E pësoi me Grudën, Vllaznia mbyll shpejt hesapet me dyshen e sulmit dhe u rinovon kontratën
Vllaznia nuk ka ndalur rinovimet gjatë ditës së sotme, duke nisur punën për edicionin e ri një ditë pas mbylljes së “Final 4” ku nuk ia doli të bënte të tijën titullin kampion.

Shkodranët, të cilët e pësuan vitin e kaluar me Ildi Grudën pasi nuk aktivizuan në kohë klauzolën e tij në kontratë për një tjetër vit, këtë herë duket se kanë marrë masat. Ndaj sot, klubi doli me njoftim në rrjetet sociale për dy elementë shumë të rëndësishëm të skuadrës, Sherif Kallakun dhe Lirim Kastratin, të cilët kur nënshkruan në verën e kaluar, kishin firmosur marrëveshje 1+1.
“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se futbollisti Sherif Kallaku do të jetë pjesë e skuadrës tonë edhe për sezonin 2026-2027”, shkroi fillimisht klubi shkodran në rrjetet sociale, duke shtuar më pas edhe emrin e futbollistit që mbeti jashtë në pjesën e fundit të sezonit për shkak dëmtimi.
“KF Vllaznia bën të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me futbollistin Lirim Kastrati edhe për sezonin e ardhshëm. Njëkohësisht i urojmë një rikthim sa më të shpejtë në fushën e blertë”, shkroi klubi në rrjetet sociale duke zyrtarizuar zgjatjen e kontratës.
PANORAMASPORT.AL













