Egnatia dhe turpi i Islandës që ndjek Shqipërinë, rrënjët janë tek ekipi dhe vazhdojnë më tej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2025 | 12:17

Egnatia dhe turpi i Islandës që ndjek Shqipërinë, rrënjët janë tek ekipi dhe vazhdojnë më tej

Ka njerëz që besojnë se ekziston Zoti, të tjerë në teoritë konspirative. Në të pamundurën apo te fakti që rezultati i Breidablik-Egnatia ishte i paracaktuar nga koeficientet e basteve, sepse pesë gola të pësuar nga rrogozhinasit në atë mënyrë, janë shumë.

518348573_1245409547595799_8153852340842548243_n

Duke mos pasur fakte që fajësojnë drejtpërdrejt ekipin kampion të Shqipërisë, tri janë shtyllat e disfatës së Egnatias. Gabimet e trajnerit e të lojtarëve, skuadër e ndërtuar keq dhe niveli i ulët i futbollit shqiptar.

TRAJNERI DHE LOJTARËT

Duhet ta pranojmë. Edhe tek Egnatia duhet ta pranojnë, se nëse duan të ecin përpara dhe të zhvillojnë ekipin, strategjia dhe emrat që kanë, nuk janë të nivelit që të garantojnë kalimin e tureve europiane. Mendjemadhësia të çon në greminë dhe faji kryesor i shkon trajnerit. Së bashku me stafin e tij (gjithmonë nëse i bëjnë ndonjë punë), nuk e kishin analizuar kundërshtarin, nuk morën masat e duhura, për ta çuar minimalisht lojën në shtesë. Reagim nga stoli nuk pati fare… Me gjithë respektin për trajnerin Edlir Tetova, ky i fundit për ndeshjet europiane tregoi mangësi të thella në organizimin e skuadrës dhe nuk është hera e parë. Tetova shfaqi mungesë në planifikimin e strategjisë “A”, “B”, “C”, të cilat do të përdoreshin në 90 minuta, gjithmonë në varësi të rezultatit.

Mungoi leximi i shpejtë i lojës dhe marrja e masave të menjëhershme. Trajneri kishte gabuar edhe 11-shen që nisi takimin. Gabimi ishte në zgjedhjet e emrave dhe pozicioneve, që u panë edhe në fushë. Ekipi ishte i ngadaltë që vuajti, si presingun lart të kundërshtarit dhe shpejtësinë e tij. Skuadra nuk luajti e rreshtuar mirë, por kaotike në fushë. Pas golit të parë, filli u humb, dhe Tetovës i shpëtoi skuadra nga duart dhe nuk i përgjigjej më. Ky nuk është faji i askujt, veç i tiji. Masat e marra nga trajneri erdhën shumë vonë, me dëmin e kryer… Poçi titullar, djathtas. Më vonë në qendër dhe në minutën e 42-të jashtë. Pikërisht pas golit të katërt.

Përse duhet të priste kaq shumë për këtë zëvendësim? Mesfusha dhe sulmi me ndryshime për shkak të tre mungesave (Ujka, Lushkja dhe Ndreca), por dy repartet ishin të shkëputura nga njëra-tjetra. Aleksi mesfushor, pastaj mbrojtës me “5”. Xhemajli nuk dihej ku ishte. Sota në qendër, më pas majtas. Lëvizje kaotike që ndikojnë brenda skuadrës… Tetova ndoshta mendonte se do të përballej me një skuadër shqiptare pa ritëm që ishte dorëzuar….? Gabohej dhe kjo ishte mendjemadhësi prej dehjes nga rezultati i ndeshjes së parë. Për mbrojtjen analiza është e kotë. Natë dramatike. Fajtorë nga i pari tek i fundit. Çfarë bënë tre mesfushorët, Ferndando, Aleksi dhe Jahaja? Po sulmuesit?

Këto dy reparte kur topin e kishte kundërshtari a presuan lart apo lanë fushë? Si ishin të rreshtuar dy repartet te golat e pësuar? Përse skuadra asnjëherë nuk u rreshtua saktë dhe gjithmonë, lojtarët ishin në pozicione të gabuara ose jo natyrale? Skuadra nuk kishte ekuilibër dhe mesfusha ishte shumë e lehtë. Aleksi nuk është as Gatuzo dhe as nuk e bën dot “vezën” e tij, kjo edhe për shkak të moshës. Sulmi me Grudën, Bakajokon dhe Selmanin jo vetëm që nuk ishte efikas, por zor se do të funksionojë në nivele të tilla. E pra, veç individëve që kanë mëkatet e tyre, “rrëfimin” duhet ta bëjë trajneri, të cilit në rastin më të mirë i kanë mbaruar idetë ose ka gabuar në përzgjedhjen e emrave për sezonin e ri. Urojmë të studiojë deri në takimin e Ligës së Konferencës…

EKIPI ËSHTË NDËRTUAR GABIM

Skuadra praktikisht nuk ka mbrojtës të majtë dhe të djathtë ose alternativa për ta. Për numër janë aty, por nuk bëjnë gjë. Poçi është fajtor te goli i parë, ashtu si edhe të tjerë. I pozicionuar keq, nuk ndërhyn me faull gjatë aksionit në mes të fushës, kundërshtari e djeg në shpejtësi dhe ai veçse sodit sesi bëhet goli. Kulmi është, se Sota nga pas Poçit, e arrin dhe mundohet që t’i heqë topin kundërshtarit, por Poçi nuk e vret mendjen fare, ndoshta aq ka mundësi ose nuk dëshiron. Në rastin më të mirë nuk është për këtë skuadër, në rastin më të keq… po ia lëmë fantazisë. Te goli i dytë, islandezët qarkullojnë lehtësisht topin. Asnjë presing, Aleksi rreshtohet në mbrojtje. Xhemajli me të gjithë eksperiencën lë kundërshtarin vetëm në zonë, duke i dhënë mundësi të shënojë.

Një pikëpyetje e madhe… Goli i tretë është edhe më i rëndë. Fangaj bën gafën djathtas, humb një top në fushën e tij, që kap në kundër kohë ekipin, ndërsa Poçi sheh sferën t’i kalojë te këmbët, por nuk e heq. Xhemajli nuk është fare në pozicion. I katërti është manuali i turpit. Vetëm tek U-9 mund të pësohet ai gol ku mbrojtësit as nuk ndajnë kundërshtarët dhe as i bllokojnë. Thjesht nuk dinë ku janë dhe çfarë duhet të bëjnë. Tek i pesti gol, pastaj lëre të mos e kujtojmë. Gjuajtje nga 17 metra mes lojtarëve të Egnatias. Për të mos folur për rastet që nuk u kthyen në gol. Prapavija është e avashtë dhe vuan shpejtësinë. Shkurt, skuadra ka nevojë për riformatim në mbrojtje dhe mesfushë. Sigurisht do të jetë e suksesshme në Shqipëri, me një futboll demode, por jo në Europë.

NIVELI I FUTBOLLIT SHQIPTAR

Faji i humbjes së Egnatias, është niveli i futbollit shqiptar. Skuadra që nuk punojnë. Rezultatet janë jo reale dhe krahasuar me të tjerët jemi shumë prapa. Në dije trajningu, mjekësie sportive, përgatitjesh, formimi lojtarësh. Shih sa të rinj ka në qarkullim. Partizani, Vllaznia guxojnë. Egnatia ka vetëm “mercenarë” dhe bazohet te të huajt. Thënë më qartë, futbolli ynë është vite larg modernitetit dhe loja që prodhon kampionia jonë në fuqi e tregon qartë nivelin e futbollit shqiptar. Shqipëria tani nuk krahasohet as me një shtet si Islanda që është sa gjysma e Tiranës. Për çudi, Egnatia është skuadra e 21-të që pëson 5 ose më shumë gola në një ndeshje europiane. Rekordin e mban Flamurtari dhe më pas të gjitha ekipet e tjera shqiptare.

Screenshot 2025-07-17 121603

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL