Egnatia-Vllaznia, përballja që mund të ndryshojë kampionatin
Në Rrogozhinë është ndezur atmosfera e një përballjeje që mund të ndryshojë renditjen në krye të kampionatit. Egnatia pret nesër në shtëpi Vllazninë, në një sfidë direkte për vendin e parë, që pritet të jetë plot emocione, intensitet dhe rivalitet sportiv.

Bardhëjeshilët ndodhen vetëm një pikë larg shkodranëve dhe e dinë mirë se fitorja do t’i ngjiste në krye të tabelës, një objektiv që i motivon maksimalisht. Trajneri Edlir Tetova dhe skuadra e tij kanë punuar me qetësi gjatë gjithë javës për këtë duel. Atmosfera në grup është e mirë dhe besimi në radhët e futbollistëve është i dukshëm. Fitorja e mundshme ndaj një kundërshtari direkt si Vllaznia do të ishte më shumë se tre pike, do të ishte një deklaratë force se Egnatia është realisht pretendente për titullin e këtij sezoni.
MBROJTJA, PIKA E FORTË – Një nga arsyet kryesore që e ka çuar Egnatian në këto nivele është soliditeti mbrojtës. Tetova ka gjetur ekuilibrin perfekt në prapavijë, duke ndërtuar një linjë të hekurt që transmeton siguri në çdo ndeshje. Statistikat flasin vetë: vetëm katër gola të pësuar në nëntë ndeshje, një shifër që e rendit mbrojtjen e Egnatias ndër më të mirat e kampionatit. Edhe më mbresëlënëse është fakti se në katër ndeshjet e fundit, skuadra ka arritur të mbajë portën e paprekur, duke dëshmuar përqendrim maksimal dhe një koordinim të shkëlqyer mes mbrojtësve dhe portierit.
Kjo seri pa gola të pësuar ka rritur ndjeshëm vetëbesimin e skuadrës, që tashmë di të administrojë ritmin e lojës dhe të mbrojë me qetësi rezultatin. Me këtë mentalitet pritet të zbresë në fushë edhe ndaj Vllaznisë. Fillimisht, qëllimi është sigurimi i prapavijës dhe kontrolli i zonës, për të mos i dhënë hapësira një skuadre që di të shfrytëzojë çdo gabim. Vetëm pasi të kenë mbyllur çdo korridor rreziku, bardhëjeshilët do të kërkojnë të shfrytëzojnë momentet për të goditur me shpejtësi në kundërsulm.
MOTIVI DHE FRYMA E GRUPIT – Në ambientin e Egnatias ndihet fryma e bashkimit dhe dëshira për të bërë diçka të madhe. Lojtarët janë të ndërgjegjshëm se një fitore ndaj Vllaznisë do të ketë ndikim të madh jo vetëm në renditje, por edhe në aspektin psikologjik. Skuadra do të fitonte vetëbesim të plotë për pjesën e mbetur të kampionatit, ndërsa do të dërgonte një mesazh të qartë për rivalët. Në Rrogozhinë gjithçka është gati. Fusha, atmosfera dhe tifozët pritet të jenë në maksimum për të përkrahur skuadrën drejt një tjetër performance të madhe. Trajneri Tetova, që e njeh mirë rëndësinë e këtij takimi, ka kërkuar përqendrim absolut dhe qetësi në çdo moment të ndeshjes.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













