EKSKLUZIVE/ Dinamo në kërkim të dy lojtarëve, klubi i Superiores rrit pazarin. “Nëndetësja” negocion për çmimin
Dinamo pritet të ketë afrime të shumta në merkaton e janarit megjithëse ditët po kalojnë dhe afati për transferime, po vjen drejt fundit.
Daja ka kërkuar ndërhyrje emergjente në sulm e mbrojtje sepse ka pasur vështirësi në javët e fundit si në shënimin e golave ashtu edhe në prapavijë duke qenë se dëmtimet janë kthyer në makth për skuadrën kryeqytetase. Ndërkohë, “Panorama Sport” ka mësuar se Dinamo nuk është skuadra që ka vetëm përfitime me shitje lojtarësh, por është edhe skuadër që ndërhyn për të blerë lojtarë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për shuma të mëdha, ka një hezitim dhe gjithmonë ka vend për negociata dhe diçka e tillë po ndodh edhe së fundmi.
MALOMO DHE MUSTAFA- Dinamo duket se e ka gjetur sulmuesin që i duhet për pjesën e mbetur të kampionatit dhe së bashku me të, do të jetë edhe mesfushori. Kështu, blutë kanë hedhur sytë nga Bylisi ku Malomo dhe Mustafa janë dy lojtarët që pritet të jenë pjesë e bluve për pjesën e mbetur të sezonit edhe pse gjërat kanë ngecur për çështje financiare. “Panorama Sport” mëson se Bylisi ka rritur kërkesën për dy lojtarët dhe i ka komunikuar Dinamos se kërkon 500 mijë euro për të dy lojtarët, ose përkatësisht nga 250 mijë euro për kartonin e së cilit. Vetëm pak ditë më parë, Dinamo shiti Karambën 200 mijë euro në Turqi dhe duket e vështirë që klubi të investojë një shumë të tillë, për më tepër duke menduar se janë lojtarë nga kampionati shqiptar dhe është merkato e janarit. Në kushte të tilla, drejtuesit kanë hyrë në negociata me klubin ballshiot, ku është paraqitur një tjetër ofertë në tavolinë.
Dinamo është e gatshme të ofrojë 200 mijë euro për të marrë shërbimet e të dy lojtarëve dhe njëkohësisht, klubi i Bylisit do të ruajë përqindje nga kartoni i tyre, që në rast se dy lojtarët shiten në të ardhmen, atëherë do të ketë një tjetër përfitim financiar. Aktualisht, situata ka mbetur e ngrirë dhe presidenca e Bylisit, është në pritje të lëtyre dy ndeshjeve të fundit para se të mbyllet merkatoja e më pas për të vendosur se çfarë do të bëhet me dy lojtarët. Nga ana tjetër, Dinamo nuk ka shumë kohë për të pritur pasi ndeshja e dytë luhet pikërisht në ditën e fundit të merkatos së janarit dhe koha për të firmosur është shumë e limituar. Aktualisht, Dinamo është me një skuadër të cunguar, duke qenë se veç largimit të Karambës e Jonuzit, janë edhe Neziri, Maliqi, Beqja, Lorran, Hoxha e Aliji të dëmtuar, duke mos pasur mundësi të japin kontributin e tyre për javët në vazhdim. Nuk përjashtohet mundësia që Dinamo të përfshijë në këto tratativa edhe futbollistë të tjerë të cilët mund t’i transferojë te Bylisi, gjithmonë nëse edhe lojtarët do të jenë dakord të largohen nga një skuadër pretendente, për të firmosur me një ekip që lufton për mbijetesë. E sigurt është që ditët e ardhshme, do të jenë të nxehta në të dyja kampet dhe afrime do të ketë.
MBROJTJA– Veç probleme në sulm dhe kërkesës së vazhdueshme të Dajës për të pasur një sulmues me eksperiencë, probleme të mëdha ka në mbrojtje. Në sfidën e fundit ndaj Vllaznisë, Daja u shpreh se kishte shumë lojtarë sulmues në stol dhe në fushë ndërkohë që duhej të kishte afrime në merkato. Një nga emrat më të nxehtë në merkato për momentin, është Andi Hadroj që do të kompletonte krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërkohë që me shumë gjasa do të ketë afrime edhe në qendër. Aktualisht, vetëm Teikseira është mbrojtës qendre i gatshëm dhe Dita që si pozicion natyral ka mesfushën. Sakaq, Beqja që ka luajtur mbrojtës është i dëmtuar, gjithashtu edhe Aliji që është mbrojtës i majtë por që është zhvendosur në qendër, është i dëmtuar.
HEKURAN BERISHA- Në fakt kjo nuk është hera e parë që Dinamo tregon gatishmërinë e saj për të blerë futbollistë, kur bëhet fjalë për cilësi. Në merkaton e verës, dinamovitët kanë paguar për kartonin e Hekuran Berishës, vlera e të cilit arrinte në 150 mijë euro. Megjithatë, Berisha nuk është një nga lojtarët që preferohet nga Daja dhe shpesh herë është lënë jashtë skuadrës duke u mjaftuar me nxehmje e minuta të pakta vetëm në minutat e fundit. Gjithsesi, Berisha ka ditur të përfitojë nga pak minutat që ka pasur pasi ka shënuar 3 gola, një në Konferencë, një në Kupë dhe një tjetër në kampionat.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













