EKSKLUZIVE/ E mbylli në Kategorinë e parë, Mateli i “shkel syrin” Tiranës: Po pres të bisedoj me drejtuesit
Valbona e mbylli aventurën e parë si vizitore në Kategorinë e Parë, pasi kanë zbritur sërish në të Dytën. Problemet qenë të shumta për tropojanë gjatë sezonit, ku javët e fundit u detyruan t’i përballojnë me vetëm 12 lojtarë në dispozicion.

Grupi i mbetur ishin heronjtë e vërtetë të Valbonës dhe njëri prej tyre ishte edhe 24-vjeçari kryeqytetas, Arenc Mateli, që vinte pas eksperiencave në Turqi dhe Kosovë, ku ishte pjesë e Ballkanit, Prishtinës dhe Gjilanit. U rikthye në kampionatin shqiptar, pasi karrierën pas formimit profesionist te akademia Tirana e nisi me Kukësin në sezonin 2020-2021.
Pas 6 vitesh karrierë, në janar të këtij viti, ai u bë pjesë e Valbonës. Mateli erdhi nga skuadra e Gjilanit, pikërisht në momentin më kritik të tropojanëve, për të bërë më të mirën e mundshme, që ekipi të mos binte nga kategoria.
Për “Panorama Sport”, Mateli tregoi rreth së ardhmes së tij, pas eksperiencës me Valbonën: “Jam në pritje të nënshkrimit të një kontrate të re, por do të mendohem mirë. Kam disa oferta nga skuadrat kosovare. Po pres që të bisedoj edhe me drejtuesit e klubit të Tiranës, për një rikthim të mundshëm, aty ku u linda si futbollist.
Jam në bisedime edhe me disa ekipe të Kosovës, për t’iu rikthyer sërish kampionatit kosovar. Duke qenë në një moshë më të pjekur dhe më i fortë si futbollist, dua të nënshkruaj me ekipe elitare. Dëshira ime është të rikthehem në kryeqytet, pasi dua të jem pranë familjes. Shërbimet e mia si sulmues dhe si mesfushor, gjithmonë kanë qenë në favor të skuadrave ku kam luajtur”, u shpreh Mateli.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













