Egnatia “verbohet” nga “shkëlqimi”, kreu në rrezik
Egnatia nuk mundi të inauguronte me një fitore investimin më të fundit në impiantin e vet. Me sa duket u “verbua” nga dritat e stadiumit. Por gjithçka mund të lihet pas nga ajo që ndodhi të dielën, nëse kampionët ia dalin të fitojnë nesër përballë Dinamos.

Sfida do të startojë në orën 16.30 në “Egnatia Arena”, që tani ka një infrastrukturë për t’u pasur zili nga shumë klube të futbollit shqiptar. Kryesuesit e kampionatit presin t’ia shpërblejnë presidencës me rezultate në fushë, të cilat kanë munguar në përballjet e fundit.
KREU NË RREZIK – Barazimi në ndeshjen e fundit në shtëpi përballë skuadrës së Teutës, ka lënë shije të hidhur në kampin rrogozhinas, sepse i dha mundësinë rivalëve poshtë vetes të afrohen dhe t’i vënë në rrezik vendin e parë.
Skuadra që mund t’ia rrëmbejë kryesimin është pikërisht kundërshtari i kësaj të mërkure, Dinamo. Për këtë arsye, përballja me blutë e kryeqytetit kthehet në një finale që mund të vendosë jo pak për kreun, edhe pse bëhet fjalë për javën e parë të fazës së katërt. Deri para dy javëve, dukej se të besuarit e Edlir Tetovës e kishin “blinduar” kreun, teksa vinin pas një serie ku njihnin vetëm fitore.
GAFAT – Humbja në Korçë dhe barazimi në shtëpi, përballë dy skuadrave që luajnë për mbijetesë, treguan se Egnatia është një skuadër e thyeshme dhe që mund të gabojë. Mund të thuhet pa frikë, se kampionët po kalojnë një minikrizë.
Ata në tri ndeshjet e fundit, përfshirë edhe Kupën, nuk njohin fitore. Si për ironi, nuk kanë mundur dot të fitojnë pikërisht me ekipet që këtë sezon kanë si synim vetëm qëndrimin në kategori, dhe pikërisht këto sfida, ekipet që luajnë për titull nuk duhet t’i gabojnë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













