EKSKLUZIVE/ Dajsinani: Tsaguen e ndala me intuitë, fitojmë me Partizanin (E PLOTË)
Nëse Egnatia e këtij fillimviti duket si një skuadër që funksionon në perfeksion, një meritë e veçantë vjen edhe nga porta.
Në ndeshjen me Elbasanin ishte Mario Dajsinani ai që u dha një dorë kampionëve për të marrë fitoren e 8-të radhazi dhe për të ruajtur vendin e parë.
Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport” pas ndeshjes, 26-vjeçari kavajas rrëfen se ia ka pritur dy herë penalltinë Tsagues, ndërsa shpreson që rrogozhinasit të vazhdojnë me këtë ecuri. Kalimin tek Egnatia e sheh si një trampolinë për të shkuar më larg. Dajsinani beson se për një tjetër rezultat pozitiv në sfidën e radhës me Partizanin. “Gardiani” i kampionëve ka edhe një model dhe ai është portieri i Realit të Madridit.
Dajnsinani, si ndiheni pas fitores me Elbasanin?
Normalisht, ishte një ndeshje e vështirë, pasi kishim edhe disa mungesa. Por e rëndësishme për ne ishte të ruanim vazhdimësinë pas rezultateve pozitive dhe për fat të mirë ia dolëm.
Mund të na shpjegoni pak momentin e penalltisë së pritur ndaj Tsagues?
Në fakt, ishte penalltia e dytë që kisha përballë sulmuesin e Elbasanit. Ia kisha pritur edhe penalltinë e parë kur isha në Laç. Kisha besim shumë se do ta prisja, ndoshta intuita në momentin e fundit më ndihmoi.
Si e pritët kalimin nga Laçi tek Egnatia?
Jam i lumtur që jam pjesë e ekipit të Egnatias, sepse dihen vlerat që ka. Shpresoj që të jetë një “trampolinë” e mirë për mua.
Keni mbajtur shumë herë portën të paprekur, çfarë objektivash personale keni për të ardhmen?
Çdo portier përpiqet ta mbajë portën të paprekur sa më gjatë. Por golat janë gjëra që ndodhin në futboll dhe duhet t’i pranojmë
Ndeshja e radhës është me Partizanin rival, si e prisni?
Është një ndeshje e vështirë, ku dihet që Partizani është një rival direkt për “Final 4”. Luajmë përpara tifozëve tanë dhe shpresojmë t’i marrim më të mirën këtij takimi.
Presioni sa vjen e rritet, a do të jetë e aftë Egnatia ta ruajë vendin e parë deri në fund?
Nuk mund të them që ka shumë presion, pasi të gjithë e dimë kualitetin që kemi. Djemtë janë shumë pozitivë, jemi të gjithë “një dhe një për të gjithë”. E rëndësishme për ne është që të ruajmë vazhdimësinë.
Cilin portier keni idhull?
Portierin e Realit të Madridit, Tibo Kurtua.
V. MEMA-PANORAMASPORT.AL













