EKSKLUZIVE/ Dështon trajneri anglez për Tiranën, sulmuesi i ri zbret në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2025 | 8:44

EKSKLUZIVE/ Dështon trajneri anglez për Tiranën, sulmuesi i ri zbret në fushë

Tirana ka qenë shumë pranë nënshkrimit të një kontrate me një trajner anglez, por në momentin e fundit gjithçka u “hodh në erë”. Burime në klubin bardheblu bëjnë me dije një fakt të tillë. Emri nuk bëhet i ditur, por mësohet se gjithçka është prishur për sa u përket kushteve kontraktuale, ndërsa Tirana tani ka nisur prej fillimit gjetjen e një trajneri tjetër, i cili këtë herë do të jetë shqiptar.

tirana

STËRVITJA – Gjatë ditës së djeshme, skuadra është stërvitur në “Skënder Halili”. Grupi sërish nuk ka qenë i plotë. Prej të huajve asnjë nuk ishte i pranishëm. Nga ana tjetër, gjeorgjiani Tsotne Patsatsia ka mbërritur dje në Tiranë. Ai ka mbyllur marrëveshjen me klubin, ndërsa ka qenë edhe në stërvitje, duke u njohur me shokët dhe ambientet e stërvitjes. Ai është goditja e parë e bardhebluve në këtë merkato. 25-vjeçari aktivizohet në krahun e djathtë të sulmit.

Në sezonin e kaluar ishte pjesë e Torpedo Kutaisit. Patsatsia ishte pjesë e skuadrës së Torpedos, kur eliminuan bardheblutë në turin e parë të Ligës së Konferencës. Dhe pse në të dyja ndeshjet nuk mori asnjë minutë, Patsatsia ishte një nga lojtarët më të dalluar të Ligës Kombëtare gjeorgjiane, “Kristalbet”.

Muajin e kaluar, ai e ndërpreu kontratën me Torpedo Kutaisi me pëlqim të ndërsjellë dhe do t’i bashkohet klubit shqiptar si lojtar i lirë. Tirana është klubi i parë i huaj për sulmuesin 25-vjeçar gjeorgjian. Ai ka luajtur për Merani Martvili, Gagra, Shukura Kobuleti, Dinamo Batumi dhe Torpedo Kutaisi. Në sezonin 2025, ai shënoi 2 gola dhe dha 2 asiste në 18 ndeshje (8 si titullar). Patsatsia është thirrur gjithashtu në ekipet kombëtare gjeorgjiane nën 18, 19, 20 dhe 21 vjeç.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL