EKSKLUZIVE/ Flamurtari në elitë, Idrizi shpërndan premion e majme për çdo lojtar
Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, mban fjalën, shpërndan premion për ngjitjen në Superiore. Konfirmohet ajo që paralajmëroi “Panorama Sport” në numrin e gazetës së botuar më 18 prill. Mbi 100 milionë lekë!

Ky është shpërblimi për futbollistët dhe për stafin teknik sa i takon arritjes së objektivit madhor të klubit, rikthimin pas 5 vitesh në elitën e futbollit shqiptar. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht edhe shumën që ka përfituar secili lojtar. Në fakt ka qenë një premio “e majme”.
Mësohet se lojtarët kanë marrë nga 5 milionë lekë të vjetër për “kokë”. Lekët kanë kaluar në llogarinë bankare. Por jo vetëm kaq, përveç 5 milionë lekëve të premios, lojtarëve u janë hedhur edhe pagat. Flamurtari nuk ka asnjë borxh ndaj futbollistëve, ndërsa klubi i ka likuiduar për muajin prill. Por “zemërgjerësia” e Idrizit nuk mbyllet këtu. Futbollistët dhe stafi teknik kanë marrë pagat edhe për muajin maj, edhe pse në këtë muaj “nuk punuan”, por klubi është i vendosur që të respektojë kontratën deri në fund.
ÇFARË THA IDRIZI
I pyetur nga “Panorama Sport” për premion, përpara ndeshjes me Vorën, e cila ishte një finale “jete”, Sinan Idrizi e konfirmoi me “gjysmë zëri” shpërblimin, pasi nuk donte që të shpërqendronte futbollistët. ”Nuk kam premio unë fare, vëlla. Premion e kanë në fund të kontratës këta. Çfarë janë këto histori?! Historia është që ata të bëjnë detyrën te Flamurtari ndaj tifozërisë vlonjate. Të gjithë kanë në kontratë premio. Por premio duan tifozët vlonjatë që kanë pesë vjet që presin në këtë kategori. Nuk ka premio fare, çfarë premio…”, do të deklaronte Idrizi.
BUXHET MILIONERËSH
As Kategoria e Parë nuk e pengoi Flamurtarin që të kishte një buxhet milionerësh. Në dispozicion, për këtë sezon, ishin 2 milionë euro, por vetëm 1.5 milionë euro u vendosën në dispozicion të skuadrës. Kjo shumë u përdor për pagat e lojtarëve, bonuset, trajtimin ushqimor, akomodimi jashtë Vlorës në transferta, si dhe qiratë e shtëpive. Përsa u përket pagave të lojtarëve, ato kanë vijuan nga 2 milionë në 5 milionë lekë në muaj. Nga 60 në 70 milionë lekë ka kushtuar në sezon, vetëm një futbollist titullar. Për të motivuar skuadrën me qëllim që ta niste mbarë, klubi vendosi që të paguante një pjesë të kontratës në dorë për lojtarët që në nisje të sezonit.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













