Egnatia, për të mposhtur inferioritetin kundër Dinamo Minsk. Duhet kaluar frika e dështimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2025 | 8:15

Egnatia, për të mposhtur inferioritetin kundër Dinamo Minsk. Duhet kaluar frika e dështimit

Për një klub si Egnatia, që vjen nga një qytet i vogël, por me pasion të madh për futbollin, kualifikimi në kompeticionet europiane është vetvetiu një arritje. Por që ky ëndërrim të marrë vlerën reale, duhet shoqëruar me sukses.

egnatia

Egnatia është përballur me Europën disa herë këto vitet e tundit dhe rezultatet kanë qenë zhgënjyes, eliminim që në raundet e para ndaj të gjitha skuadrave rivale. Mund të thuhet pa frikë se fjala “Europë” është shndërruar në një tabu që rëndon mbi klubin. Jo vetëm për shkak të rezultatit, por sepse këto eliminime kanë zbuluar një mangësi të thellë në përvojë, mentalitet dhe qasje. Egnatia është kampione në Shqipëri, por duket se nuk ka qenë gati për të përfaqësuar vendin denjësisht në arenën ndërkombëtare. Tani është koha që kjo tabu të thyhet, të paktën kështu shpresojnë në Rrogozhinë.

FRIKË NGA DËSHTIMI – Ndeshja ndaj Dinamos së Minskut nuk është thjesht 90 minuta futboll. Për Egnatian, kjo është një përballje direkte me të shkuarën e vet, me frikën e dështimit, me kompleksin që e ka shoqëruar në përballjet jashtë kufijve të Shqipërisë. Nëse për disa ekipe pjesëmarrja në Europë është rutinë, për Egnatian është ende një përpjekje për të dalë nga hija e një inferioriteti që nuk është vetëm sportiv, por edhe emocional. Çdo lojtar që zbret në fushë e di se nuk po luan vetëm për një rezultat. Po luan për të ndryshuar një narrativë që thotë: “Egnatia nuk kalon dot asnjë tur në Europë”. Trajneri Edlir Tetova është përpjekur të ndërtojë një skuadër me karakter dhe me lojtarë që nuk thyhen lehtë. Tashmë nuk është fjala vetëm për organizim në fushë, por për qasje, për të hyrë në fushë me bindjen se mund të fitosh dhe të kalosh raunde, jo vetëm të marrësh pjesë për statistikë.

DINAMO, JO E PATHYESHME – Dinamo Minsk është një klub me traditë më të gjatë në Europë, por jo një “bishë” që nuk mund të mposhtet. Futbolli bjellorus ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit dhe diferenca me Superioren nuk është më aq e theksuar sa dikur. Në një përballje direkte, Egnatia ka armët e veta, edhe pse ndaj Breidablik në ndeshjen e kthimit ato nuk dolën në pah. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse Egnatia do të jetë në gjendje të jetë cinike, të përballojë presionin dhe të ruajë qetësinë në momente kyçe. Këto janë ato elemente që ndajnë një skuadër pjesëmarrëse nga një skuadër pretendente. Ajo që dihet është fakti se askush në Rrogozhinë nuk kërkon më thjesht një paraqitje dinjitoze. Tifozët, drejtuesit dhe vetë grupi i lojtarëve kërkojnë më shumë: kualifikim. Kalimi i këtij raundi nuk është më një ëndërr e largët, por një objektiv real, që kërkon vetëm përqendrim dhe karakter.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL