EKSKLUZIVE/ Elbasani bën goditjen e parë të janarit, sulmuesi i ri vjen nga kampionati ukrainas me kontratën e veçantë
Klubi i Elbasanit ka bërë lëvizjen e parë në merkaton e janarit sa u përket afrimeve në radhët e verdhebluve për të përforcuar grupin e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç. Skuadra ka bërë mirë deri tani duke qenë plotësisht në garën për titullin kampion, por verdheblutë duan që të kenë në dispozicion sa më shumë elementë cilësorë për vijimin e sezonit.

“Panorama Sport” mëson se afrimi i parë i janarit për Elbasanin është sulmuesi kamerunas Samuel Nongoh. Lojtari 21-vjeçar, i cili aktivizohet kryesisht në krahun e djathtë të repartit të avancuar, vjen nga elita e futbollit në Ukrainë, ku ka veshur fanellën e Veres Rivne në dy sezonet e fundit.
Ai ka luajtur më parë në kampionatin kroat me Slaven Belupo si dhe në atë turk, ku ka qenë pjesë e Adana Demirspor, që e mori nga një akademi në Kamerun ku ai kishte spikatur duke u bërë pjesë edhe e ekipit kombëtar U17.
Transferimi i Nongoh nga radhët e ekipit ukrainas është bërë me një kontratë të veçantë, pasi për sulmuesin nuk është paguar një kuotë transferimi nga Elbasani. Megjithatë, klubi i Veres Rivne, ka ruajtur një përqindje nga një shitje e ardhshme e lojtarit, me të cilin kishte kontratë deri në verën e vitit 2027.
PANORAMASPORT.AL













