EKSKLUZIVE/ Flamurtari anulon planin, shkak bëhen kërkesat e trajnerit spanjoll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2025 | 9:23

EKSKLUZIVE/ Flamurtari anulon planin, shkak bëhen kërkesat e trajnerit spanjoll

Flamurtari ndryshon mendje, anulon fazën përgatitore në Maqedoninë e Veriut. “Panorama Sport” zbulon se ka qenë një kërkesë e trajnerit Karlos Garsia, i cili kërkon që skuadra të stërvitet në Vlorë derisa grupi i lojtarëve të plotësohet.

flamurtari

“Në fazën përgatitore do të udhëtojmë pasi të kemi plotësuar grupin e lojtarëve”, mësohet se u ka thënë spanjolli drejtuesve të klubit. Këta të fundit kanë anuluar prenotimin e bërë në Maqedoninë e Veriut. Gazeta mëson nga burime pranë klubit se faza do të zhvillohet në Turqi. Edhe ky ishte një pëlqim i trajnerit Garsia, që faza të përqendrohet vetëm në një shtet me qëllim që skuadra të jetë e fokusuar edhe më shumë. Pritet që, edhe sipas miratimit të trajnerit, ekipi do të udhëtojë drejt Turqisë më 20 korrik dhe do të zhvillojë një fazë përgatitore trejavore.

MERKATO NGA GREQIA

Flamurtari parashikon të paktën tri goditje “big”. Bëhet fjalë për lojtarë që do të vijnë nga jashtë vendit dhe që kanë eksperiencë edhe në Kupat e Europë. Gazeta mëson se klubi është drejt finalizimit të marrëveshjes me një mbrojtës të majtë, i cili vjen nga kampionati grek. Aktualisht, ai është pjesë e PAS Janinës dhe vjen në Vlorë me ndërhyrjen e legjendës së futbollit vlonjat, Vasil Ruci. Emri i mbrojtësit nuk bëhet publik, për faktin se bisedimet nuk janë mbyllur në trajtë përfundimtare. Po të bësh një kërkim të organikës së skuadrës greke në sezonin e fundit, i bie që PAS Janina ka pasur tre mbrojtës të majtë, Ilias Simantirakis, 19 vjeç, Anastasios Loupas, 18 vjeç, si dhe Dimitrios Naoumis, 20 vjeç. Logjikisht i bie që njëri nga këta tre mbrojtës të rinj të jetë në planet e Flamurtarit për krahun e majtë të mbrojtjes.

STAFI TEKNIK “GJIGANT”

Në numër, stafi teknik i Flamurtarit do të jetë më i madh se as një herë tjetër. Trajneri Karlos Garsia ka kërkuar që në staf të ketë dy ndihmës të tij. Përgatitësi atletik Animal Gonzales i është bashkuar skuadrës që në fillim. Dje ka mbërritur edhe një teknik nga Spanja, i cili do të ketë rolin e zv.trajnerit. Klubi ka kërkuar që të vijojnë në detyrat respektive edhe dy zv.trajnerët vendas, Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj. Ndërsa në detyrën e përgatitësit të portierëve do të jenë Luan Birçe dhe Erion Dinaj. Trajneri spanjoll ka rënë dakord me këtë kërkesë të klubit.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL