Egnatia në ndjekje të titullit të tretë radhazi/ Kampionët rikthejnë frikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2025 | 22:46

Egnatia në ndjekje të titullit të tretë radhazi/ Kampionët rikthejnë frikën

Egnatia ka përfundu ar fazën e parë të këtij sezoni me një performancë që konfirmon ambiciet e rrogozhinasve për të qëndruar në zonën e kreut. Një nga momentet kryesore të këtij cikli ishte fitorja ndaj Teutës, një skuadër që deri pak kohë më parë konsiderohej si një rival i vështirë për çdo ekip, sepse nuk kishte ende asnjë humbje në kampionat.

Egnatia

Për më tepër që ndaj tyre, kampionët kishin bilancin më të errët, me vetëm një fitore dhe ajo e ndodhur pesë vite më parë. Ky rezultat, i arritur pas një përgatitjeje të kujdesshme taktike, ka dhënë një sinjal të qartë për rrjedhën e sezonit, duke treguar se Egnatia mund të menaxhojë sfidat ndaj kundërshtarëve më të fortë dhe duket se po arrin pjekurinë atëherë kur duhet.

STABILITETI

Mund të thuhet se gjatë këtyre ndeshjeve të fazës së parë, Egnatia ka treguar stabilitet në aspektin e rezultateve, duke arritur të marrë pikë nga ndeshje që mund të konsideroheshin të vështira dhe duke shmangur humbjet që do të komplikonin pozicionin në tabelë. E vetmja disfatë është me kryesuesit e Vllaznisë dhe ajo e ardhur në javën e parë të kampionatit.

Statistikat e pjesës së parë tregojnë një skuadër që ruan balancën midis mbrojtjes dhe sulmit, një faktor kyç për të siguruar vazhdimësinë e suksesit gjatë gjithë sezonit. Synimi i të besuarve të Edlir Tetovës është që ta ruajnë këtë balancë deri në fund të sezonit, edhe pse më e vështira nuk ka ardhur ende.

KRAHASIMI

Për aq kohë sa Egnatia është kampione në fuqi në dy sezonet e fundit, çdo krahasim i këtij sezoni do të bëhet me periudhën kur edhe dërguan dy titujt në shtëpi. Kur krahasojmë këtë performancë me edicionet e fundit, është e qartë se Egnatia po lë një shenjë të qëndrueshme. Pas përfundimit të fazës së parë, skuadra ka tre pikë më shumë se sezoni i kaluar, duke treguar përmirësim dhe një përpjekje të konsoliduar për të ruajtur pozitat e larta.

Në të njëjtën kohë, ky rezultat është një pikë më pak se para dy sezonesh, një tregues që ekipi është në nivele të ngjashme konkurruese dhe se rruga drejt titullit mbetet e hapur. Analiza e performancës së ekipit tregon se Egnatia ka arritur të menaxhojë me efikasitet të gjitha sfidat e fazës së parë, duke mbajtur një ritëm të qëndrueshëm dhe duke dhënë sinjale se mund të synojë titullin sërish. Krahasimi me sezonet e kaluara tregon jo vetëm stabilitet, por edhe potencial për të përmirësuar rezultatet dhe për të arritur objektiva më ambicioze në vazhdim të sezonit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL