EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-mesfushorit të Kombëtares, Altin Lala: Ne ishim si iPhone 1! Reja ia bëri Silvinjos… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2025 | 23:38

EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-mesfushorit të Kombëtares, Altin Lala: Ne ishim si iPhone 1! Reja ia bëri Silvinjos… (E PLOTË)

Altin Lala e ka vlerësuar Kombëtaren si një nga skuadrat më të mira, duke i dhënë padyshim merita trajnerit Silvinjo, por gjithashtu edhe Edi Rejës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i Kombëtares ka dhënë edhe këshillat e tij për të pasur një skuadër ndoshta edhe më të fortë, teksa ka analizuar paraqitjet e ekipit.

ALTIN LALA

Altin, si e vlerëson paraqitjen e Kombëtares në kualifikueset e Botërorit, duke parë edhe renditjen?

Tani, të them të drejtë, duke parë grupin që ne kishim ku Anglia është absolutisht një prej skuadrave më të forta të botës dhe Serbia pastaj si rival, po themi jo vetëm nga ana sportive, por dhe nga ana pak politike. Pavarësisht se unë jam kundër në përzierjen e sportit me politikën, por për shkak që kemi pasur edhe ato ndeshjet e 2014-ës, ishte pak po themi, sensibël ose jo aq e lehtë për ne. Kështu që, duke marrë parasysh që vendi i dyti ishte qëllimi kryesor dhe një sukses i madh, atëherë mendoj që kemi arritur absolutisht maksimumin.

Po loja që ka zhvilluar skuadra, a ju ka pëlqyer?

Ka pasur dhe pak dritë hije, pavarësisht që në ndeshjen me Serbinë, për shembull, që kishim episodin e penalltisë që ndoshta do ta kishim fituar, që luajtën mirë dhe ndeshjen e dytë me Serbinë, dhe këto dy ndeshjet ishin ndeshjet kryesore. Pastaj me Andorrën vuajtëm pak në ndeshjen e fundit, apo edhe ndeshjen që barazuam në transfertë me Letoninë. Ishte ajo ndeshje na dha pak shije të keqe por kemi parasysh, që në fund të ditës dolëm mirë dhe në fakt po të hedhim një sy nga e kaluara, kujtojmë se ne kemi pasur historikisht probleme me skuadrat e vogla, siç e treguam edhe pak ndoshta me Andorrën.

Por, kur ti në fund të ditës merr rezultat, quhet sukses pa marrë parasysh rrugëtimin dhe kjo vetëm në futboll por në çdo sport, luhet për rezultat. Pastaj, natyrisht që do t’i analizosh si staf, ku trajneri do të reflektojë nëse ka bërë mirë dhe çfarë mund të bënte dhe më mirë ose çfarë kanë bërë keq.

Për përmirësime, është një temë që mund të rrish gjithë kohës. Po, ne patëm disa çedime por në fund të ditës arritëm të fitonim dhe të renditeshim në vendin e dytë në klasifikim dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Na mban ende në garë për një vend në Botëror dhe kemi dy shanse të tjera. Ose, më mirë mund të them një shans fillimisht sepse duhet të kalojmë Poloninë, pastaj të mendojmë për finalen për të bërë dy ndeshje.

Si i sheh këto dy ndeshjet në mars, natyrisht ndaj Polonisë e më pas finalen e mundshme?

Shiko, në short kishte mundësi për më mirë por sigurisht edhe për më keq. Megjithatë, unë them që vetëm Italia dhe Turqia ishin dy skuadrat më të forta që kanë mbetur në “Play Off” dhe nëse i heq këto të dyja, të gjitha të tjerat janë aty-aty. Ne kemi fat që këto dy skuadrat nuk do ti kemi as në të parë dhe as në të dytën, por unë sërish nuk jam euforik dhe nuk dua që të mendoj për ndeshjen e dytë pa kaluar kjo e para një herë. Po të shohim ndeshjen e parë, Polonia është një skuadër që ka cilësi, është skuadër e mirë por mendoj se nuk është një skuadër shumë larg nga niveli ynë.

Është para nesh, luan në shtëpi, por unë mendoj që duke e parë nga eksperienca ose nga çfarë di për futbollin polak, që edhe tifozët i kanë shumë kritikë, janë të zjarrtë. Por kur ndeshja mund të çedojë ose sa më tepër të mbajmë rezultat dhe kundërshtar larg portës, duhet të nxisim edhe tifozët kundër skuadrës së vet. Ata nuk kanë një mentalitet po themi si gjermanët ose si italianët, por kanë një mentalitet tjetër në sport dhe mund t’i thyesh. Ama, atyre po iu le hapësira janë shumë të rrezikshëm se kanë kualitet brenda plus dhe Levandovskin që është një lojtar jashtëzakonisht shumë i rrezikshëm, që edhe në zonat e ngushta mund të shënojë. Kjo është tema kryesore. Në qoftë se e mbyllim mirë Levandovskin dhe i mbajmë ata larg nga porta, atëherë kemi shanse shumë të mëdha për të fituar dhe kualifikuar për në finale.

Po lojtarët që ka përdorur Silvinjo deri më tani, si i ke parë?

Po faktikisht aty ka me të vërtetë lojtarë të mirë, nga shumë njerëz që janë në afër sportit, kanë edhe ato mendimet e tyre. Natyrisht edhe Medon Berisha është një ndër lojtaret, po themi, ku ka luajtur jashtëzakonisht mirë, është lojtari i ri me Leçen që ka marrë pak minuta. Uzuni tani ka filluar të marrë pak më tepër minuta, por mendoj që në të kaluarën ka pasur edhe ai pak minuta. Pastaj Bajrami është gjiashtu. Janë disa lojtarë, që ndoshta mund të kishin luajtur më shumë dhe po të isha unë trajner, mund të kisha vendosur ndryshe. Por, ai në fund ditës ka marr rezultatin dhe natyrisht që merr meritat e tij për këtë gjë.

Një gjë që shoh unë, për shembull, që Brojën nuk e shoh në këtë pozicionin. Unë e kam thënë që nga fillimi që në ndeshjen e parë kur kaloi nga djathta, ai për shembull nuk i përshtatet shumë atij pozicionit sepse lëvizjet dhe veprimet që bën lojtari i krahut, nuk përshtaten me veprimet që mund të bësh kur je në qendër. Dhe po ta shohësh me vëmendje, shpesh herë janë veprime pa top që duhet t’i bënte Hysaj dhe ai nuk e ka pasur ato po themi “timing”- un e duhur dhe nuk ka qenë i saktë me lëvizjet që duhet të bëhen në krah. Edhe ajo është një pikëpyetje pastaj për mua, sepse tani në qoftë se ti shikon një, dy, tre lojë, që lojtari për shembull nuk funksionon në atë pozicion, atëherë i vendosim lojtarin presion edhe nuk ka atë rendimentin që presin njerëzit. Edhe kjo është një temë më vete.

A ju ka befasuar ndonjë lojtar deri më tani?

Po në tërësi trajneri ka përzgjedhur shumë lojtarë dhe siçe thashë, do të kisha parë edhe Medon Berishën që luan në Serinë A dhe pavarësisht se është i ri, do të doja ta shihja me më tepër minutazh. Ka dhe Dakun. Milind Daku ka marrë pak minutazh, i cili edhe ai ka shënuar shumë gola, por unë mendoj se ai nuk i ka pasur ato minuta që ndoshta meritonte. Por si do qoftë, ki parasysh që trajneri në fund fare bën zgjedhjen. Ne e shohim edhe pak nga larg, por në atë çka i njoh unë lojtarët edhe ndoshta ai ka ato mendimet e veta, por ndoshta këto janë ato tre-katër gjëra që e shohin. Përndryshe edhe një herë ne po kritikojmë dhe jemi kritikë dhe kur jemi në vendin e dytë që është absolut dhe nuk të lë hapësirë për të bërë kritika por mund të kemi hapësirë për t’u përmirësuar

A ka Kombëtarja sot një lojtar si Altin Lala?

Po në fakt të them të drejtën nga koha kur unë kam qenë dhe sot, futbolli ka ndryshuar dhe vazhdon ndryshon. Kjo ka ndryshuar faktikisht unë kam qenë tipik, para mbrojtësit që ka fituar dy luftimet, kam shfrytëzuar edhe topat, por pjesa ime ka qenë më shumë volum loje dhe po themi Asllani që është lojtar niveli tjetër, në sensin që ka edhe organizimin ose kërkon gjithmonë të marrë topin edhe ka në vërtet shumë influencë tek loja, se luan edhe topat e gjatë, topat shkurtër e merr topin. Shpesh herë edhe poshtë mbrojtjes dhe në mesfushë, që ka gjithmonë një zgjidhje. Jo, sdua të krahasoj dhe nuk jam tre ajo dhe e kam thënë edhe herë të tjera që kur vjen kjo me punë e krahasimeve është e njohur si puna e iPhone-ave që ne kemi qenë iPhone 1 dhe tani ka dalë 17 në mos gaboj. Kështu që gjithmonë futbolli evoluon është më i mirë, ka më tepër intensitet, ka më tepër informacion, ka ecur para shumë. Atëherë ka qenë më kaotik ose më bio, sepse ti duhej ta gjeje zgjidhjen vetë ndërsa tani ka ndryshuar situata sepse vijnë me “Laptop” dhe të japin disa zgjidhje që mund të bësh. Trajnerët, asistentët, kushtet e fushës, fushat e lojës apo edhe shumë gjëra të tjera janë që kanë ndryshuar shumë.

Po nëse bën një krahasim të Kombëtares së De Biazit dhe kësaj të Silvinjos, cilën sheh si më të fortë?

Duhet me thënë atë që është dhe them se kjo e Silvinjos. Shkon edhe në evropian dhe patëm kundërshtarë jashtëzakonisht të fortë. Unë pata frikë me thënë atë që është, se ndoshta ke bërë mirë herën e parë dhe herën e dytë do të shkosh e të pësosh shumë gola. Edhe herën e parë ishte diçka fantastike. Normalisht ishte hera e parë ajo do mbahet mend gjithmonë. Herë e dytë pastaj mu duk skuadra edhe më e mbledhur si me thënë pasi ndaj Italisë shënuam gol, ndaj Kroacisë shënuam dy gola. Kishim Spanjën prapë, që ishte skuadra më e fortë edhe aty patëm një lojë me shumë dinjitet plus dhe ana e tifozëve ishte fantastike. Ndoshta për mua është ajo kombëtare. Ne kemi arritur një nivel shumë të mirë dhe jemi larg, shumë larg nga kushtet që kemi pasur ne

Po si përfundim, duke parë ecurinë nën drejtimin e Silvinjos, a mendon se duhet rinovuar kontrata e tij edhe për Europianin e ardhshëm?

Shiko, ne nuk duhet të harrojmë edhe Edi Rejën, i cili me të vërtetë me çfarë kam njohur vet nga brenda, ka qenë një seleksionues jashtëzakonisht i mirë, që ka bërë mirë dhe ka thirrur shumë lojtarë. Ai ka pasur qartësi për të sjellë lojtarë dhe e ka rritur padyshim nivelin e ekipit tonë dhe unë mendoj që ai ka pasur një rol jashtëzakonisht shumë të mirë. Dhe tani, ja ka bërë edhe Silvinjos më të lehtë. Pavarësisht se edhe Silvinjo ka bërë jashtëzakonisht mirë, sepse jemi një herë në Kampionat botëror edhe një herë në Europian dhe dalësh edhe tani në “play off”. Është arritje e madhe, pastaj varet çfarë kërkon të trajneri ose si është në gjendje ai, a ka energji ta vazhdojë, se shpesh herë një gjë që vazhdon edhe mbaron dikur. Mendoj që pas këtyre ndeshjeve atëherë ata do vendosin se nëse e arrin Kampionatin botëror natyrisht që do ishte diçka e madhe dhe mendoj që edhe trajneri do të vazhdojë. Në qoftë se jo, pastaj kanë kohë për të biseduar dhe pastaj për të dalë në një vendim që besoj se do ta bëjë edhe presidenti i FSHF-së.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL