EKSKLUZIVE/ Elbasani “dashurohet” me brazilianët, gati firma me një mbrojtës
Midis Elbasanit dhe Brazilit duket se ka lindur një dashuri pa kushte. Thuhet kështu, pasi klubi ka projektuar një tjetër goditje në merkato, pikërisht nga vendi i sambas.

Pas suksesit me Leo Melon të afruar në verë, çka po rezulton një nga afrimet më të goditura në skuadër dhe atij të Leo Fernandesh që bëri debutimin ndaj Korabit me një paraqitje pozitive, verdheblutë kanë gati një tjetër afrim. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se këto ditë mbërrin në Elbasan një mbrojtës i majtë, i cili në bazë të dhënave të siguruara ka marrë menjëherë pëlqimin e drejtuesve dhe pritet të firmosë.
SALOMAO – Gazeta arrin të zbulojë edhe për cilin lojtar bëhet fjalë. Është Gustavo Salomao Miguel, i cili vjen nga Seria B braziliane. 26-vjeçari është një mbrojtës i majtë tipik brazilian, që për herë të fundit ka milituar në skuadrën e Londrinës të Serisë B braziliane dhe ka luajtur si një titullar fiks dhe i padiskutueshëm për këtë skuadër përgjatë kampionatit. E gjithë karriera e tij lidhet me vendin e lindjes, teksa më herët ka milituar në radhët e skuadrës së Barrës, Botafogos, Vitoria, Oeste, Ituano dhe Guarani. Kjo do të jetë hera e parë e tij në një aventurë jashtë vendit. I ndodhur në kulmin e karrierës, Salomao armën e tij më të fortë ka shpërthimet nga krahu i majtë dhe daljet në sulm. Ajo që bie në sy në karrierën e 26 vjeçarit është fakti që ka luajtur gjithnjë rregullisht në skuadrat ku ka marrë pjesë, një fakt ky që e ngroh klubin verdheblu, sepse bëhet fjalë për një futbollist që nuk do ta ketë të vështirë përshtatjen.
AFRIMET – Deri tani skuadra ka bërë zyrtarisht katër afrime, ku më i bujshmi është padyshim ai i Ardit Hilës, pasi erdhi nga skuadra e Tiranës. Me verdheblutë u bashkua edhe ish-i i Egnatias, Bledar Lila si edhe Reild Kurti që vjen nga radhët e skuadrës së Teutës. Tre lojtarë që vijnë nga elita, ndërsa tyre iu bashkua edhe braziliani Leo Fernandesh. Të katërt këta lojtarë bënë menjëherë debutimin ndaj Korabit. Me brazilianin Salomao afrimet do të shkojnë në pesë, por deri në fund të merkatos, që do të vijojë të jetë e hapur, edhe pse për një moment u mendua se klubi nuk do të bënte më ndërhyrje për shkak të numrit të lartë të lojtarëve.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













