Egnatia, nën akuzë për paraqitjen e tyre në Ligën e Kampioneve. Shpëtimi është Dinamo Minsk

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2025 | 8:34

Egnatia, nën akuzë për paraqitjen e tyre në Ligën e Kampioneve. Shpëtimi është Dinamo Minsk

Eliminimi në turin e parë nga Liga e Kampioneve për Egnatian erdhi në mënyrën më të rëndë të mundshme. Me një rezultat 5-0 përballë Breidablik të Islandës, ekipi nga Rrogozhina jo vetëm që doli nga gara, por u përball me një realitet të hidhur që ka lënë pasoja në çdo shtresë të klubit.egnatiaAs loja, as rezultati nuk ishin në nivelin e pritshëm, çka e shndërron këtë eksperiencë në një dështim, që kërkon reflektim urgjent. Është një provë karakteri për klubin, për stafin dhe për lojtarët. Nëse do të dijë të reagojë si një skuadër me ambicie të mëdha, Egnatia duhet të shfrytëzojë këtë moment si pikënisje për të ndërtuar diçka më të qëndrueshme dhe me identitet të qartë. Në të kundërt, rrezikon që suksesi i sezonit të kaluar të mbetet thjesht një episod kalimtar.

POZICIONI I TRAJNERIT – Në radhë të parë, pasojat priten të ndihen në pankinë. Edlir Tetova, i cili sezonin e kaluar arriti të shpallej kampion i Shqipërisë dhe të vendoste Egnatian në skenën europiane për herë të parë, tashmë gjendet nën një presion të jashtëzakonshëm. Mungesa e qartësisë taktike, reagimi i dobët i skuadrës dhe përgatitja e dobët fizike, janë disa nga kritikat që kanë nisur të qarkullojnë pas humbjes në Islandë. Në të mirë a në të keq, është gjithnjë kreu i pankinës ai që mban në “kurriz” pjesën e lëvdatave apo edhe të kritikave.

MERKATO NË PIKËPYETJE – Turpërimi ndaj një kundërshtari që nuk vlerësohej si favorit absolut, ka nxjerrë në pah mungesa të theksuara në përbërjen e skuadrës, sidomos në aspektin mbrojtës dhe kreativitetin në mesfushë. Disa prej afrimeve të verës nuk bindën dhe pyetjet janë të shumta: A është ndërtuar skuadra për të konkurruar seriozisht? A janë përforcimet në nivelin e duhur? Përgjigjet nuk dihet nëse do të merren dot shpejt. Ndoshta, Egnatia të aktivizohet fort, madje edhe duke ndryshuar drejtim në profilin e lojtarëve, duke kërkuar më shumë përvojë ndërkombëtare dhe personalitet.

RËNIA E MORALIT – Një humbje e rëndë në një kompeticion prestigjioz, për më tepër me rezultate të thella dhe pa shfaqur kurrë ndonjë rezistencë serioze, lë gjurmë edhe në aspektin psikologjik. Lojtarët e rinj humbasin besimin, ata me më shumë përvojë nisin të dyshojnë në projektin aktual, ndërsa në dhomat e zhveshjes mund të ndizen tensione. Ky është një moment kritik për drejtuesit dhe stafin teknik, të cilët duhet të menaxhojnë situatën me kujdes për të shmangur që ndjenja e dështimit të përhapet në gjithë skuadrën.

TIFOZËT TË ZHGËNJYER – Pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve ishte për Egnatian një ëndërr që mori formë konkrete, veçanërisht me ndeshjen e luajtur në shtëpi, në stadiumin e Rrogozhinës. Megjithatë, zhgënjimi që pasoi ishte edhe më i madh se entuziazmi që u ndërtua. Tifozët, edhe pse nuk janë të shumtë në numër, janë të lidhur emocionalisht me këtë projekt, dhe tani kërkojnë përgjigje. Rikthimi i besimit do të vijë vetëm përmes rezultateve në kampionat dhe transparencës në mënyrën si klubi do të përballet me këtë dështim.

SHPËTIMI – Megjithëse zhgënjimi është i thellë, Egnatia ka ende një mundësi për të shpëtuar fytyrën dhe për të dhënë një tjetër imazh në arenën ndërkombëtare. Pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, skuadra e Tetovës do të zbresë në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me Dinamo Minsk, një emër i njohur nga Bjellorusia. Ky është një shans i dytë për rrogozhinasit që të tregojnë se mund të reagojnë dhe të mos e mbyllin aventurën europiane me një faqe të zezë. Për Egnatian, kalimi i këtij turi do të thotë jo vetëm rikthim i besimit te vetja dhe te tifozët, por edhe fitime të rëndësishme financiare dhe përvojë për klubin. Sfida ndaj Dinamo Minsk vlerësohet më e fortë sesa ajo ndaj Breidablik, por kjo përballje vjen në momentin e duhur për të provuar karakterin dhe kapacitetin e grupit. Nëse skuadra arrin të shfaqë fytyrën e saj më të mirë dhe të ecë sa më gjatë në këtë kompeticion, mund të zbusë sadopak pasojat e turpërimit të parë dhe të rikthejë qetësinë për sezonin e ri.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL