EKSKLUZIVE/ Dinamo nuk rinovon me mesfushorin, zbulohen ofertat e klubeve rivale për lojtarët e “nëndetëses”
Dinamo e ka mbyllur sezonin në vendin e katërt për të dytin vit radhazi, ndërsa pas ndeshjes së fundit ndaj Egnatias, skuadra ka hyrë në një periudhë të shkurtër pushimi.

Përgatitjet për sezonin e ri dhe pjesëmarrjen në Europë pritet të nisin në ditët e para të qershorit, por situata rreth ekipit mbetet e paqartë, sidomos sa i përket kontratave dhe rinovimeve.
LOJTARËT PA KONTRATA – Dinamo po përballet me një moment delikat, ku një numër i madh lojtarësh janë në fund kontrate dhe rinovimet po ecin me ritme të ngadalta, ndërsa disa prej tyre ende nuk kanë marrë asnjë sinjal konkret për vazhdimësinë. Në këtë situatë, vëmendja nuk është më vetëm te rinovimet, por edhe te lëvizjet që po ndodhin rreth lojtarëve të skuadrës.
Klube të tjera të Superiores kanë nisur të kontaktojnë futbollistët e Dinamos, duke hapur një fazë të re pasigurie për projektin e bluve. Emra si Dejvi Bregu, Naser Aliji, Lorenco Vila, Andre Teikseira, Jorgo Meksi dhe të tjerë janë në një situatë të hapur, ku ende nuk ka marrëveshje për vazhdimësinë.
Ndërkohë, për Ledio Beqjen klubi pritet të mos aktivizojë opsionin e blerjes, duke e lënë lojtarin të lirë në treg. Beqja ka pasur një sezon të vështirë me shumë dëmtime dhe për të blerë kartonin e tij, klubi duhet të paguajë rreth 150 mijë euro, shumë kjo e lartë për klubin duke parë parasysh edhe dëmtimet e shumta.
Nga ana tjetër, disa futbollistë janë gjithashtu në pritje të vendimeve finale, pavarësisht se për ta ka interesim nga klube të tjera të Superiores. Teuta ka shfaqur interes konkret për disa emra si Lorenco Vila e Dejvi Bregu, ndërsa Egnatia po monitoron situatën e Naser Alijit. Nga ana tjetër, Vllaznia ka hyrë në garë për Eridon Qardakun, duke e bërë edhe më të komplikuar situatën për drejtuesit dinamovitë. Skuadra pritet të rikthehet në stërvitje brenda pak ditësh për të nisur përgatitjet për sezonin e ri dhe ndeshjet në Europë, fillimisht në Tiranë dhe më pas me mundësi për fazë përgatitore jashtë vendit.
Megjithatë, ajo që bie në sy është vonesa në rinovimet e shumta, të cilat kanë krijuar pasiguri rreth projektit të skuadrës. Nuk është ende e qartë nëse kjo situatë lidhet me strategjinë e klubit, me ndryshime në projekt sportiv apo me çështje financiare, ndërsa në të njëjtën kohë disa klube të Superiores kanë nisur lëvizjet për të kontaktuar lojtarët e Dinamos.
Nga kampi blu, janë të bindur se lojtarët kanë premtuar se fillimisht do të bisedohet me Dinamon për të parë ofertë e tyre, e më pas do të merret një vendim, megjithatë një ofertë tunduese nga klubet e tjera, nuk do të ishte çudi që të bindë lojtarët, para se Dinamo të paraqesë ofertë rinovimi. Ditët në vijim, pritet të jenë të nxehta në kampin blu pasi asgjë nuk është e qartë.
RINOVIMET – Sa i përket rinovimeve, dy prej lojtarëve kryesorë duket se kanë mbyllur çështjen e tyre me klubin. Bruno Dita dhe Aldo Teqja kanë arritur marrëveshje paraprake për vazhdimin e bashkëpunimit me Dinamon dhe pritet vetëm formalizimi i kontratave sapo lojtarët të rikthehen nga pushimet. Të gjithë lojtarët e tjerë që janë në fund kontrate mbeten ende në pritje, ndërsa nuk ka sinjale të qarta për negociatat.
MERKATOJA – Nga ana tjetër, drejtuesit janë duke punuar për të siguruar edhe lojtarë të rinj duke qenë se në sezonin që sapo u mbyll, shpesh herë trajneri Daja është dashur të improvizojë në formacion. Dëmtimet dhe mungesat për shkak të pezullimeve, u kthyen në një problem madhor. “Panorama Sport” ka mësuar se blutë po studiojnë tregun nga futbolli i Kosovës dhe ai i Maqedonisë së Veriut duke qenë se në vitet e fundit, ka pasur goditje të mira në këto kampionat. Mjafton të përmenden emra si Hekuran Berisha i cili kthehet nga huazimi apo edhe Faton Neziri e Baton Zabërgja, me këtë të fundit protagonist absolut.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













