EKSKLUZIVE/ Elbasani ka armën e tij, Dialo, energji dhe instikt për gol! Sulmuesi senegalez: Frymëzohem nga Sadio Mane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2025 | 8:39

EKSKLUZIVE/ Elbasani ka armën e tij, Dialo, energji dhe instikt për gol! Sulmuesi senegalez: Frymëzohem nga Sadio Mane

Sulmuesi i Elbasanit, Ibrahima Dialo, është shndërruar brenda pak kohësh në një nga emrat më të spikatur të skuadrës verdheblu.dialoMe golin e shënuar ndaj Egnatias, ai ka lënë menjëherë gjurmë dhe ka treguar se mund të bëhet lideri i repartit ofensiv të ekipit të drejtuar nga trajneri Ivan Gvozdenoviç. Dialo nuk është ndalur vetëm te goli. Në dy javët e para të kampionatit ai ka spikatur me lojën e tij, duke u përzgjedhur edhe në formacionin e javës, çka e konfirmon si një nga lojtarët më në formë të kampionatit deri më tani. Energji, shpejtësi dhe instinkt për golin, këto janë disa nga armët që po e bëjnë 22- vjeçarin të dallohet menjëherë në elitën shqiptare.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Dialo flet për golin e parë, përshtypjet nga futbolli shqiptar, ambiciet personale dhe pritshmëritë për rrugëtimin e Elbasanit këtë sezon, duke zbuluar edhe anën e tij njerëzore jashtë fushës. Përveç performancës në fushë, sulmuesi senegalez është përshtatur shpejt me jetën në Shqipëri. Ai tregon se është i impresionuar nga mikpritja e njerëzve, shijon gatimet tradicionale, me “turlinë” që e cilëson si ushqimin e preferuar dhe se fjala e parë që ka mësuar këtu është “përshëndetje”. Ndërkohë, në jetën e tij sportive, Dialo nuk e fsheh se frymëzohet nga një ikonë e futbollit afrikan, Sadio Mane.

Dialo, shënuat golin e parë zyrtar me Elbasanin, si ndiheni?

Jam i lumtur që shënova golin e pare. Për më tepër, që munda të ndihmoj ekipin me paraqitjen time në fushën e lojës.

Megjithatë, në fund nuk morët dot fitoren, sa keq ju vjen?

Sigurisht, më vjen shumë keq për rezultatin, sepse mund t’i merrnim 3 pikët. Me atë se çfarë u prodhua besoj se i meritonim.

Në dy ndeshjet e para jeni zgjedhur në formacionin e javës, e prisnit?

Nuk mendoj për veten time. Për mua më e rëndësishmja është gjithmonë ekipi.

Është ky maksimumi juaj apo prisni më shumë?

Pres më shumë nga vetja. Po punoj çdo ditë për t’u përmirësuar dhe për të dhënë paraqitje më të mira që të ndihmoj ekipin.

Si ju duket Shqipëria, çfarë ju pëlqen më shumë?

Shqipëria është shumë e mirë. Ajo që më pëlqen më shumë janë njerëzit, janë të sjellshëm, mikpritës dhe gjithmonë vijnë të bisedojnë me mua, qoftë për futbollin apo për jetën.

Ushqimi i preferuar këtu?

Kam shumë ushqime të preferuara, por më i dashuri për mua është turli.

Fjala e parë që mësove në shqip?

Fjala e parë që mësova këtu ishte “përshëndetje”.

Nga cili lojtar frymëzoheni?

Lojtari që më ka frymëzuar më shumë në karrierë është Sadio Mane.

Si ju duket futbolli shqiptar në krahasim me ligat e tjera ku keni luajtur?

Dallimi midis kampionatit francez, ku luajta me Valenciennes dhe këtij këtu është se në Francë loja është shumë më fizike.

Deri ku synoni të arrini në të ardhmen?

I kam vendosur vetes objektiva të qarta: të shënoj, të jap shumë asistime, të fitoj trofe me Elbasanin dhe më pas të ngjitem sërish në nivelin më të lartë.

Rrugëtimin e Elbasanit si e prisni këtë sezon?

Si ekip, objektivi ynë është të fitojmë trofe këtë sezon dhe të kualifikohemi në Europë.

Cilat skuadra do të jenë rivalët tuaj?

Për mua, në këtë kampionat çdo ekip ka vlerë. Nuk ka më ekipe të vogla në futboll, sepse sot gjithkush mund të mposhtë këdo.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL