EKSKLUZIVE/ Flamurtari, Idrizi zbulon trajnerin dhe privatizimin: Garsia pranoi kushtin për të fituar dy trofetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2025 | 23:27

EKSKLUZIVE/ Flamurtari, Idrizi zbulon trajnerin dhe privatizimin: Garsia pranoi kushtin për të fituar dy trofetë

Sinan Idrizi zbulon bisedën me trajnerin e ri, Karlos Garsia. Gjatë një bisede enkas për “Panorama Sport”, administratori vlonjat shprehet se spanjollit i ka kërkuar një skuadër që të synojë trofetë e garave ku merr pjesë ekipi.IDRIZI“Unë besoj se Karlos Garsia ishte një zgjedhje e duhur. Ai është një djalë i ri dhe pranë mentalitetit vlonjat. E di se çfarë kërkojmë ne. I thashë që ky është buxheti që ne kemi. A je në gjendje që me këtë superbuxhet të na ndërtosh një skuadër që të bëjë diferencën në Superiore? E pranoi këtë gjë dhe sot ka dorë të lirë për ndërtimin e skuadrës”, thotë administratori.

KONTRATA PA AFAT – Për herë të parë në 11 vite, Sinan Idrizi do ta administrojë pa afat Flamurtarin deri në privatizim. Kreu i klubit komenton edhe arsyet. “E kërkuam pa afat kontratën për të mos kaluar te rutina e përditshme, që ishte një rutinë e vibrimeve të fjalëve pa kuptim. Kërkuam ta shtyjmë deri kur të kalojmë te privatizimi. Për të thjeshtuar më tepër këtë procedurë dhe asgjë më shumë se kaq. Unë kam marrë përsipër një barrë financiare, që e mbaj 100% vetë. Dua që këshilltarët të vlerësonin investimin tim, sikundër e bën me këtë miratim të kontratës dhe asgjë më shumë. Ata janë pjesa më civile e Vlorës. Janë ata që na përfaqësojnë ne atje”, shprehet Idrizi.

 NJOHJA E DETYRIMEVE – Në kontratën e parë që Sinan Idrizi lidhi me bashkinë, thuhej se do t’i njihet çdo investim që ka bërë në klub. Kreu i klubit thotë se nuk do asnjë lek nga bashkia.

“Ju e dini që këtu çdo gjë paragjykohet. Edhe kur merr frymë paragjykohesh, pse merr frymë kështu. Ideja është e thjeshtë. Unë kam pasur një kontratë me këshillin bashkiak të para 11 vjetëve, që të gjitha investimet që unë kam bërë do të njiheshin për një hap të dytë apo për një fazë të dytë, kur të jetë privatizimi. Për të hequr dorë nga paragjykimi, unë e them, çdo investim që unë kam bërë dhe ky që po shikoni, stadiumi këtu, nuk dua që as ky investim të njihet. Çfarë kam bërë deri më tani, dua që të më quhet zero, por në tenderin e hapur që do të bëhet, unë do të marr pjesë. Ju e dini që tashmë ka dalë një VKM e lejes së zhvillimit të stadiumit “Flamurtari”. Jam në pritje akoma për terrenet e Pyllit të Sodës. Unë pres nga këshilltarët bashkiakë që të bëjnë detyrën e tyre për terrenet që janë atje. Më ka ardhur nënkryetari i bashkisë, ka qenë korrekt dhe ka sjellë një dosje atëherë, dhe më ka thënë që një pjesë e tyre janë në sekuestro konservative nga Prokuroria e Vlorës. Sot që flasim bashkë, unë nuk kam çfarë të bëj… Kur një këshilltar i nderuar para disa vitesh ka thënë që te Pylli i Sodës nuk ka banjë për fëmijët, unë them shumë shkurt: që dua të ndërtoj banjë, por nuk di ku t’i ndërtoj sepse janë në sekuestro. Unë riparova fushën e vjetër atëherë, sot nuk investojmë dot”, shprehet Idrizi.

PRIVATIZIMI – Sinan Idrizi ka bindjen se procesi i privatizimit nuk do të zgjasë shumë, pasi nuk e lejon as ligji. ”Kjo histori besoj se nuk do të jetë një ‘Godo’, që nuk ka një përfundim. Është ritmi i sektorit sportiv që të detyron të marrësh një iniciativë të tillë. Nuk mund të ketë tani, entet publike nga njëra anë dhe nga ana tjetër gjasme një klub që cilësohet privat. Ne jemi i vetmi klub në Shqipëri, që nuk kemi marrë një qindarkë nga entet publike, nga taksapaguesit. Tani themi ta kalojmë këtë histori dhe të kalojmë në një kirurgji në të menduar. Nuk mund të mendosh tani si bolshevik dhe të sillesh si kapitalist, apo anasjelltas. Pra, ndajeni këtë histori. Paratë e vlonjatëve duhet të jenë për rrugët, pastrimin, ujësjellësin. Nuk kanë pse të shkojnë në pagat e lojtarëve, që mund të vijnë nga çdo cep i botës. Kjo është një gjë që e kërkon koha, nuk janë tekat e mia apo të tuat. Duhet të kalojmë në privatizim”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL