Edhe Bano po vuan një gjetjen e rezultateve. Tranzicioni pa fund i Lushnjës, ja pse problem nuk qëndron tek emri i trajnerit
Tranzicioni te Lushnja duket se nuk ka fund, edhe pse ndër vite janë bërë përpjekje dhe investime financiare që do t’i kishin zili edhe disa skuadra të Superiores. Megjithatë, verdhejeshilët vazhdojnë të mbeten larg elitës së futbollit shqiptar. Kanë kaluar tashmë tetë sezone që nga hera e fundit kur Lushnja ka milituar në Superiore, konkretisht në edicionin 2017-2018.

Që prej asaj kohe, klubi më shumë ka luftuar për mbijetesë në Kategorinë e Parë sesa për rikthimin në nivelet më të larta. Vetëm në 21 javë të këtij sezoni, skuadra lushnjare është drejtuar nga tre trajnerë zyrtarë, Erion Xhafa, Ditmar Bicaj dhe Artan Bano, ndërsa në momente të veçanta ekipin e ka drejtuar edhe zv.trajneri Ledion Ruço. Ky ndryshim i shpeshtë në pankinë është një tregues i qartë i paqëndrueshmërisë që prej vitesh e shoqëron klubin. Viti 2026 nisi me optimizëm në kampin lushnjar, pasi drejtimin e skuadrës e mori Artan Bano, një emër i dashur për tifozët dhe trajneri i fundit që ka drejtuar Lushnjën në Superiore, para tetë sezonesh. Fillimi ishte pozitiv, fitore 2-0 ndaj Korabit në debutim dhe më pas një barazim 0-0 në transfertë në derbin me Apoloninë. Por 180 minutat e fundit e kanë rikthyer sërish Lushnjën në realitet.

Dy humbje minimale në shtëpi, fillimisht ndaj Burrelit dhe më pas kundër Laçit, e kanë zbehur entuziazmin dhe kanë thelluar krizën e rezultateve. Kjo ecuri tregon qartë se problemi në Lushnjë nuk lidhet thjesht me trajnerin, por me menaxhimin, ndërtimin dhe funksionimin e klubit, i cili prej vitesh po mbetet kryesisht barrë e buxhetit të Bashkisë Lushnjë. Pakënaqësia reflektohet hapur edhe te tifozët, si në rrjetet sociale ashtu edhe në analizat e ish-lojtarëve dhe ish-drejtuesve, të cilët prej kohësh kanë vënë “gishtin në plagë”. Një faqe që mbështet dhe promovon futbollin lushnjar shkruan në rrjetet sociale: “Të shohësh Lushnjën kështu dhëmb shumë, por nuk ka faj askush përveç atyre që Lushnjën e shohin si rrogë mujore. Ka vite që ndodh e njëjta gjë. Ndryshimet e shpeshta nuk do të thonë se problemi zgjidhet, pasi prej pesë vitesh po dështojnë në ndërtimin e ekipit”. Aktualisht, Lushnja ndodhet në pozita jo të favorshme në renditje, në zonën e ashtuquajtur “të ftohtë”, ndërsa fazën e dytë do ta mbyllë me një transfertë të vështirë në Fushë-Krujë ndaj Ilirisë, ndeshje që pritet të jetë vendimtare për vazhdimësinë e sezonit.
PANORAMASPORT.AL













