E KRYER/ Kapiteni arrin marrëveshjen, rinovon me Egnatian kampione

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2025 | 9:21

E KRYER/ Kapiteni arrin marrëveshjen, rinovon me Egnatian kampione

Para se Egnatia të nisë “operacionet” për afrimin e lojtarëve në merkato, ka një detyrë tjetër më të rëndësishme: të rinovojë me ata që i sheh si pjesë të rëndësishme të ekipit.aleksiEmri i parë që me shumë gjasa do të rinovojë është ai i Albano Aleksit. Burime të besueshme mes palëve pohojnë se këto ditë kanë qenë intensive mes tyre dhe paraprakisht kanë rënë dakord për të zgjatur marrëveshjen edhe për të paktën një sezon. Më herët, palët nuk e kishin gjetur dot gjuhën e përbashkët dhe zgjatja e kontratës kishte mbetur pezull, ku më së shumti ngërçi ishte te termat financiarë. Duket se edhe kjo situatë është zgjidhur dhe mbetet vetëm të hidhet firma nën kontratë.

Për momentin, lojtari vijon me pushimet e tij jashtë vendit dhe kur të rikthehet do të kenë takimin përfundimtar për të hedhur të zezën mbi të bardhë. Siç dihet, 32-vjeçari ka qenë lideri i skuadrës në dy sezonet e fundit, të cilat përkojnë edhe me fitimin e të gjitha trofeve të mundshme nga rrogozhinasit, ku spikasin dy titujt kampionë. Sezonin e fundit ai mbajti edhe shiritin e kapitenit në krah, për vetë faktin se Renato Malota qëndroi jashtë fushës për shkak dëmtimi. Duke qenë një nga më të mirët në rolin e tij, mbarimi i kontratës së Aleksit erdhi edhe si një “asist” për skuadrat e tjera që kërkuan shërbimet e mesfushorit. Mirëpo, duket se kjo “telenovelë” po shkon drejt fundit dhe Aleksi do të vijojë të jetë një lojtar i kampionëve.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL