EKSKLUZIVE/ Drejtori Ferko: Flamurtari do gjithçka këtë sezon, i ofrojmë qytetit një stadium dinjitoz
Alfred Ferko tregon planin e merkatos së Flamurtarit. Drejtori i klubit thotë se janë afruar emra “big” dhe se klubi ka punuar shumë në këtë drejtim me qëllim që të afrohen futbollistë që t’i përshtaten kuqezinjve.

Për “Panorama Sport”, Ferko thekson se është bërë një merkatos e kujdesshme.
”Është një fazë shumë e rëndësishme për ne. Skuadra po punon fortë në Turqi. Ekipi është kompletuar. Natyrisht që presim edhe prurje të tjera të lojtarëve dhe do t’i shikojmë me kujdes. E rëndësishme është që ka entuziazëm, punohet jashtëzakonisht mirë. Vajtja në Turqi shërben që ekipi të marrë formë, të krijohet ai ekipi që ne mendojmë që do të jetë i gatshëm për kampionatin. Kemi afruar emra ‘big’. Por kemi punuar për të afruar edhe lojtarë që i përshtaten Flamurtarit”, shprehet fillimisht Ferko.
PRITSHMËRIA – Alfred Ferko thotë se pret një skuadër të denjë. Merkato mbetet e hapur për afrimin e elementëve cilësorë.
“Flamurtari është në rrugën e konsolidimit. Kemi marrë lojtarë shumë të rëndësishëm. Kemi ndërhyrë dhe do të ndërhyjmë aty ku kemi nevojë. Do të jetë një ekip i denjë. Presim një Flamurtar që do të bëjë maksimumin si në kampionat, dhe në Kupë, për të pretenduar gjithçka. Duhet të fitojmë gjithçka. Të gjithë presim këtë Flamurtar të ri”, thotë drejtori i klubit.
PROJEKTI – Rikthimin e Flamurtarit në Superiore e prisnin të gjithë. Drejtori Alfred Ferko thotë se, përveç një ekipi shumë të mirë, Vlorës po i ofrohet dhe një projekt madhor i stadiumit që aktualisht është një kantier ndërtimi.
“Hapi i madh i Flamurtarit në elitë u bë. Ajo që ne prisnim të gjithë, rikthimin në Superiore. Përveç një ekipi shumë të mirë, do t’i afrojmë qytetit dhe një stadium dinjitoz. Është hap shumë i rëndësishëm për Flamurtarin dhe një projekt i madh dhe ambicioz. Do të rris cilësinë e Flamurtarit, por edhe të jetës së qytetit të Vlorës”, përfundon Ferko.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













