EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti i Vllaznisë, Xhahysa analizon finalen me Egnatian: Titulli rikthehet në Shkodër (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2025 | 20:40

EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti i Vllaznisë, Xhahysa analizon finalen me Egnatian: Titulli rikthehet në Shkodër (E PLOTË)

Altin Xhahysa është një ndër ata ishfutbollistë që e di se çfarë do thotë të shpallesh kampion me Vllazninë.XHAHYSANë një intervistë për “Panorama Sport”, pasi ka analizuar ecurinë e këtij edicioni dhe në veçanti ndeshjen e fundit të kuqebluve ndaj Dinamos, shkodrani ndalet edhe te finalja e së hënës kundër Egnatias. Ai thekson se ka shumë besim se titulli do të rikthehet në Shkodër. Dhe Vllaznia mund ta arrijë këtë vetëm me karakter dhe grintë, pasi ato janë faktorët që kanë më vlerë në këto momente.

Xhahysa, një sezon që po mbyllet, si e gjykoni për Vllazninë?

Një sezon i gjatë dhe i lodhshëm për gjithë ekipet e Superiores. Besoj se të gjithë në fund morën se çfarë kishin merituar dhe kishin shfaqur në fushën e lojës. Përsa i përket Vllaznisë besoj se ishte brenda parashikimeve. Ndoshta mund të pritej diçka më tepër në aspektin e lojës, por tek rezultati kuqeblutë nuk kanë çaluar. Dhe në sport në fund llogaritet rezultati përfundimtar. Do ta gjykoja si një sezon pozitiv, ku për momentin është arritur objektivi minimal, që është kualifikimi në kupat e Europës.

Mund të bënin diçka më tepër shkodranët?

Skuadra ka pasur uljet dhe ngritjet e saj dhe për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë. Në këto momente ku ndodhet ekipi është e lehtë të flasësh çfarë mund të bëhej më mirë, por nuk është se do të kishin ndonjë vlerë. Tashmë ka vetëm një 90 minutësh përpara për të realizuar objektivin madhor që është titulli. Analizat dhe komentet për sezonin duhet të bëhen pas kësaj ndeshjeje në opinionin tim.

Po ndeshjen e fundit ndaj Dinamos, si e analizoni? Një Vllazni dominuese në pjesën e parë, me karakter dhe dua që këtë karakter të pjesës së parë ndaj Dinamos ta shfaqë në finale, sepse ashtu fitohen titujt dhe arrihet te suksesi. Në pjesën e dytë skuadra sikur u tërhoq më shumë seç duhet. Patjetër duhej të ishte e kujdesshme, sepse kishte 2 gola avantazh dhe nuk kishte pse rrezikonte aspak, por ndoshta mund të ishte një tërheqje disi më e moderuar. Pavarësisht se Vllaznia kishte 2-3 mundësi në kundërsulm me Qaton apo Malën për ta mbyllur ndeshjen edhe gjatë pjesës së dytë.

Kishte polemika për gjykimin nga ana e dinamovitëve… Pas ndeshjes askush nuk e pranon humbjen, sidomos në futbollin dhe ambientin shqiptar. Në mendimin tim modest, sepse nuk jam i fushës së arbitrimit, gjyqtari ishte në një nivel shumë të mirë. Arriti të përballonte një sfidë me dy ekipe në ritëm dhe tension. Them këtu tension për garën dhe rezultatin sepse ndeshja ishte totalisht “fair play” mes futbollistëve. Prandaj nuk e gjykoj se gjyqtari ishte një faktor në këtë duel.

Tashmë ka ngelur vetëm finalja, sa e besoni triumfin? Realisht që e besoj shumë, sepse Vllaznia i ka mundësitë, i ka futbollistët, e ka stafin dhe tifozët të përgatitur për këtë triumf. Thjesht ekipi këto ditë të qëndrojë larg euforisë, të ruajë qetësinë dhe emocionet, sepse e di që ka emocion. Pasi nuk është njësoj ta fitosh kampionatin në një finale siç është ta fitosh gjatë 36 javësh zhvillimi të tij. E di që ka presion, por jam po aq i sigurt se futbollistët e kuqebluve e kanë eksperiencën për ta përballuar një sfidë të tillë dhe për të rikthyer titullin në Shkodër pas 24 vitesh mungesë.

Një futbollist që sipas jush mund të bëjë diferencën? Të gjithë, nga lojtari i parë tek i fundit i skuadrës. Në këtë moment, s’ka individë, ka grup dhe mentalitet për të arritur suksesin. Pavarësisht se Vllaznia ka elementë që mund ta bëjnë diferencën në çdo moment, por mbi të gjithë qëndron grupi në këto momente, pasi ndeshja mund të zgjidhet edhe nga një futbollist që askush nuk e pret. Dhe futbolli e ka treguar shpesh një gjë të tillë, prandaj mund të kemi edhe ndonjë surprizë të këndshme në këtë finale.

Ju sjell ndonjë kujtim ky moment nga periudha kur jeni shpallur kampion me Vllazninë? Kohët ndryshojnë, trajnerët dhe futbollistët shkojnë e vijnë, brezat e tifozëve po ashtu rinovohen. Megjithatë e përbashkëta e të gjithë këtyre është dëshira për të shikuar Vllazninë kampion. Përjashtim nuk bëj as unë, si një ishfutbollist dhe ish-trajner i ekipit, që dua këtë triumf, i cili realisht mungon prej kohësh në këtë qytet që jeton me futboll, prandaj të gjithë duhet të jenë në mbështetje të ekipit në këtë javë kaq vendimtare për ta.

Një këshillë që do u jepnit futbollistëve para ndeshjes të së hënës? Thjesht siç e theksova të tregojnë atë karakter që shfaqën në pjesën e parë kundër Dinamos. Të luftojnë për çdo top dhe të shfaqin grintë në çdo duel. Taktikat “harrohen” disi në duele dhe ndeshje kaq vendimtare. Ku duhet të vësh “zemrën” para dhe të luash deri në pikën e fundit të fuqisë që mund të kesh. Jam besimplotë te qasja që do të kenë futbollistët e Vllaznisë dhe rikthimi i titullit kampion. Që në Shkodër më pas të festohet ashtu siç e meriton ky qytet.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL