EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-futbollistit bardheblu, Omuri: Mbrojtja dhe mungesa e identitetit po e fundosin Tiranën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2025 | 21:54

EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-futbollistit bardheblu, Omuri: Mbrojtja dhe mungesa e identitetit po e fundosin Tiranën (E PLOTË)

Tirana po kalon një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit. Me rezultate që nuk reflektojnë pritshmëritë dhe me një luftë të hapur për mbijetesë në Superiore.

Omuri

Në këtë kontekst delikat, fjalën e merr Bedri Omuri, ish-lojtar i Tiranës, Kombëtares shqiptare dhe si një njohës i thellë i futbollit vendas, i cili analizon pa dorashka situatën bardheblu. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Omuri flet për problemet strukturore të Tiranës, gabimet në merkato, mbrojtjen e brishtë, mungesën e identitetit dhe rëndësinë e akademisë, si dhe ndalet te ndeshja me Vllazninë dhe te ecuria e Kombëtares shqiptare.

Profesor Omuri, si e shihni situatën aktuale të Tiranës?

Situata është e vështirë. Në përgjithësi, si lojë Tirana nuk ka luajtur keq, kjo duhet thënë. Por problemi është se nuk po merren rezultatet. Nuk e di se çfarë mund të rregullohet menjëherë. Mund të ketë ndonjë përmirësim, por më duket e vështirë që Tirana të qëndrojë në Superiore në këto kushte. Ka katër-pesë ekipe që luftojnë për mbijetesën, fitojnë ndeshje dhe gjithçka mbetet e hapur.

Sipas jush, Tirana po kalon një periudhë të keqe apo thjesht një moment të vështirë?

Nuk mund të them se ka luajtur shumë keq në kuptimin absolut. Por ekipi nuk është i qëndrueshëm. Nuk e di se ku do të shkojë kjo situatë. Pëson shumë gola dhe kjo e penalizon. Kur nuk ke stabilitet, është e vështirë të ndërtosh vazhdimësi.

Mendoni se ka pasur gabime në merkato, më saktë në mbledhjen e lojtarëve gjatë qershor-korrikut?

Nuk e di se çfarë strategjie po ndiqet. Kjo situatë nuk është e qëndrueshme për vite me radhë. Tirana prej kohësh merr lojtarë për pak para, por i paguan më shumë se sa e meritojnë. Nuk e kuptoj si mund të arrish rezultate kështu dhe si mund të dallosh nga ekipet e tjera. Për mua, kjo nuk është diçka normale për një klub me historinë e Tiranës.

Ku mendoni se është pika më e dobët e skuadrës, duke qenë se loja nuk duket aq e keqe?

Mbrojtja. Pa asnjë dyshim. Është shumë e dobët. Nuk e di saktësisht statistikat, por Tirana ka vetëm një ndeshje pa pësuar gol. Kjo është shumë pak. Pësojnë dy, tre apo katër gola dhe kjo të dëmton rëndë. Mbrojtja është problemi kryesor.

Si e shihni strategjinë e largimit të 12 lojtarëve dhe rindërtimit nga e para?

A mund të funksionojë? Varet nga lojtarët që merren. Nëse janë futbollistë që ia vlejnë dhe japin rezultat, mund të funksionojë. Por gjithçka varet nga niveli i tyre. Ka lojtarë titullarë dhe ka lojtarë rezervë. Nuk e di se çfarë niveli kanë ata që kanë ardhur tani. Nuk kam një ide të qartë për këtë dhe prandaj jam skeptik.

Disa nga lojtarët e rinj nuk duken të dobët, por ende nuk janë parë shumë në fushë…

Po, janë ende në pritje. Duhet të shihen në fushë. Nuk mjafton vetëm emri apo ajo që thuhet për ta. Vetëm ndeshja tregon realisht se çfarë lojtari ke.

Mendoni se mungesa e lojtarëve të dalë nga akademia e ka dëmtuar Tiranën?

Patjetër. Tirana duhet të kishte më shumë lojtarë nga akademia. Ata e njohin peshën e fanellës bardheblu. Lojtari që vjen për një vit, luan, merr rrogën dhe largohet, nuk ka lidhje emocionale me klubin. Sot Tirana po vuan sepse lojtarët nuk e ndiejnë përgjegjësinë dhe rëndësinë e kësaj fanelle.

A është e vështirë për Tiranën të përqendrohet vetëm te mbijetesa, pavarësisht optimizmit që shfaqet?

Po, është e vështirë. Janë gjashtë pikë diferencë dhe ekipet poshtë fitojnë. Katërpesë skuadra janë në luftë direkte. Për t’u barazuar me ta, duhet të fitosh dy-tre ndeshje radhazi dhe kjo nuk është e lehtë.

Cilat ekipe i shihni si rivalë direktë?

Bylisi, Vora dhe ekipe të tjera. Edhe Vora ka hyrë në valle. Janë ekipe që luftojnë fort dhe nuk dorëzohen. Të gjitha janë në garë.

Si e shihni futbollin shqiptar në përgjithësi këto kohë?

Nuk e di, por më duket se shumë gjëra zgjidhen lehtë, shpesh nga pakujdesia. Me gjithë këto para që qarkullojnë, futbolli nuk po ecën përpara sa duhet. Një lojtar nga akademia do të kishte më shumë dëshirë të luante për ekipin e parë dhe do ta ndiente më shumë fanellën.

Si e parashikoni ndeshjen Tirana-Vllaznia?

Mesfusha e Tiranës nuk më duket e keqe, por mbrojtja është shumë problematike. Pothuajse të gjithë golat pësohen në qendër. Edhe kundër Dinamos ndodhi e njëjta gjë. Kjo është shumë shqetësuese.

Si e gjykoni Kombëtaren shqiptare sot, duke qenë se keni qenë vetë pjesë e saj?

Kombëtarja nuk është keq, ka rritje, por unë personalisht nuk jam shumë optimist. Mundësitë janë, por ndeshjet me Poloninë dhe Ukrainën janë shumë të vështira. Polonia ka eksperiencë dhe lojtarë cilësorë.

Ju keni shënuar ndaj Polonisë në vitin 1985…

Po, në vitin 1985. Ajo Poloni ishte shumë e fortë, me lojtarë të mëdhenj që më pas u transferuan në Itali. Por edhe sot, me pak vëmendje, organizim dhe zgjedhje të mira nga trajneri, mund të arrihet diçka.

Një këshillë për Tiranën në këtë moment të vështirë?

Këshilla ime është e thjeshtë. Lojtarët duhet të kuptojnë rëndësinë e fanellës. Disa prej tyre nuk e ndiejnë peshën e këtij klubi. Pa këtë ndjenjë, është shumë e vështirë të shpëtosh sezonin.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL