është luajtur vetëm një ndeshje në kampionat. Siç thuhet “moti i mirë shihet në mëngjes”, prandaj jam shumë optimist që skuadra do të vijë vetëm në rritje nga java në javë.

Ndonjë futbollist që iu ka lënë përshtypje?

Të ardhurit në merkato ishin futbollistë që kanë bërë diferencën dhe për këtë ka meritë stafi teknik dhe ai drejtues. Që ka arritur të afrojë në skuadër lojtarë jo vetëm për të plotësuar numrin, por për të qenë protagonistë dhe dhënë kontributin e tyre. Do të veçoja Elmando Gjinin, për mua afrimi më i mirë në radhë e Vllaznisë. Një djalë ke personalitet dhe që di të luajë mirë futboll.

Sa besim keni tek Edi Martini që mund të kthejë titullin në Shkodër?

Nuk duhen vënë para presionit për titullin kampion ende pa “nisur” mirë kampionati. Unë e di që Martini punon çdo ditë dhe jeton me Vllazninë. Ai e kërkon më shumë se çdokush tjetër aty kthimin e titullit kampion në Shkodër dhe e di që vuan kur Vllaznia nuk arrin rezultate pozitive. Unë kam besim tek ai dhe i gjithë stafi që do bëjnë gjëra pozitive dhe gjithçka çfarë është e mundur për të dërguar Vllazninë drejt sukseseve.

Sërish një ndeshje e fortë kësaj jave kundër Dinamos për Vllazninë, si e parashikoni?

Një super ndeshje do të theksoja, tamam për t’u shijuar në maksimum. Besoj se Dinamo dhe Vllaznia do të jenë rivalët kryesorë për titull këtë edicion dhe do të kemi një ndeshje të një niveli të lartë mes tyre. Absolutisht dua fitoren e Vllaznisë dhe ia uroj me zemër, pavarësisht se do ketë “punë” ndaj një kundërshtari si Dinamo dhe trajneri si Ilir Daja.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL